“Pse Konica shkroi me pseudonime”/ “Testamenti” i Jeronim De Radës për arbëreshët dhe “kushti” i tij për të vizituar Shqipërinë…

doto faik konica mjeshtri i penes
Faik Konica

Nga Ndriçim Kulla

“Nisje dhe themel për çdo dituri është gjuha, e cila, në të njëjtën kohë, mban të gjallë edhe kombësinë e shtrenjtë të popujve.

Shtetet shkatërrohen e zhduken; trojet e lashta të disa fiseve zihen nga fise të tjera që vijnë më vonë.

E vetmja që e shquan dhe e bën të njihet një popull kudo ku mund ta kenë hedhur dallgët e jetës është gjuha”.

Kështu shkruan De Rada në një nga veprat e tij më të arrira “Parime të Estetikës”, ku ai bart idetë dhe shqetësimet e tij më autentike, iluzionet dhe thellimet më teoriko-estetike e filozofike.

“Çdo gjuhë mund të quhet edhe shpirti i ndjeshëm i popullit që e flet. Vetëm gjuha njerëzore pasqyron plotësisht gjendjen e brendshme të shpirtit, sepse fjalët, pa humbur kuptimin e përcaktuar, shprehin fizionominë e thellësinë e shpirtit”.

Me këto fjalë, De Rada shkruan jo vetëm testamentin e tij estetik duke iu drejtuar arbëreshëve, por duke pasur parasysh edhe lexuesin italian dhe evropian, me sytë e kthyer gjithnjë drejt atdheut të vet të humbur, përtej Adriatikut.

Tërë kozmopolitizmin dhe mediteranizmin antik do ta derdhë në librin “Parime të Estetikës”, vepër që është mbështetur në përvojat më të qëndrueshme dhe më të njohura të estetikës, artit dhe letërsisë botërore.

Vlerë të veçantë, të dorës së parë, kjo vepër me karakter teoriko-estetik ka edhe për funksionin dhe misionin e theksuar pragmatik, të kërkojë zgjidhje të çështjeve themelore nga jeta e arbëreshëve, veçmas në drejtim të identitetit, të gjuhës dhe lashtësisë, të dëshmojë përkatësinë arbëreshe brenda familjes së madhe evropiane, afërsinë e saj me kulturën dhe lashtësinë antike europiane.

Në këtë libër, që është i fushës teorike shkencore, fryma testamentare jepet drejtpërdrejtë dhe përjashton çdo shteg për hamendësim.

Nuk ka dyshim se Jeronim de Rada në këtë vepër, bashkëvendësve dhe bashkëkombësve u përcjell porosi të përhershme, pra të përjetshme, të tillë çfarë është edhe vepra e tij, porosi për origjinën, për rrënjët e etnisë dhe të kaluarën e lavdishme, për atdheun e të parëve, për gjuhën, gjuhën sidomos që ka bartur dhe ruajtur shpirtin arbëresh gjatë shekujve, veçmas përmes poemës për Skënderbeun.

Dhe, siç thotë vetë Jeronim de Rada, të gjitha ato që e përbëjnë, që janë qenia, etnia, t’i kenë të shenjta.

Kapitulli i tretë i kësaj vepre, e pjesërisht edhe ai i fundit, si shtyllë parësore kanë këtë mision.

Ajo që duhet veçuar nga ky kapitull është analiza që i bën De Rada ndjenjës së patriotizmit, si një ndër veçoritë madhore të njeriut që e çmon edhe si manifest të bukurisë, të përsosmërisë.

Porosia që rrezaton nga kjo pjesë e estetikës është objektivi dhe ëndrra që shtrihet në krejt rrugën krijuese dhe jetësore të de Radës. I shqetësuar që të mos e lërë në harresë te bashkëkombësit e vet origjinën dhe rrënjët e të parëve, për ta bërë të përjetshme, për ta ngritur në këtë lartësi ideale ndërgjegjen kombëtare në botën shqiptare arbëreshe.

Rrezatimi i këtij misioni përmes teksteve që ai shkruan ndryshon vetëm gjuhën dhe diskursin. Te parimet estetike, porosia vjen si një komunikim saktësisht i qartë përmes tekstit diskursiv, të cilin de Rada e shkarkon nga kornizat e rrepta të parimeve, të kodeve.

Prandaj shumë kapituj dhe nënkapituj, por edhe pasuse të kësaj vepre, herë thuren me gjuhën e esesë, herë me ligjërimin bisedimor të llojit “unë mendoj se të bukurit” ose “unë jam i bindur se dashuria për atdheun”, ose “unë them se e madhërishmja etj”, me çfarë Jeronim de Rada dëshmon se dijen nga kjo sferë e ka përvojë, e ka formim jetësor, e ka bindje të brendshme, e ka perceptim të vetin jetësor dhe kulturor.

Diskursi personalizues përballë disa parimeve estetike, përballë disa kategorive si e madhërishmja, e bukura, dashuria, heroikja apo trimëria, rrezaton një shpirt dhe mendje të madhe kreative, që le gjurmë të vetën kudo vë dorë.

Parimet e estetikës nuk është tekst që vjen vetëm nga një ekspert, nga një specialist i një fushe për shërbime praktike shkollore, por vjen nga një dije, nga një perspektivë krijuese që merr dhe jep njëkohësisht.

Nga kjo lartësi e mendimtarit dhe misionarit, Rada do të vërë në lidhje dashurinë, të madhërishmen, bukurinë, si kategori të dijes së estetikës dhe filozofisë, me dashurinë për atdheun, për motin e madh, për gjuhën në hapësirën shqiptare arbëreshe, dashuri që do të rrezatojë dhe shtrihet mbi tërë hapësirën shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Dhe, në këtë mënyrë “ai i ngre kategoritë atdhe e gjuhë në dhunti njerëzore dhe në parime të shenjtë”.

Në kapituj të tërë të kësaj pjese të estetikës duket sikur kategoritë e kësaj fushe si e bukura, e madhërishmja, trimëria, heroizmi, mirësia janë dhurata qiellore, thuajse të shenjta për autorin, që është paracaktuar t’i identifikojë me dashurinë arbëreshe për origjinën, e sidomos me rrënjët antike të shqiptarëve; t’i identifikojë me dashurinë e ngritur në adhurim shenjtëror për atdheun e të parëve, e veçmas me gjuhën dhe historinë, me figurën e Skënderbeut dhe bëmat heroike të tij, t’i identifikojë ato kategori estetike me ciklin epik, monument madhor i gjeniut shqiptar arbëresh, i ruajtur në kujtesën arbëreshe katër shekuj me radhë, t’i barazojë ato me tërë atë që është shpirti dhe urtia arbëreshe: fillimi e themeli i çdo diturie është gjuha që popujve u mban gjallë kombësinë e tyre të shtrenjtë.

Jeronim de Rada beson që gjuha shqipe, pra, gjuha e bashkëkombësve të vet, është në sërën e gjuhëve më të zhvilluara të Europës, mbase superiore edhe përballë asaj italiane, greke, e mbase edhe asaj latine: për rrënjët e veta antike, thotë De Rada, por edhe për thjeshtësinë e saj me të cilën është e zonja të shprehë nuancat më bujare.

Entuziazmi dhe bindja për këtë mundësi të veçantë shprehjeje vinte edhe nga besimi i De Radës se rrënjët antike të shqipes datojnë që nga pellazgo-ilirët dhe De Rada njësoj si edhe Skënderbeu i paracaktuar në fushën e betejave për çlirimin e atdheut, edhe ai qe i ardhur për ta vazhduar luftën e madhe pas humbjes së madhe që beson se e tillë e madhe ajo është humbje edhe për Europën.

Dhe krejt çfarë thuhet në veprën “Parime të estetikës”, në të vërtetë është një thirrje për njohjen, për ruajtjen dhe për mostretjen e gjuhës shqipe dhe shpirtit shqiptar dhe arbëresh.

Për ta përballur këtë tezë apo vizion testamentar me idetë e një tjetër korifeu të gjuhës shqipe, Faik Konicës, disa dekada më vonë, do të duhej të trajtonim edhe çështjen e shumë-debatuar të identitetit shqiptar. “Problemi i identitetit individual ose kolektiv është mjaft kompleks, delikat dhe shumë domethënës.

Në botën e sotme nuk ekziston identitet kombëtar që nuk i është nënshtruar një kontinuiteti evolutiv. Identiteti i shqiptarëve nuk bën përjashtim në këtë proces dialektik.

Duke marrë parasysh se bota e brendshme e njeriut reflektohet në mënyrë eksplicite edhe në kujtesën kolektive, se identiteti, në fund të fundit, mund të konsiderohet edhe si proces i vazhdueshëm në krijimin e konceptimit të ideve asociative, që në mentalitetin tonë i pranojnë vlerat e se kaluarës, ndaj, jo rastësisht, vjen e bëhet bashkë lidhja e identitetit të menduar nga ana e dy korifenjve të lartpërmendur të letrave shqipe”.

Së pari, ata nuk e konsideronin përkatësinë etnike si një lloj fitore, kërkim të fitoreve, apo si rezultat i humbjes.

Nëse ekziston ndonjë triumf në jetën e tyre, ai është triumfi i humbjes. Gjithë jetën e kalojnë nëpër paradokset e ekzilit absolut larg vendit të tyre, në kërkimin të rrugës së kthimit, secili prej tyre krijon fragmentet e identitetit letrar.

Shumë përgjigje aktualizohen sot, kur ne shqiptarët akoma gjendemi para miteve të së shkuarës dhe aspiratave të botës së sotme të globalizimit dhe integrimeve, duke kërkuar shpëtimin në mitizime të reja, me animin nga Evropa ose nga Lindja.

Jeronim de Rada dhe Faik Konica i kanë sistemuar dhe konceptuar përgjigjet e tyre që në shekujt XIX dhe XX. As De Rada, as Konica s’kanë qenë peng, të kufijve dhe territoreve shqiptare, por veprimtaria e tyre e imponon filozofinë e mërgimit.

Edhe veprat dhe veprimet e tyre s’kanë qenë të ngarkuara prej horizontit të kufijve.

Jeronim de Rada s’ka qenë kurrë në Shqipëri, kurse Faik Konica, prej 65 viteve të jetës, 60 i kaloi jashtë vendit të lindjes.

Të dy e kultivojnë mitin e kthimit: Jeronim de Rada besonte se kthimi mund të ndodhte vetëm nëse mbrohej identiteti i arbëreshëve në tokën e huaj, si antitezë e heshtjes dhe diskontinuitetit të kulturës, gjuhës, letërsisë shqiptare të shekujve të humbur.

Edhe Faik Konica, me instrumente gati të ngjashme me ato të De Radës, e kultivoi mitin e kthimit.

Në kohën tonë aktualizohen tezat për karakterin evropian të identitetit të shqiptarëve, por sikur harrohet se procesi i evropianizimit nuk është gjë e re te shqiptarët, sepse ai i ka pasur për protagonistë autorë si Jeronim de Rada, Faik Konica dhe Rilindësit tjerë.

Në këtë drejtim, njësoj si rilindësit tjerë: Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri…, për të dëshmuar lashtësinë e popullit shqiptar dhe gjenezën evropiane të tij dhe të gjuhës shqipe, e shtjellojnë tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve, të proklamuar nga arbëreshët qysh në shekullin XVII.

De Rada dhe Konica do ta kultivojnë, secili në kohë dhe rrethana të caktuara, edhe mitin e kthimit të gjuhës shqipe.

Për të dy kolosët, çështja e gjuhës, me të gjitha amplitudat e mundshme do të mbetet çështje obsesive, rreth së cilës do të shtjellohen angazhimet tjera letrare ose shkencore.

Gjeneza e formimit të mitit të gjuhës shqipe, gjer atëherë të ndaluar nëpër shkolla, ishte e para që duhej ringjallur.

Duke qenë të dy me kulturë të thellë evropiane, secili sipas kushteve dhe rrethanave të caktuara, do ta kenë të qartë se misioni i kthimit mund të realizohet.

De Radës së pajisur me kulturë italiane i shkoi për dore të ofrojë një model të kodifikimit të arbërishtes, që mund të konsiderohej edhe si kodifikim i parë i shqipes.

Këtë e arriti me veprat e tij monumentale “Këngët e Milosaos” dhe “Skanderbeu i pafanë”, në një kohë kur shqipja ishte larg mundësisë së kodifikimit, për shkak të kufizimeve të hegjemonisë osmanturke.

Faik Konica që braktisi studimet në liceun Galatasaraj të Stambollit (edhe pse në gjuhën frënge), duke dashur të distancohet prej modeleve osmano-turke të mendimit, vazhdoi shkollimin dhe aktivitetet e veta në Francë.

Poligraf dhe poliglot, si shumë Rilindës të tjerë, ai e filloi në Evropë, betejën e madhe të ideve për t’i njohur dhe kuptuar shqiptarët, për ta universalizuar kauzën e tyre.

“Ky mision qe gati i pamundshëm për ato kohëra, njësoj si misioni i Jeronim de Radës, me të cilin ata e filluan dhe e mbaruan jetën e tyre.

Alibi e këtij flijimi ishte një lloj estetizmi evropian, karakteristik për të dy rilindësit, secili pjesë e një dikotomie të mundshme në kërkim të identitetit të shqiptarëve pas ndarjeve historike, sidomos pas invazionit të Perandorisë osmane”.

Së këndejmi, “mund të thuhet se veprat e tyre, letrare, shkencore e politike të Jeronim de Radës dhe Faik Konicës, janë në kërkim të identitetit kompleks të shqiptarëve, duke u nisur prej labirintit dhe enigmës gjuhësore.

Ndryshe nga Faik Konica, De Rada ndjek rrugën dhe qëndrimin e vet ndaj estetizmit evropian. Dilemat e tij nuk janë si ato të dualitetit konician”.

Faik Konica një pjesë të identitetit të vet burimor do t’ia sakrifikojë identitetit evropian, do ta fshehë identitetin e parë, jo vetëm me pseudonimet, me të cilët i nënshkruante veprat e tij të shkruara për lexuesit evropianë me pseudonimet Phyruss Bardhyli apo Trank Spiroberg…, por edhe me miqësitë kosmopolite, me frekuentimin në qarqet avangarde të Parisit dhe sidomos me miqësinë dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me Gijom Apolinerin.

Është gati rast pa precedent në historinë e letrave që një shkrimtar ta fshehë me aq mjeshtri identitetin e parë me identitetin e dytë, jo me qëllim të eliminimit, por për ta theksuar identitetin e parë.

Ky është identiteti i gjuhës shqipe, fondamenti i identitetit të përgjithshëm shqiptar.

Në fillim të shekullit të kaluar, kur në Evropë promovohej një lloj mondializmi, prej autoriteteve të linguistikës së asaj kohe nisi të promovohet nevoja për dominimin e një gjuhe artificiale, si: esperantoja, golapuku…

Faik Konica, asokohe drejtor i revistës “Albania”, me mish e me shpirt, gati me penë te gjakosur, u inkuadrua në polemikë me autoritetet e mëdha të kohës dhe u pozicionua kundër zgjedhjes se esperantos, duke mbrojtur kësisoj gjuhët natyrore me histori mijëravjeçare, gjithnjë duke pasur në mendje shqipen, për fatin e së cilës luftonte edhe me Albanian e tij.

Kësisoj, ai ia doli t’i bëjë për vete tezat e shkrimtarëve të njohur të asaj kohe: Remi de Gurmonit, Gijom Apolinerit dhe të disa kolosëve të tjerë.

20 vite pas polemikës melinguistët e njohur evropianë dhe pas botimit të esesë “Sprovë për gjuhët natyrore dhe gjuhët artificial”, Faik Konica, në gazetën Dielli (18 nëntor 1922), që botohej në Amerikë dhe të cilën e redaktonte vetë, “do ta zbulojë sekretin e rinisë militante, do ta çlirojë personalitetin prej pjesës evropiane, duke shkruar: “Shqipja është një gjuh’ e gjallë; s’munt ta përdorim si esperanton ose volapukun, duke e shtrembëruar me ukaze arbitrare…

Një gjuhë është si një barishte: do shërbime delikate, që të mos thahet, po të rritet e të japë lule…”

Është me interes të shënohet në një kontekst evropian, se edhe teza të cilën e mbron Konica gjatë polemikës në Esenë (me te cilën pajtohej edhe Apolineri, duke synuar t’ua japë goditjen e fundit dijetarëve të esperantos), është aktualizuar në kohën tonë në librin e Umberto Ekos, “Gjuhët e përkryera”.

Eko vjen po në ato përfundime të Konicës, duke u dhënë përparësi gjuhëve natyrore. Edhe Jeronim de Rada edhe Faik Konica, pa pretendime që të shkruajnë vepra për lavdinë e tyre letrare, si rrallëkush në histori, i shërbejnë kauzës së njohjes, konfirmimit dhe kërkimit të rrënjëve të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe.

Nisma, qëllimi kryesor dhe euro-albanizmi i tyre do të jetë gjuha shqipe, gjurmimi i gjenezës së saj, mbledhja e trashëgimisë folklorike, vendosja e alfabetit, norma kyçe e kodifikimit.

Vizioni i De Radës dhe misioni i Konicës, edhe pse të shkruara në një hark kohor prej 41 vitesh, plotësojnë njëra-tjetrën me çështjet identitare, gjuhësore dhe letrare shqiptare.

Ata duken se janë dy anë të një medalje, që përplotësojnë njëri-tjetrin, një medalje që sot duhet ta pastrojmë, lustrojmë e shkëlqejnë të gjithë ata që duan shpirtin e kombit, gjuhën e tij.

Shënim

Pjesë e zgjedhur nga libri i autorit “Historia e Shpirtit Shqiptar”, pjesë e trilogjisë së zgjedhur “Historia e Mendimit Shqiptar” botuar në 2019 nga “Plejad”, “Historia e Mentalitetit Juridik Shqiptar”, botuar në 2022 nga “Plejad”.

Dhe “Historia e Shpirtit Shqiptar”, botuar në “Plejad”, që të tria së bashku plotësojnë një boshllëk shumë të madh në studimet dhe kulturën shqiptare./panorama.al

ObserverKult


doto faik konica mjeshtri i penes
Faik Konica

Lexo edhe:

JA ÇKA THOSHTE FAIK KONICA PËR FLAMURIN KOMBËTAR

Ideali i lartë i tij për ta mbrojtur dhe për ta bërë sa më të njohur flamurin tonë kombëtar, haset që me shkrimet e tij të hershme në revistën “Albania”, revistë që Faik Konica themeloi dhe drejtoi. 

Në shënimin “Flamuri kombëtar i Shqipëtarëvet” (“Albania”, 15 shtator 1901), pyetjes së një parapaguesi të revistës “Albania”: “A ka Shqipëria një flamur kombëtar?”, Faik Konica i përgjigjet, duke u bazuar në veprën e Lavardinit: “Historia e Gjergj Kastriotit i mbiemëruar Skanderbeg, mbret i Shqipërisë”. Kjo vepër është botuar frëngjisht, në Paris më 1621.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult