Nga Agim Baçi
A po mendojmë ne se si duhet të sillemi me fëmijët teksa fuqinë e komunikimit në familje e shkolla e ka marrë tregu i zbavitjes dhe konsumit? A arrijmë dhe ne vetë, si të rritur, ta kuptojmë ankthin që i ka pushtuar fëmijët sot nga ky treg i zbavitjes?
Shumë prindër, që janë rritur me një komunitet që dikur ka bashkëvepruar, që ka folur e lozur me njëri-tjetrin në moshën e fëmijëve të tyre, gjendet sot shpesh pa fjalë dhe pa shpjegim përballë fëmijëve që qëndrojnë gjithnjë e më shumë vetëm dhe që kanë thuajse gjatë gjithë kohës kufje në vesh ku mund të jenë duke ndjekur video me personazhe që janë kthyer në model, duke lëkundur në ekstrem autoritetin prindëror për orientimin për nesër.
Por, kushdo që mendon se kjo situatë është thjesht individuale e fëmijës së tyre, apo vetëm e shoqërisë shqiptare, rrezikon të gjykojë gabim e të prishë urat e komunikimit me to. Një situatë e tillë ka nevojë për një debat sa familjar e shkollor aq edhe mbarëkombëtar, ku të mos i hapim udhë lumit të pesimizmit, pasi në një lumë të tillë nuk dërgon asnjë varkë në një breg zgjidhjesh.
Në lumin e pesimizmit dhe moskomunikimit fiton vetëm ankthi i përkohshmërisë, vetëm zemërimi dhe frika. Ndërkohë që ne të gjithë e dimë se ajo që e mban fillin e fortë mes nesh është besimi dhe dashuria, është empatia dhe solidariteti.
Ne si prindër duhet të kuptojmë se premtimi që na është bërë ne si brez dikur për një të ardhme më të mirë, nuk vlen me të njëjtën gjuhë me fëmijët e sotëm, të cilët janë të kërcënuar nga “droga e famës”, nga ethet e pasurimit të shpejtë, që në fund rezultojnë një amfiteatër vuajtjesh dhe padurimi. Nën ndikimin e spektaklit dhe konsumit dhe të kërcënuar gjithnjë e më shumë nga rezultati dhe jo nga qëllimi i asaj që bëjnë, fëmijët do e kenë gjithnjë e më të vështirë të përcaktojnë emocionalisht kufijtë e kënaqësisë për atë që kanë dhe për atë që duan të bëjnë me jetët e tyre. Mungesa e qëllimeve për të nesërmen e ka kthyer tanishmërinë në një diktaturë padurimi.
Thuajse çdo prind është përballur me emocionet që shkaktojnë te fëmijët rrëfime individuale në programe të përditshme televizive e sidomos në video të shpërndara, përfshi këtu deri ne limitet e fundit të intimes.
Këto projekte e emisione i kthejnë të rinjtë në një gjah të konsumit të së sotmes, pa pasur fuqi të mendojnë për nesër, pa mundur të ëndërrojnë. Nën këtë presion, shumë fëmijë nuk e kuptojnë dot që, ajo që duhej të ishte vetëm e tyrja, është sot e gjithë publikut, pasi është bërë pjesë e show-t, duke u shpërndarë, pa ditur se kjo i bën më pas ata të pafuqishëm për t’iu kundërvënë makthit që krijon spektakli.
Është përgjegjësia jonë, në shtëpi e shkollë, t’u themi se informacioni nuk është mençuri, por thjesht një mundësi. Duhet t’i themi me qetësi se është reflektimi ndaj asaj që shohim që mund të na japë më shumë dritë në atë që duam të ndjekim, dhe jo eksitimi i gjithanshëm që sugjeron bota e spektaklit. Përndryshe, nëse nuk ua themi hapur, do kemi murin e indiferencës së tyre, ndaj asaj që do u kërkojmë më pas.
Ky mur indiference, zemërimi dhe nervozizimi që shfaqin të rinjtë mund të shembet nëse vendosim ura të vërteta bashkëbisedimi, pa u ankuar për atë që nuk kemi patur ne në kohën tonë dhe pa dramatizuar atë që ata na kërkojnë ata për shkak se janë bijë të kohës së tyre.
Nëse nuk arrijmë dot të ndërtojmë pyetjet e duhura në familje e shkollë, nuk ka pse, më pas, të bëjmë si të tmerruar nga dhuna që pason shoqërinë tonë, nga cinizmi i të rinjve.
Nëse nuk i drejtojmë sytë nga dashuria, nëse zemrën e tyre e lëmë në dorë vetëm të rezultatit dhe arsyes, atëherë duhet të llogarisim se mund të jetojmë në mbretërinë e indiferencës së tyre jo vetëm për ne, por për gjithçka rrotull tyre.
Ndaj, le të mos ngurojmë që t’u themi fëmijëve se, nëse ke një zemër të ndjeshme, nuk është dobësi, por është forcë për të kuptuar. Le t’u themi me forcë fëmijëve tanë se, të kesh sa më pak rroba në trup, nuk do të thotë se je i hapur ndaj të tjerëve.
…Ata kanë nevojë për ne dhe, duhet të jemi ne të parët që duhet të kuptojmë se, për çdo gabim të tyrin, kemi dhe ne pjesën tonë të fajit!
*Titulli i origjinalit: “Ata kanë nevojë për ne!”
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM BAÇI: SI ËSHTË E MUNDUR QË TI QESH, JE I GËZUAR, KUR NUK KE PARATË QË KAM UNË?
Nga Agim Baçi
“Si është e mundur që ti qesh, je i gëzuar, kur nuk ke paratë që kam unë?”.
Kështu më pyeti shumë vite më parë një njeri i pasur, me të cilin isha bashkuar në ëndrrën e tij për të ndërtuar një televizion.
Pyetja e tij ishte sa për të qeshur, aq edhe për t’u menduar gjatë. Megjithatë, në atë kohë, isha i ri, dhe pyetja e tij vetëm më bënte të qeshja. Mbaj mend se i thashë, “Në Tiranë ka shumë njerëz që nuk duan as t’i kenë paratë e tua, e jo më të shqetësohen që nuk i kanë.
Ka shumë nga ata që janë të lumtur duke pasur një familje të mirë, miq të mirë, të jenë të qetë dhe të kenë kënaqësi në atë që bëjnë në përditshmërinë e tyre.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult