Arif Molliqi: Po të jetoja në kryeqytet do të isha shkrimtar tjetër

arif molliqi

Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari Arif Molliqi.

– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Saktësisht nuk e di. Në klasë të katërt, në gazetën e murit në shkollë mësuesi im kishte ngjitur një vjershë timen me dy strofa. Mendoj se ky ishte çasti im i parë që mendova diçka për letërsinë, pa e kuptuar atëherë se ç’ishte letërsia? Pra, nëse mund ta quajmë kështu ky edhe ishte takimi im i parë.

Me letërsinë e shkruar nga të tjerët jam takuar në klasën e tretë pasi kisha marrë si dhuratë librin e Mark Krasniqit “Posta e porositur”, dhe një libër tjetër… Sa e vështirë qenka kur sot nuk e kujtoj emrin e atij libri?! Pastaj e lexova edhe “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës që ma pati dhënë mësuesi t’i lexoja si lekturë gjatë pushimit dimëror.

-Kur ratë në “grackën” e saj?

– Ah, në “grackë” kam ra për herë të parë kur i lexova librat për fëmijë: “Pinoku” më autor Karlo Kolodi. Më duket për dy-tri vjet atë e kam lexuar disa herë.

Pasi e lexova “Pinokun”, tentova të shkruaj edhe unë diçka për rrenacakun, duke u mbështetur në tregime të moçme shqiptare. Me duket se derisa e kam kryer klasën e tetë, disa herë e kam shkruar dhe rishkruar, sipas meje, një “libër” duke u bazuar në tregimin për atë bariun që kishte gënjyer njëherë, dy herë, tri herë se i ra ujku ndër dele… Dhe kur vërtetë i kishte ra ujku në torishtë, ai kishte thirrë ndihmë më kot,  sepse atëherë askush nuk i kishte besuar. Ujku ja kishte ngrënë delet….! Fatkeqësisht ai “tregim” i shkruar në një fletore shkollore më ka humbur shumë moti, s’e di se ku, por e mbaj në mend.

Mirëpo, duke u rritur fillova të lexoj, kinse letërsi “serioze”, që herë-herë as që i kuptoja. Më kujtohet dy herë e pata filluar ta lexoj “Lufta dhe paqja” nga L.Tolstoj, por kurrë nuk e përfundova. Në klasën e shtatë të fillores, pas një hartimi me shkrim, arsimtari i gjuhës shqipe, u kishte thënë kolegëve në sallën e arsimtarëve: “Ky nxënës ka talent për të shkruar”. Dhe unë mendova se vërtetë ishte ashtu. Kjo ishte edhe një grackë e llojit të vet.

Kam një kujtim nga shkolla e mesme që sa herë më kujtohet, filloj të qeshi: Një ditë, në mungesë të atleteve (patikave) që ishin prodhim kinez, mbase m’u kishin lagur-zhytur derisa i kullota lopët për mengezë (paradite), në shkollë shkova më çizme të gjata si ato të mullisit. Kur më panë disa vajza në oborrin e shkollës, filluan të qeshnin duke thënë: “Paska ardhur poeti mulligji”. Nga ajo ditë, për shumë vite me mbeti emri: “Poeti mulligji.

Pastaj, shumë më vonë, më duket në gjimnaz kam botuar për herë të parë poezi, për të rënë tamam në grackat e të shkruarit.

 – Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Bukur moti… Aq sa ma patën ndryshuar edhe emrin; më quanin “Poeti mulligji”!

Kjo ka ndodhë si nxënës i gjimnazit, kur nisa të shkruaj kinse poezi “serioze”, pasi i kisha lënë ato “poezitë e fillores”. Por asnjëherë nuk kam pasur guxim t’i them vetes shkrimtar. Sepse shkrimtarët i kisha menduar ndryshe…?!

Kisha menduar se shkrimtari është i përafërt me magjistarin, që me magji ‘i detyron’ njerëzit t’i lexojnë rrëfimet e tyre. E mua askush nuk më lexonte.

Në fillim kam shkruar humor dhe satirë, që në orët letrare të shkollës t’i nxiti nxënësit për te qeshë. Por pasi dikush nga drejtoria e gjimnazit nuk e pëlqeu humorin tim, më “udhëzoj” ta braktisi satirën, prandaj e lash’ satirën fillova me poezi.

Kjo ndodhi edhe për një arsye tjetër, poet u bëra për të shëtitur me grupin letrar të gjimnazit anë e kënd Kosovës… Atëherë ishte modë t’i vizitonim grupet letrare të gjimnazeve tjera.

Por prapëseprapë, më vonë, si student, ju ktheva satirës dhe fillova të botojë më pseudonimet: Boksh Baruti, Topuz Bërryli, Prenk Sherri etj. derisa një ditë nga qyteza ime ishte interesuar dikush të mësoj se kush isha. Andaj e lash satirën për më vonë, sepse satira ishte gjini letrare e “vështirë” për kohën. Kjo ndodhi për shkak të një shkrimi satirik që e kisha botuar te “Thumbi”. Pas kësaj “këshille” vazhdova të shkruajë poezi në heshtje, padiktueshëm, herë pas here duke i publikuar në shtypin e kohës.

Në një konkurs të “Rilindjes” në vitin 1988, dorëzova një përmbledhje më poezi, që u vlerësua mirë, por redaktori që ishte caktuar për librin tim kishte kërkuar të bëhen disa ndryshime në titull dhe të hiqen disa poezi. Me propozim të Ali Sutajt (babait të gazetarisë kosovare), hoqa dorë që libri të botohet me krasitje. Ato poezi i botova më vonë me titull “Simfoni për darkën e qenve”.

Kështu, vit pas viti, më shumë padiktueshëm, sepse jetoja në fshat, arrita t’i shkruaj dhe botoj: 10 libra me poezi, 6 romane, 2 drama, 3 monografi, 1 libër me skica dhe ese…

S’di pse as tash nuk ndihem “shkrimtar”?! Sepse shkrimtarët i mendoja se jetojnë vetëm në kryeqytet…

 -A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Shumë herë… Bile tash vazhdoj edhe më shumë t’ia shtroj vetes pyetjen; pse shkruaj?!

S’kam përgjigje të përhershme. E di se arti në fund të fundit ‘identifikohet’ me jetën, ose më saktë, brenda “kufijve” të saj.

Gjithmonë kam menduar se të shkruarit (poezi apo prozë), të jap një mundësi të tregosh diçka që s’është vetëm e jotja. Por që shkrimtari shkruan për ta treguar të vërtetën, e cila në jetën e përditshme të gjithë e dinë por pak marrin guxim ta thonë…

Pyetja; pse shkruaj, është bërë ndër shekuj. Një përgjigje për ketë më duket se e kam lexuar diku?! Ose, po mundohem ta parafrazoj Mario Vargas Llosen që thotë se: ‘në ketë pyetje kanë marrë dhe s‘kanë marrë përgjigje. Kanë grishur shkrimtarë, pena të njohura të futen thellë brenda vetes, të shohin nën një dritë të pastër gjykimi vitet e kaluara para tryezës së shkrimit.

Sipas mendimit tim, zgjedhja e lirë (e të shkruarit) është thelbësore, por vetëm në një fazë të dytë, pas një prirjeje fillestare subjektive, të lindur ose të ngjizur qysh në fëmijëri, apo në adoleshencën më të hershme, të cilën zgjedhja racionale mund ta forcojë, por që kurrsesi nuk mund ta prodhojë nga hiçi’. Kështu shkruan romancieri, dramaturgu, e eseisti spanjolle.

Derisa tek unë të shkruarit është rebelim. Një rebelim i llojit të veçantë që shkrimtari mundohet t’iu kundërvihet fenomeneve shoqërore brenda një shoqërie.

Prandaj rebelimin shkrimtari duhet ta përcjellë tek lexuesi. Kjo është ndoshta e kundërta e asaj që thonë disa shkrimtarë: shkruaj që të më lexojnë.

– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar? 

-Më duket sikur u përgjigja në ketë pyetje pak më lartë: rebelimi ndaj dukurive dhe fenomeneve që ndodhin brenda shoqërisë, ndoshta me bëjnë paksa të veçantë.

Për një mendim të tillë, do të ishte jo morale po ta thosha se vetëm unë jam “rebel”. Që të jam modest,  po citoj disa nga ata që kanë shkruar për krijimtarinë tim dhe ku kuptohet e veçanta ime:

 “… në këtë libër me poezi, në të cilin ka dashuri, ka përkushtim, ka reagime (rebelim) ndaj politikës vendore…”(B. Dakaj),  

“…Që nga poezia e parë e deri tek e fundit Arif Molliqi godet fenomene dhe dukuri të cilat dita-ditës shkatërrojnë botën.” (A. Mehmeti),

“…Në këtë poezi kemi melankoli, njëkohësisht shprehje revoltuese përmes ironisë dhe metaforë” (S. Krasniqi), 

“…Ndërkaq rezonanca e librit mbështetet në imazhe harmonike të ndërtuara me mjete figurative të paradoksit, të groteskut dhe të ironisë. Arifi ka disiplinuar ndjenjën dhe mendimin.” (A. Gashi),

“…Ndërkaq një shkrimtar i rëndësishëm dhe zë krejt origjinal nga ky korpus letrar, padyshim mbetet edhe shkrimtari Arif Molliqi, i njohur në komunitetin letrar si poet, prozator, dramaturg, por edhe autor i teksteve satirike…” (N. Ukaj.)

Çka keni thënë me shkrimet tuaja? 

-Uh, po ç’me keni zënë ngushtë! Po a ritregohen tash gjithë ajo se çfarë kam shkruar në njëzet librat e mia për këto pesëdhjetë vite?!

Pyetja ka vend, por të më “obligoni” të ritregoj edhe njëherë, mendoj së është një mundim, një sakrificë.

Pyetni ndonjë lexues të librave të mia, besoj se ata ua shpjegojnë bërthamën e veprave të mia.

Megjithatë, koha që e kam jetuar unë ishte çoroditëse dhe shqetësuese sepse asokohe na ishte mbushur mendja se komunizmi është diçka e mirë dhe sa më shpejt njerëzimi ta përqafoj ketë, aq më e mirë do të bëhet bota(?!) Duke shkruar jam munduar ta demantoj këtë mendim groteskë.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

– Aq shumë sa vetëm po të kthehem edhe njëherë prapa (në moshë), dhe të mos merresha me shkrime, do ta kuptoja se çka është deshtë ta them, që s’e paskam thënë.

Por gjithmonë mbetet diçka pa e thënë. Njeriu kurrë s’mund t’i thotë të gjitha më kaq pak jetë që e ka.

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

– Muza nuk e bën shkrimtar askënd. Ajo të jap impuls për të punuar. Nëse do të mbështetemi në tezat së krijuesi mbështetet të Muza, atëherë subjekt i artit nuk është autori, por muza.

Përvujtëria është shkaku që të shtynë në punën e pareshtur. Mirëpo kjo s’do të thotë, sipas mendimit tim, se duhet të shkruash pareshtur.

S’kam orar të caktuar ashtu siç nuk kam përvuajtje me orar. Të shkruarit s’është diçka e caktuar me normë. Cili shkrimtar tek ne shkruan pareshtur për të plotësuar normën? Shkrimtari shkruan kur e shtyn diçka e, ajo diçka, është kur ndien nevojë shpirtërore, kur heton ose vrojton gjithçka që ndodhë rreth tij. Është ai rebelimi që e shqetëson brenda asaj botës së tij të brendshme apo të jashtme, qofshin ato të mira apo të këqija.

Shkrimtarin e shqetëson edhe dashuria, edhe urrejtja. Edhe lindja edhe vdekja. Prandaj këto e bëjnë atë që të punoj, por jo pareshtur.

– Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Aspak. Ka raste që shkruaj tri-katër ditë, por ka edhe ditë të tëra që nuk shkruaj fare.

Nuk kam ndonjë mekanizëm detyrues që më shtyn të shkruaj. Jo.

Në jetën krijuese, ka disa çaste të palëvizshme, që ndonëse paradoksalisht ne i quajmë frymëzime, por që nuk shfrytëzohen gjithmonë në mënyrë sistematike.

– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

– Edhe po, edhe jo. Më pëlqen kur mendoj se kam thënë diç që mund të jetë në dobi të njeriut.

Por sa mërzitem kur e kuptoj nga të tjerët që s’paskam thënë asgjë. S’kam ndihmuar asgjë më shkrimet e mija… Kjo është dilema.

Ah, si ndihem kur kuptoj se asgjë s’paskam thënë?! Nganjëherë fatit nuk i dihet.

Po të jetoja në kryeqytet do të isha shkrimtar tjetër…

Ky është mendimi i atyre që mendojnë se letërsia krijohet vetëm brenda “Qarkut kulturor të kryeqytetit”.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARIF MOLLIQI: TË VDEKURIT KTHEHEN SËRISH TË ZOTI I TYRE

ARIF MOLLIQI: KUJTIMI PËR ADELEN…

ARIF MOLLIQI: KUR VJESHTA PO IK

ARIF MOLLIQI BOTON VEPËR TË RE POETIKE