Arif Molliqi: Kur vjeshta po ik

Ka filluar të fryn erë e ftohtë
gjethet filluan me ra
e bari i thatë po dridhet

natën ra shi
e i përmbysi ulluqet mbi çati
pemët e zhveshura filluan me fishkëllye
shatërvani përsë u kthye
në humbëtirën e ftohtë

në këtë vjeshtë
natyra u vesh me rroba të leckosura
trëndafilat e vyshkur nga bryma
po ndihen tmerrësisht të vetmuar

unë
të kulumbria mes are këndoj
bashkë më melodinë e gjetheve që bien
dhe kërkoj ndjesë që iku ai gjelbërim
e pas meje u shëmb një stinë.

—————————————————————

LEXO EDHE: ARIF MOLLIQI BOTON VEPËR TË RE POETIKE

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, vepra më e re me poezi e autorit Arif Molliqi, me titull “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”. 

Sipas botuesit të veprës, Berat Armagedoni, Arifi vazhdon të shkruajë me varg të lirë për lirinë e Kosovës, për çmimin e lirisë, për njerëzit më të dashur që s’i ka më dhe vazhdon të ndiejë mall edhe për ata që i ka ende gjallë.

Vazhdon të shqetësohet për gjeografinë e Kosovës dhe për gjeopolitikën e saj. E ngacmojnë edhe disa tema të vogla, por të përditshme sociopolitike që, sado që tërhiqen me forcë, vetëm zgjaten si llastiku dhe nuk këputen nga jeta jonë. Veprën mund ta gjeni në librarinë Artini dhe Dukagjini në Prishtinë.

Më poshtë shënimi për veprën në kapakun e pasmë i shkruar nga botuesi:

Arif Molliqi (1953), nga Lluka e Epërme e Deçanit, veprimtarinë letrare që disa dekada vazhdon ta kultivojë në Gjermani pas vizitave që ia bën Kosovës një ose dy herë në vit.

Edhe para se ta shkelë tokën gjermane ka shkruar dhe botuar në Kosovë, në vitet ’80, në gazetën Rilindja dhe Zëri i rinisë, më së shpeshti satira dhe humor të zi, me nofkat Boksh Baruti, Topuz Bërylli dhe me ndonjë tjetër….

TEKSTIN E PLOTË MUND TA GJENI KËTU