(Prej ciklit: Legjenda t’rrëfyeme… )
Nga Petrit Palushi
Uji i atij lumi, edhe pse i rrëmbyeshëm, nuk lëshon asnji zhurmë. Edhe zhurma e gjethes kur bje prej peme, ndihet menjëherë, ndërsa zhurma e ujit të lumit nuk ndihet kurrqysh. Dhe s’ka qysh me u ndje.
Drinin e Zi e kanë mallku.
Me nji mallkim t’randë, fort t’egër.
Ai lum, sikur asht mallku mos me ba za.
Thuhet se Drinin e Zi, qysh herët e ma herët, nji nanë, e kish mallku me gjithë fuqinë e shpirtit. Ai lum ia kish marrë jetën djalit t’saj t’vetëm.
Nana e vet e kish porositë vazhdimisht t’birin mos me u la aty.
Ia kish kujtu disa herë. Dhe qysh mos me ia kujtu! Se edhe emnin e kish fort të prapë: Drini i Zi.
…
Mu atëherë kur s’pritej ndodhi e pakujtuemja.
Nji ditë djali shkoi me shokët e vet me u la mu aty ku shkulmet e ujit qenë ma t’mëdha. Erdh një shkulm i madh dhe djalin e e përplasi dhe e çoi mu kah fundi i ujit. Por shokët e tij u treguen fort të shkathët dhe e shkëputën shpejt prej uji. Djali mori frymë thellë disa herë, por nuk u ngop sa duhet me frymë.
Megjithëse shpëtoi, djali prapseprap mbet i sëmundë.
Pati një dhimbje të fortë n’krye, sa vetëm shpirti i nanës së vet e dinte ma mirë se kushdo se ç’po hiqte djali i saj i vetëm. Nuk merrej vesh kur bante nji sy gjumë, natën apo ditën.
Djali e kish shpinë thuejse atyngjitmas me Drinin e Zi.
Sa dilte te dera, kur e shihte ujin e atij lumi bante hov t’madh e me ra drejt e n’të. Uji e tërhiqte në çdo kohë të ditës e të natës. Kur e shihte ujin, djali ndihej ma mirë, mbushej ma tepër me frymë, ndërsa nana e vet i rrinte pranë dhe lutej që djali me u shëndoshë sa ma shpejt.
Nji ditë, mu aty kah pika e drekës, te dera e kësaj shpie i ra derës nji grue, e cila kish do kohë që lypte bukë nëpër katund për dy fëmijët e vet.
E zonja e shpisë ia hapi derën.
-Mirse të ka pru Zoti! – i tha asaj. – E hajrit qoftë!
-Kam fëmijët pa bukë, – i tha lypsja zonjës së shpisë. – Kam ardhë me m’ba hall.
-Kësaj ia gjejmë ilaçin, – ia ktheu asaj. – Por un kam djalin me sëmundje t’keqe.
Dhe ia kallëzoi fije e për pe historinë e sëmundjes së djalit.
-Atëherë, edhe kësaj i gjendet ilaçi, – i tha lypsja.
E zonja e shpisë u këndell n’shpirt.
-Ka një ilaç me e shëndoshë kët fëmijë, – nisi me folë lypsja. – Një ilaç, bile fort të mirë.
Më pas i tha zonjës së shtëpisë:
-Merre nji tas me ujë të Drinit të Zi dhe jepja djalit me e pi. At gja duhet me e ba tri ditë rresht. Mu aty kah fundi i ditës së tretë, ke me pa se djali i ka me marrë vetin dhe ka me u ba shëndosh si kokrra e mollës. Por edhe pse ka me e marrë vetin, djali prap ka me e gjetë knaqësinë ma t’madhe vetëm kur luen me valët e atij lumi. Asnji gja tjetër nuk mundet me e joshë at djalë përveç valëve t’lumit.
E zonja e shpisë sikur u ba me krahë.
Bukën që kish e ndau përgjysmë me lypsen.
Më pas e përcolli gruen e vuejtun deri përtej oborrit t’shpisë.
-Zoti qoftë me ty! – i tha lypsja tek po ndaheshin. – Djali ka me e marrë vetin.
Tri ditë rresht nana e vet i dha djalit nga nji tas me ujë të Drinit të Zi.
Priti që kah fundi i ditës së tretë djali me e marrë vetin, por nuk qe e thanë. Pa mbërritë mirë mbramja djali vdiq.
Të nesërmen pa çelë drita mirë, nana e vet doli në breg të Drinit të Zi, dhe e mallkoi at lum disa herë:
-Dri, o Dri, t’u huptë zani!
Edhe t’nesërmen e mallkoi. Edhe t’mbasnesërmen.
Thuhet se qyshprej asaj kohë Drini i Zi nuk ka as ma të voglën zhurmë.
ObserverKult
Lexo edhe:
JORGE LUIS BORGES: LIBRI ËSHTË ZGJATIM I KUJTESËS DHE IMAGJINATËS!