Muzikanti profesionist Muharrem Maloku, miku i Et’hem Qerimajt, ndonëse në moshën 80-vjeçare, performon në shesh muzikë së bashku me të birin Albanin.
Njëri në violinë e tjetri në buzuk, për “Report tv” rrëfejnë një jetë me muzikën, dhe emocionet e këtij takimi të drejtpërdrejtë me publikun.
“Jam 80 vjeç. Edhe më duket sikur jam 15 vjeç kur i bie violinës”, thotë violinisti Muharrem Maloku.
Pranë sheshit “Skënderbej” dëgjohen tingujt e violinës së tij…
“Kemi qenë dy violinistë në Shqipëri që kemi përfaqësuar shtetin kudo që shkonim në botë, në çdo grup a ansambël… Ka qenë Et’hem Qerimi i madhi, dhe unë…”, tregon violinisti.
Muharrem Maloku i ka kaluar të 80-tat. Është muzikant profesionist e prej afro një dekade së bashku me të birin Albanin performojnë në rrugë muzikë cilësore: njëri në violinë e tjetri në buzuk.
“Jam i dashuruar pas violinës. U rrita dhe u plaka me këtë instrument në duar…”, thotë më tej artisti.
“Violina i jep jetë. Një ditë nëse nuk luan violinë sëmuret. Por, fatmirësisht i kam gjetur ilaçin nuk ka nevojë që të shkojmë te doktori” thotë i biri instrumentist, Albani që e shoqëron në performancat muzikore.
Nuk do ta mendonte dot jetën e tij pa violinën, tingujt e së cilës rrjedhin si melhem për këdo që e dëgjon…
Ka nisur të luajë që në moshën 7-vjeçare e rrugëtimi ka qenë i gjatë nga Liceu Artistik, te Instituti i Arteve e në skena si profesionist…
“Fillimisht e nisa karrierën si profesionist në Orkestrën e Radio Tiranës, që më vonë u bë e Televizionit. Dhe kur shkova ushtar mbeta në Ansamblin e Ushtrisë, aty vazhdova derisa dola në pension”, tregon më tej mjeshtri i violinës.
Nga kabaja e mikut të tij të ndjerë Ethem Qerimajt, muzika klasike e ajo popullore, babë e bir shpesh i befasojnë të huajt me pjesë muzikore të vendit të nga vijnë…
“Unë e kam të nevojshme që të jem pranë popullit, pasi më mungon skena e mirëfilltë! Por, edhe kjo është një skenë për mua.
Pasi kjo që bëjmë në këtu është një mini koncert… Është kënaqësi për mua që njerëzit ndalojnë dhe na duartrokasin. Këtu vijnë shumë turistë dhe dëgjojnë. Unë me ato pesë fjalë që di i pyes nga janë dhe luaj një pjesë nga vendi i tyre. Ata mahniten e thonë si është e mundur që të vijmë në Tiranë dhe të dëgjojmë në rrugë muzikë nga vendi ynë”, thotë ai.
Muzika greke është e pandashme në repertorin e tyre… Në shtetin fqinj Muharrem Maloku ndërtoi një pjesë të karrierës së tij, në skenë e pedagogji…
“Kam qenë në Greqi, në Kretë që nga viti 1991 dhe tani shkoj akoma. Kam qenë pedagog në Filarmoni edhe në shkollën e muzikës. Edhe sot e kësaj dite ata tregojnë respekt, më telefonojnë e më pyesin kur do shkoj për mësimdhënie a ndonjë koncert”, thotë violonisti.
Mjeshtri i violinës është i lumtur që muzikën e ka trashëguar nga fëmijët te nipërit e mbesat…
“E kam trashëguar, duke nisur nga Albani, Adriani që luan si amator në Gjermani. Mbesën dhe nipin i kam pas nxënës në Shkollën e Muzikës në Kretë kanë përfunduar profesionist. Vajza mbaroi shkollën e lartë dhe tani është pedagoge në piano”, tha ai./ Report tv
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E VIOLINISTIT SHQIPTAR QË NDIHMON MJEKËT NË TERAPI INTENSIVE
Prej dy vitesh, në çdo periudhë Krishtlindjesh, Eugjen Gargjola, i prezanton tingujt e violinës së tij me foshnjat në terapi intensive. Për të, muzika është një magji, një mrekulli. Violinisti shqiptar ka tërhequr vëmendjen edhe të televizioneve italiane. Ai ishte i ftuar në “Dita jonë”, nga ku tregoi se si lindi kjo ide.
“Para 3 viteve, unë shkova në terapinë intensive. Kjo lidhet me kujtimin e lindjes së vajzave të mia. Ato lindën në këtë repart në vitin 2014. Aty kam qëndruar një javë me vështirësi dhe ankth. Stafi i spitalit është shumë i mirë dhe na e kanë bërë ambientin sa më të mirë. Pas 4 vitesh, unë nisa të jap një kontribut nëpërmjet tingujve.
Tingujt kanë aftësi të ndikojnë direkt edhe te gjendja fizike e shpirtërore e fëmijëve”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult