
Poezi nga Erica Jong
Njoha fuqinë perandorake të sekretareve
dhe mospërfilljen solemne të mikpritësve,
e lashë veten të frikësohem
nga tavolina e punës
dhe makina e shkrimit,
nga nofulla e argjendtë
e makinës qepëse,
nga puthja e përjargur e ngjitësit të lëngshëm
dhe nga shtirësia e sheqerosur e çimentos
para se të thahet.
Kisha frikë të avitja buzët
te firoma e hupët e duhanit të telefonave,
tronditesha nga tmerri
prej muzikës së tyre tringëlluese të mesnatës
dhe e zeza e beftë e tyre,
madje, edhe nëse e bardhë.
Kisha frikë në ashensor
mes fërshëllimës prej atllasi të kabllove,
thuthimit të mëndafshtë të ajërpërshtatësve
dhe fletëzave helikë të freskoreve.
Kam parë kohën tek vritej në xhunglat burokratike
të një lufte të kurrëshpallur.
Frika ime u zvarrit nën gijotinën e letrave
dhe u zhvendos deri në rrethin arktik të ujrave të ftohta.
Frika më ndoqi edhe
kyçur në banjën e grave,
më ndiqte teposhtë
shkallëve të daljes për të papriturat,
poshtë deri te makina e taksës postare.
Pashë fytyrat e grave në zyrën e dërgesave postare
si letra të humbura të zverdhura në skaje,
dhe punëtorët e makinave fotokopjuese
duke u përzier përtueshëm
si dy togje letrash të çara te skajet.
Erdha të them se mbijetova.
Të sjell zinxhirë me kapëse letre, në vend të smeraldeve,
të sjell bileta llotarie, në vend të poezive,
të sjell ngjitës, në vend të dashurisë.
Shtrihem kundruall teje mbi tavolinën e punës,
flokët e mi lëshuar në një humbore pullash poste.
PËRPARËSI,
DËRGESË ME POROSI,
MOS E PËRTHYEJ.
Jam e hapur – do më lëpish si një zarf?
Më rrjedh gjak – do t’i puthësh gishtat e mi të lakëruar?
Ujdisi në shqip: Rielna Paja
ObserverKult
Lexo edhe:
ERICA JONG: KUR TË JEM NJË ZONJË E PLAKURT TE GRUAJA






