Gjergj Jozef Kola: Atdheu siç e pashë unë!

Atdheu siç e pashë unë- nën kandvështrimin e pushtetit:
ARTI E POLITIKA

1.
PODGORICA
Në Montenegro sapo zbrita nga avioni Vjenë-Podgorica më doli përpara nji burrë i gjatë me nji letër të madhe në dorë e me nji emën po aq të gjatë mbi të: GJERGJ JOZEF KOLA!
Ishte shoferi i kryetarit të Komunës që kishte ardhë me e makinë me më marrë mue, modestin, poetin e shkrimtarin e ftuem si të tillë, në takimin KROI I TRABIONIT në Tuz.
Ndër të gjitha fluturimet e mija jam pritë nga familjarë apo miq e dashamirës e kjo ishte hera e parë e nji pritjes zyrtare gjaqë i bante letërsisë shqipe tana nderimet e meritueme.
Hoteli me katër yje gjindet përballë kodres legjendare ku Dedë Gjon Luli kishte ngritë për herë të parë flamurin e Gjergj Kastriotit e kjo i jep edhe ma shumë dinjitet takimit të poetëve shqiptare nga Diaspora, Shqipnia, Kosova e Mali i zi, të pregatitun në mënyrë aq dinjtoze nga shkrimtari e përkthyesi Nikolle Berishaj.
Për mu që kam shkru dramën mbi jetën e Ded Gjon Lulit, malësorit që i parapriu historisë kombtare, asht nji emocion i jashzakonshëm që me kallxon sërishmi se, JETA I SHKRUEN HISTORITË MA TË BUKURA.
Udhëtuem me makinë rreth 30 minuta në nji zonë malore derisa mbrritëm te KROI I FAMSHËM I TRABOINIT ku na priste kryetari i Komunës së Tuzit z. Nikë Gjeloshaj, nji malësor me burrninë legjendare të maleve e kulturën perendimore të gërshetueme aq mirë e bukur.

gjergj jozef kola


Sheshi i mbushun plot me dashamirës të poezisë e letrave shqipe më befasoi sepse ishte hera e parë që takoja dashamires të letërsisë që udhëtojshin 30 minuta me makinë për me marrë pjesë në nji mbramje poetike…
Darka me gatimin tipik të malësisë, me „FLI“ ishte fantastike e më solli prep edhe në tryezën e motrave e vllazënve shqiptarë atë gërshetimin në mes të traditës së Malësisë e kohëve moderne, gërshetim ky që kisha kohe që i merrja erë në ajrin e mbushun me nji frymë të mirë, plot kulturë e mirësjellje…
TV-ja lokale i bani jehone aktivitetit poetiko-letrar e njoftja ime me legjendën e TV-së shqiptare në Mal të zi, Fran Camaj ishte edhe nji emocion tjetër i jashtzakonshëm, se më kujtoi rininë kur zotni Frani, shkrimtari e poeti jepte lajmet në gjuhën shqipe e dënonte diktaturën gjakatare enverhoxhiane tue na mbushë me shpresë se ka edhe nji të vërtetë tjetër të madhe.
„Këtu malësoret janë njerëz pa hile, pa atë peshën e randë që ende vazhdojnë me e pasë malesorët tonë matane kufinit, në Shqipni,“, me tha nji poeteshë e re si shtojzovalle.
U falëm me shëndet me z. Nik Gjeloshej, Kryekomunarin, i cili ishte shëmbylltyrë e demokracisë, nisë nga ajo që 70 % e Tuzit janë shqiptarë, e nuk mundesh me gjetë diçka ma legjitime se kjo. Folëm mbi poezinë e letrat shqipe, ndeshëm gotat e vllaznimit e unë i thashë se na në Shkoder gjithmonë u kena thanë malësoreve të Malësisë së madhe. MALESORËT TONË!

2.
SHKODRA

Nadje heret, të nesërmen, vendosa me shku në qytetlindje.
Me kenë i ftuem në Mal të Zi e mos me shku në Shkodër asht nji mëkat kapital.
Rrugën kësaj rradhe e përshkruem me krenarine e poezise shqipe në Kosovë, shkrimtaren dhe menaxheren e artit, Donika Dabishevcin e ndërsa i biri voziste makinën, unë i përgjigjesha pyetjeve të saj pafundme mbi Mbishkodrën, të cilën e njifja mjaft mirë, gjeopolitikisht, zonën mbi të cilën asht shkrue edhe në romanin e parë shqiptar…
Lajmi i parë që mora nga masmedia shqiptare kur hina në tokën e shtetit shqiptar ishte fluksi i turistave perëndimorë që i ishte turrë Shqipnisë, gjaqë me la nji shije të keqe, si ato të lojnave piramidale të Sali Berishës, të cilat do të shemben menjiherë në mbingarkesën ma të parë.
Shqipnia i ka kushtet për nji turizëm egzotik, porse ajo asht shume larg, turizmit modern siç e njofin na në bote, turizmit në masë, mendova, ndërkohë që qeveria hidhej nga gëzimi e krenaria boshe, ma fort se kallamat pa bereqet në bregliqenit.
Ndërsa opozitezeza, mjerimi ma i madh i nji opozite demokratike në mbarë botën e qytetnueme të shekullit të 21, cfaqet në ekran, herë në pamjen e syve të sgurdudhuem të Berishes e herë në shikimin e lëbryem të Bashes, tek shajnë e shilojnë njeni tjetrin me dy shikime të pajetë e qytetnim, që ta ngrijnë zemrën kur mendon se në duert e kujt kanë ra fatet e kombit tonë…
„Ka mbi 500 vjet që regjizoret ma të paaftë në botë, vejnë në skenë fatet e popullit tim!“, thërret poeti në mu.
Në ditët që erdhën, rrugët në jug të vendit u banë ballë pak a shumë fluksit, gjaqë mund të ketë habit edhe vete Kryemnistrën italiane që erdhi për vizitë private (?) e ftueme nga Kryministri shqiptar po privatisht (?), gja e panjoftun kjo në perëndim, ndërsa rruga e famshme, klasikja 100 km Tiranë Shkodër që zakonisht bahet në 2 orë e gjysë, kaloi në gjendje sizifjane, në rreth 6 orë…porse kjo nuk e ndaloi pushtetin me anë të medias thuejse amatoreske të vazhdonte me hjedhë nji gur në ujë, për suksesin e tyne…
Rama me ecjen e tij prej Donald Duck, ishte i pranishëm gjithandej e stili i tij i keq, imitues, mishmash, në gjithcka që bante më kallxoi se sa këshilltarë të këqij kishte, ose ndoshta kishte vetëm vedin si të tillë.
Në Shkodër nuk i ra ndërmend kujt nga pushteti, sic nodhi në Mal të zi, se po vjen poeti apo shkrimtari që na nderon në botë, porse kjo nuk më trazoi fort se unë e dija që ato pak shkrimtarë që ka pasë qyteti ishin largu në bote apo në Tiranë e ata që kishin mbetë ishin vetëm disa sahanlëpirësa të pushtetit që „rrujnë pare“ antologjinash vjershëtoro-bejtaxhij në standarte e tue mos pasë të përbashkët me mu asqë e morën mundimin me u taku.
Në Vjenë kam shikim e kjartë depërtues nëpër qytet e në Shkodër e pashë se ky shikim turbullohej që në takimin e parë, sepse nuk ishte e thjeshtë me përceptu se si njerëz e makina ecin dorëpërdorë nëpër rrugë e se si trotuaret janë të mbushuna me materjale tekstile porse edhe ushqimore e shitblehen e për nji koncept rregullues të shtetit ligjor nuk bahej fjalë.
Fryma e keqe, postkomuniste ndihej gjithandej, megjithë pushtetin e djathtë 30 vjeçar. Hija e randë e z. Ademi dhe ajo sadopak e lehtë e z.Spahija varej gjithandej nëpër qytet e prania e kryebashkiakut të ri z.Beci ishte ende vetem nji mirazh gri në horizont…
Teatrot dhe institucionet e marrë peng nga tallavaja e korruspioni, me vite tashma, as që ua kishte „heq kush nji ashkël“, e vazhdojshin me kunderbu njilloj në plogshtinë vetplotësuese.
Shkova në Bashkinë e qytetlindjes me kërku takim me z. Beci, kisha dëshirë me e njoftë personalisht, së paku me i ba nji portret të thjeshtë, me hjedhë nji urë me Diasporen, sic kam ba edhe me z. Ademi apo z. Spahija, të cilët mjerisht e kanë refuzu me heshtje, porse më thanë se „kryetari nuk ishte atypari“ për aresye që nuk i mora vesht.
Porse unë jam mësu mos me u dorëzu para institucioneve e prej aty shkova në shpinë austriake në Shkodër, në Konsullatë dhe konsulli austriak në Shkoder, Herr Gjergj Liqejza, la pushimet në Velipojë ku ishte me familje e erdhi e hapi dyert e më tregoi nji ambjent që nuk i len mangut asnji institucioni austriak e për ket ka vetëm përgëzimin tem. Për ket temë kam me shkru ma gjatë në nji refleksion tjetër dygjuhësh…
Në darkë në Gjuhadol pashë diku edhe nji deputet të qytetit, porse nuk njifeshim personalisht e dëshira me na prezantu dikush nuk u rrealizu, se në Austri ti mundesh me shku në zyrë të presidentit në takim porse nuk mundesh me i folë në ambjente private asnji pushtetari, se ky asht elementi i parë i qytetnimit.
Në Shqipni ndryshe prej botës, sidomos prej Austrisë, nëse i afrohesh nji pushtetari si artist apo shkrimtar, të merret si shenjë lëmoshe.
„Me i ra shkurt“, sic thotë Shekspiri shpesh në veprat e tij, në Shqipni raporti mes politikës dhe artit, sidomos letërsisë ka qenë nji raport përdhosës, pushtënues e kjo kallëxon edhe vdekjen sot të stileve në art e letërsi të kombit tonë. Mjafton me pa se shkrimtari ma i njoftun shqiptar në botë asht asht edhe sahanlëpirësi ma i madh i pushtetit shqiptar në vend.
Drama ime Requiem për Musine Kokalarin mori diplomën e festivalit europian në Vjenë me firmën e presidentit të Austrisë, porse unë nuk njof nji president shqiptar të jetë marrë ndonjihere me artin e letërsine, ta ket marrë atë nën mbrojtje, anipse si enver hoxhë lumpeni e deri te Bajram Begaj, doktori ushtarak, mbajnë ende grada ushtarake.
Në etjen e tyne të përbindshme për pasunim të pafre, pushtetari shqiptar gjithmonë e ka pa me përbuzje e nënçmim artin e letërsinë, pa e dijte se arti e letërsija janë vetë përjetsija e cila si për mirë ashtu edhe për keq i skalit ndër shekuj ata…
Musine Kokalari ishte simbioza e mrekullueshme e politikanes dhe shkrimtares, prandaj diktatura e arrestoi të parën dhe e mbajti në burg e internim gjatë gjithë jetës së saj. Ajo sot kishte 40 vjetorin e vdekjes e askush nga pushtetarët nuk e përkujtoi e Requiemin për te e cfaqem ne në ambjentet e katedrales ma të madhe në Ballkan, asaj të Shkodrës.
Famullitari i Katedrales, dom Vlashi, nji meshtar që rrinte me plot kuptimin e fjalës 24 orë në shërbim të njerzve, pa asnji shpërblim, në rastin konkret hapi dyert edhe për politikanën e shkrimtaren shqiptare, ikonën e demokracisë shqiptare në nji akt të naltë qytetnimi e kulture.

3.
LEZHA

Në Lezhë shkova me tërhjekë çmimin At Gjergj Fishta të vitit 2021, për romanin MARIE TUCI të akorduem nga nji Juri në të cilën bajshin pjesë nji ish. krymenistër e dy ish ministra shqiptar.
Bashkia e Lezhes ndodhej krejt afër e prekej nga hija e bazilikës së Shen Kollit ku gjindet edhe streha e fundit toksore e njeriut që na dha identitetin arbnor e shqiptar, Gjergj Kastriotit, prandaj nuk kisha si të mos ndalesha nji minut në heshtje përpara këtij burri të madh të shtetit arbnor.
Kur hyna mrendë në bashki, ndjeka të njëjtën mënyre sjellje sic baj edhe në Vjenë, shkova te sporteli ku shkruhej Informacion e kërkova zyrën përkatëse për tërheqjen e çmimit.
„Ah, pyesni policin aty te dera“, me thanë zonjat e informacionit?
„Jo,“ u thashë, „unë nuk guxoj.“
„Pse“, me panë ato si Alie.
U shpjegova se polici asht aty me qëllimin fisnik me mbrojtë jetën e rregullin e insititucionit e nuk mund ta shqetësojme me pyetje të tilla informuese, ndërsa ata më qeshën miqësisht e më thanë ta provojshe nji herë e në fund doli sic thanë ata e polici u kallxu mjaft i gatshëm me më kallxu se ku ndodhet zyra, gjaqë kishte me e habite tanë policine vjeneze që ruen institucionet.
Tri zonjat e zyrës së bashkisë së Lezhes, në fillim luejten të paditunën, në lidhje me cmimin tim, fundja unë nuk kisha nji konto bankare e shuma nuk mund të jepet në dorë, më thanë e unë u përgjigja se as Ricky Martin apo Enrike Iglesias nuk kanë llogari në Tiranë e pra e kanë marrë honorarin prej 1 milon euro porse ata vazhdojshin me ngulë kambë në të tynen, se fundja unë isha nji shkrimtar lokal e jo kangtar ndërkombtar, derisa unë si librim të fundit përdora fjalën magjike, alla Herry Poter:
„Më tregoni ku e ka zyrën Pjerini se shkoj e marr atje cmimin.“
Ata u shpupurishën menjiherë e më thanë se „kryetari nuk është këtu“, se nuk kisha pse me e shqetësu z. Ndreu, e se bashku kishin me e gjetë nji zgjidhje.
Dëshira ime me u ndeshë me nji pushtetar të demokracisë nuk u realizu, porse për fat u gjet emni jem në listën e fituesve ndër vite, strukë në memorien e komputerit të bashkisë së Lezhës:
„Ju do merrni shumen e 50 mije lekëve, Z. Kola“, më tha nji nga zonjat me nji ton tashma plot edukatë e mirësjellje.
„Ah, për 50 euro nuk kisha marrë rrugën e ua kisha falë bashkisë…“, ja ktheva tue mendu ket eksperiencë plot tension.
Ajo më shpjegoi tanë vrull, se nuk ishin 50 euro, porse 50 mijë lek ishin të barabartë me 500 euro, e në kët rast ia ktheva se ja paska vlejtë rruga me ardhë.
U ndava nga Lezha, qyteti ku pushtetet jetojnë ende nën hijen e Kastriotit shekullor aty afër e të z. Ndreu të përkohshëm e mendova se nuk mund të kishte nji frymëzim ma të mirë pune për nji Kryebashkiak se sa kur dritarja e zyrës tande bjen karshi me dritaren e Atit të kombit.
U ktheva për në Shkodër me nji frymë pozitive që më la qyteti miqësor i Beslidhjes arbnore.

4
Einmal Shkodra und zurück.

Në Shkoder, në krahasim me Vjenën, ora ecë krejt ndryshe megjithse janë te dyja në të njëjtën hemisferë. Pritja e pakuptim para diçkaje apo dikujt që asht krejt e natyrshme në Shkodër, në Vjenë asht e paimagjinueshme.
Imagjinoj sikur po pi kafe në pedonale e vjen nji makine zjarrfiksi pa targë e shoferi zbret e ulet aty afër. E thërrasin në telefon e ai i pyet se ku ka ra e sa i madh asht zjermi. Mbas nji bisede të shkurtë ai i deklaron solemnisht, se nëse zjermi nuk shuhet mund me ardhe ai sa të mbarojnë kafen….
Kjo ma forcon bindjen se në vendet ku shkova, vetëm 4 institucione punojnë 24 orë pa u ndalë: Bashkija e Tuzit e Nik Gjeloshajt, Konsullata austriake ne Shkoder, e Gjergj Leqejzes, Katedralja e Shkodrës e Dom Vlashit dhe TV-Shkodra e Marjos e Arjolës.
Sidokjoftë, çfaqja jonë në sallën prestigjoze dom Mikel Koliqi, kompozitori e ingjinjeri, vëllai i shkrimtarit e ministrit të arësimit Ernest Koliqi, ishte nji sukses mjaft i kandshëm.
Prania në sallë e disa legjendave të kulturës shkodrane e mbarëkombtare, më tregoi fisnikërinë e qytetit tim.
Përballë mejet ishte kompozitori Zef Coba që kishte ardhë prej freskisë së Razmës ku ishte për pushime, në Shkodrën e nxehtë me rreth 30 grad.
Në njenin krah në skenë afër mejet ishte multiartisti Frederik Ndoci që kishte lanë pushimet në Velipojën plot detë e freski me ardhë në ket koncert simbolik, honorifik për figurat e kombit shqiptar.


Në krahun tjetër ishte aktori e regjizori Zef Ndoja, i cili megjith momentin e veshtirë që po kalon në familje, gjeti forca me hypë në skenë, gjaqe kallxon nji karakter të fortë të shkodranit.
Kur në mbyllje të cfaqjes u cfaq në sallë edhe legjenda e teatrit, kangës e filmit shqiptar, Justina Alia e cila kishte ba 5 orë (?) me ardhë nga Tirana për në Shkodër, atëhere e kuptova se fryma hyjnore e kishte mendu mirë me qytetlindjen tonë, me qytetin jo vetëm të fillesës së jetës time, porse me qytetin e zanafillës së mbarë kombit shqiptar.
Na sot vendosëm nji shenjë në qiellin e Shkodrës, nji gur në murin e kalasë, anipse pushtetaret nuk e morën mundimin me ardhë, megjithse famullitari së „Zojës së Shkodrës“, famullisë së zemrës shkodrane në botë, dom Vlashi i kishte lajmëru të gjithe në Murin e tij në Media Sociale.
Kur u ktheva për në kufi, në Hot, pjesa e malit nga ana e shtetit shqiptar ishte pa pemë, ndërsa pjesa matanë plot me pemë, megjithse ishte i njejti pyll shqiptar, megjithse në të dy anët jetojshin vllaznit e nji gjaku.
Zbrita nga makina u fala me shëndet me vllanë, Gjonin e ndërsa po kalojshe në kambë në anën tjetër ku po më priste makina e Komunës së Tuzit mendova se pushteti malazez nuk i kishte pre pemët andej, ndërsa zona e parë operative e enverhoxhës e mehmetshehut i kishin djegë krejtësisht pyllin në anën tonë, per me identifiku malesorët që kalojshin sa kendej andej, në tokën e tyne arbnore.
Kur njeriu e shef ket pyll gjysa të djegun e gjysa të bleruem, atëhere edhe konceptet që ke pasë deriateherë për shtetin, politikën, të ndryshojnë, të turbullojnë e ti nuk e di ma se kush janë të huej, ata që e kanë ruejtë pyllin apo ata komunistat e zonës së parë që e kanë djegë.
Kush e ka lexu romanin e parë shqiptar, „Shkodra e rrethueme“ te Ndoc Nikës i gjen paralelet e fuqishme në mes të pushtuesin osman të para nji shekulli dhe atij postkomunist të sotëm, të cilët janë anmiqtë kryesor të kulturës autentike shqiptare në pergjithsi e asaj shkodrane në veçanti.
Kur mbrrita në aeroport e ndjeva prep atë frymën e mirë që lëshojshin shqiptarët e Malit të zi, Malësorët tonë, të cilët kishin arritë në kët bashkjetesë me malazezët, me e ruejtë burrninë e karakterin legjendar të malësorit e njiheresh me zhvillu sjelljen e mënyrën moderne të jetesës.
Natyra na mëson vazhdimisht se origjinalët mbijetojnë e jo hibritet e nganjiherë ajo mbledhe poetët për me na e kujtu ket urtësi, sic bani Tuzi fisnik i malësorëve tonë.

Gjergj Jozef Kola
Vjenë, Gusht, 2023

PS.
Ky asht kandvështrimi i lidhjes se pushtetit me artin në vendlindje.
Se shpejti edhe Shkodra ne kandvështrime te tjera, në raporte të tjera, si Shkodra dhe ekonomia, Shkodra e infrastruktura, Shkodra e Kultura, Shkodra e letërsija….

ObserverKult

Lexo edhe:

GJERGJ JOZEF KOLA: DASHUNIA JONË NUK KA TË NGJASHME…

GJERGJ JOZEF KOLA: SHTETI SHQIPTAR KA VEÇ NJI INTERES: FASADËN

GJERGJ JOZEF KOLA: ME KENË SHKRIMTARË DUHET ME PASË MBI TË GJITHA: NJI SHPIRT…