Cecilia Resio: Krejt burrave

mendoja
Foto ilustrim

Poezi nga Cecilia Resio

Sa të hijshëm janë
kur mbështillen nën palltot e tyre
dhe ecin me ngut,
kur prekin mjekrën
humbur në mendime,
kur rruhen duke shtrembëruar gojën, rrudhin hundën,
priten dhe nëmin në pasqyrë.
Sa bukur kur ndreqin diçka
dhe nuk ia dalin e duhet t’ ia dalin,
kur shfaqin kokëfortësi,
kur na sodisin tinëz,
kur na vështrojnë
dhe i shumëfishojnë sytë gjithkund,
kur qeshin me të madhe,
kur gatuajnë dy vezë dhe përdorin tetëmbëdhjetë tenxhere,
kur të bëjnë një dhuratë
dhe ndihen në siklet,
kur gënjejnë dhe kjo duket sheshit dhe kur janë të sinqertë
dhe nuk duken të tillë,
kur nuk i kuptojmë
dhe menduan se ishte e lehtë,
kur kanë uri dhe gjithçka tjetër mund të presë,
kur janë të ndjeshëm
ndaj pemëve dhe gjetheve,
kur mbajnë në krahë
si vezë të ëmbla një të sapolindur,
kur luajnë,
kur i hedhin sytë një gruaje tjetër dhe më pas thonë:
“Ik, se s’ dua t’ ia di për ty”,
kur janë të përmbajtur dhe ne mendojmë se janë të turpshëm,
kur janë të pafytyrë dhe ne mendojmë se nuk janë dhe,
në të vërtetë, janë,
kur thonë “të dua” nën zë,
kur janë të ndezur
dhe hiqen se po të dëgjojnë
duke të buzëqeshur larg e larg,
kur humbasin durimin
dhe e rigjejnë prapë si të ri.
Sa të hijshëm kur shijojnë
si sanë, pudër, duhan,
sa të hijshëm kur flenë të zdërgjarë
dhe duken si të rënë nga kati i njëzet,
kur këndojnë,
kur heshtojnë të rrethuar
nga tela me gjemba,
kur hamendësojnë,
kur na befasojnë.
Sa të hijshëm kur të vështrojnë
e ndjen se janë gati të të puthin.
Sa të hijshëm burrat
me veprimet dhe ecjen e tyre!

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult


Lexo edhe:

CECILIA RESIO: ËSHTË NJË FËMIJË QË QAN…

Nga Cecilia Resio

Është një fëmijë që qan. Ajo e qara që bëjnë të sapolindurit, e ritmuar dhe pa ndalesa të dukshme, për të grishur të ëmën në detyrën e mëmësisë.

Sjell ndër mend kur u ktheva prej shtëpisë së lindjes, mora një taksi, me Sofinë mbështjellë me një batanije thurur me grep dhe e vështroja siç soditet qielli, natën, kur je në një pyll.

Ndjeva marramendje teksa shikoja një nga një yjet e saj: sytë, duart, veshët, ballin dhe mandej e nuhata.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult