Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja…

ndoc gjetja
Ndoc Gjetja - foto nga Kolec P. Traboini Athine, qershor ,1993

Epitaf për veten, poezi nga Ndoc Gjetja

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë

Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin në kolltuqe
e kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoji e hyri në manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
Pastaj e përcollën ne banesën e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbrame një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.

ObserverKult

———————–

Lexo edhe:

NDOC GJETJA: MË NË FUND U PLAKËM GRUA…

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.

*Titulli i origjinalit:”Pleqërishte

ObserverKult


Lexo edhe:

RUDOLF MARKU: NDOC GJETJA NUK ISHTE POET I VETMUAR E AS I BRAKTISUR….

Nga Rudolf Marku

Bëhen dhjetë vite që kur poeti Ndoc Gjetja ndërroi jetë.

Më kujtohet se si, plot dhjetë vite më parë, Preç Zogaj më dërgoi një tekst të shkurt: I dashur mik. Kam një lajm të hidhur për ty: Ndoci na la!

Ndoc Gjetja ka qenë dhe mbetet një poet që shquhet për ngrohtësinë e fjalës së sinqertë, për natyrshmërinë dhe shpirtësinë poetike dhe për zhdukjen e barrierirës mes fjalës së shkruar dhe fjalës së folur. Jo të gjithë poetët arrijnë ta bëjnë këtë! Ndoci shkruante në atë mënyrë si fliste dhe si mendonte në jetën e përditshme. Ai ishte krijuesi që jetonte çdo minut të jetës së vet, me poezinë.