“Enveri e kishte ‘Zërin e Popullit’ si oksigjeni për organizmin; ai u nda me të vetëm kur u nda nga jeta”.
Kështu shprehet sekretari i tij personal, Haxhi Kroi, për raportet e Hoxhës me organin qendror të Partisë, zëdhënësen e vetme të saj që nga dita e themelimit.
Ky është një nga konstatimet e pakontesueshme të njeriut që ka punuar 40 vite në zyrën e tij dhe fillonte ditën me interesimin e shefit të regjimit për gazetën më të madhe dhe problemet e trajtuara në të.
Me fillimin e viteve ’80, kur shëndeti i Enverit kishte nisur të rrënohej dita-ditës nga një kompleks sëmundjesh, “kreshentua” e marrëdhënieve të tij me “Zërin…” filloi të cenohej.
Megjithatë, dëshmon sekretari personal i Hoxhës, ai deri në fund stërmundohej të dilte mbi sëmundjen për mos t’u ndarë me krijesën e vet, “tribunën” e Komitetit Qendror, nga e cila ndiqte zhvillimet në vend e në botë dhe drejtonte Partinë.
Kroi ka regjistruar në ditar mënyrën si operonin zyrtarët e kabinetit të Hoxhës për të kompensuar vështirësitë që kishte për leximin e “Zërit…”.
Shënimet e tij që i referohen fillimit të vitit 1984, bëjnë të ditur përpjekjet për sigurimin e një makinerie në Perëndim, me të cilën është realizuar çdo ditë riprodhimi i gazetës “Zëri i Popullit” me germa të mëdha.
Shërbimi i posaçëm për kreun e regjimit, sipas kujtimeve të Kroit, ka ndryshuar edhe vetë regjimin e punës së kabinetit të tij në aparatin e KQ.
Stafi i këtij të fundit, tashmë i dyfishuar në numër, paraqitet në zyrë në orën 06:00 dhe deri në orën 08:30 punon për të rishtypur “Zërin…”, që duhet të shkojë në destinacion çdo ditë pa kaluar ora 9:00.
Jo rastësisht, shënimet për dinamikën e këtij procesi që monitorohej drejtpërdrejt nga Nexhmija dhe i biri Sokoli, zënë pjesën kryesore të ditarit të Kroit për periudhën mars-maj 1984.
Nga ato pak zhvillime të tjera që ka dokumentuar shefi i kabinetit të kreut të regjimit në këtë kohë, bie në sy lajmi për shfaqjen e papritur të nënës së aktorit të njohur Viktor Zhusti, e cila shkruan nga Athina se është lumturuar nga shqiptarët që më në fund e kanë ribashkuar me djalin të cilin e dinte të vdekur…
Ditari i vitit 1984: E mërkurë 29 shkurt 1984
Sot u botua në gazetat qendrore letra e një nënshtetase greke që ka gjetur te ne të birin. Ajo i drejton mirënjohjen e saj prej nëne Shqipërisë socialiste dhe shokut Enver për këtë kujdes njerëzor.
Kjo është një grua greke, martuar prej kohësh me babanë e Viktor Zhustit, por që më pas u divorcuan dhe e ëma e dinte të vdekur djalin e saj.
Po kështu Viktori e dinte nënën e vdekur. Një dramë kjo shumë e rëndë. Kjo grua greke ka shkruar edhe përshtypjet e saj për Shqipërinë.
Duket që është grua me kulturë dhe me nuhatje, që bën një vlerësim të tillë mbi formimin me të vërtetë human të njerëzve tanë të edukuar nga Partia që ajo po e shikon me sytë e veta këto javë që ka ardhur të takohet dhe të çmallet ca kohë me djalin e saj të rigjetur./vjosa.net
ObserverKult
Lexo edhe:
VIKTOR ZHUSTI RRËFEU HISTORINË E DHIMBSHME TË FAMILJES: SI E TAKOVA PAS 40 VITESH NËNËN…
Të rralla i kemi pasur rastet kur Viktor Zhusti i ka lejuar vetes të flasë përtej punës, aktrimit, roleve, kinemasë e teatrit.
Ema Andrea e pati pyetur kohë më parë gjatë një spektakli nëse ka diçka nga jeta personale që ne nuk e njohim, siç njohim thellë jetën e tij profesionale.
Një ngacmim i vogël por që çoi në një rrëfim të rrallë të historisë së dhimshme të Viktor Zhustit, i cili tregoi se si në mesin e viteve ’80 takoi për herë të parë nënën e tij që e dinte të vdekur por edhe ajo nga ana tjetër e dinte të vdekur të birin.
Të njohur në Greqi, prindërit e Viktorit u ndanë shpejt dhe pas divorcit gjyqi i la në kujdestari Viktorin e vogël nënës.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult