Në 1973, Jorge Luis Borges vizitoi qytetin e Meksikos. Shkrimtari argjentinas pati atje edhe një takim të shkurtër me presidentin e Meksikës, Luis Echeverría.
Disa muaj më pas, gazetari kolumbian Miguel Cantero e pyet Borgesin për përshtypjet e këtij takimi dhe ai iu përgjigj:
«Kurrë nuk e mora seriozisht. Por nëse ai është vërtet president, preferoj të mos imagjinoj qeverinë».
Borgesi i madh, në atë vizitë, u kërkoi të zotëve të shtëpisë një favor: «Dua të takoj shkrimtarin Juan Rulfo». Ata, të gatshëm për t’ia plotësuar dëshirën, i sugjeruan që të dy shkrimtarët të sëllinin së bashku. «Ju lutem, – u thotë Borgesi, – preferoj mbrëmjet. Mëngjeset më shkatërrojnë. Nuk i kam më as gjallërinë dhe as forcën për t’i dhënë ditës atë që meriton. Tashmë, gjatë muzgjeve ndihem më mirë. Dua vetëm të bisedoj me mikun tim Rulfo».
Të dy gjigantët e realizmit magjik dhe të “bumit latinoamerikan” u takuan dhe darkuan bashkë. Biseda e tyre, pak a shumë, ishte kjo:
Rulfo: Mjeshtër, unë jam Rulfo. Sa mirë që erdhët. Ju e dini sa shumë ju admirojmë dhe ju nderojmë.
Borges: Më në fund, Rulfo. Unë nuk mund ta shikoj një vend* , por mund ta dëgjoj atë. Dhe e dëgjoj me plot përzemërsi. Pothuaj e kisha harruar dimensionin e vërtetë të këtij zakoni të madh. Por mos më thërrisni Borges, dhe aq më pak “mjeshtër”. Më quani thjesht Jorge Luis.
Rulfo: Sa i këndshëm! Atëherë, edhe ju më thërrisni thjesht Juan.
Borges: Le të jem i sinqertë. Mua më pëlqen më shumë emri Juan se Jorge Luis. Emri juaj me katër shkronja është sa i shkurtër dhe domethënës. Një nga parapëlqimet e mia kanë qenë përherë gjërat lakonike.
Rulfo: Jo, jo. Në këtë rast nuk është ashtu. Juan mund të jetë kushdo, por Jorge Luis është vetëm Borgesi.
Borges: Si gjithmonë, jeni tepër i sjellshëm. Më thoni, si keni qenë kohët e fundit?
Rulfo: Unë? Për të vdekur, pothuaj, duke vdekur.
Borges: Domethënë, gjërat po shkuakan mirë.
Rulfo: Si kështu?
Borges: Imagjinoni, don Juan, ç’fatkeqësi do të ishte po të ishim të pavdekshëm.
Rulfo: Po, vërtet. Sepse mund të na kalojë një i vdekur këtu e të bëjë sikur është i gjallë.
Borges: Do t’ju tregoj një sekret. Gjyshi im, gjenerali, thoshte se nuk quhej Borges, se mbiemri i tij i vërtetë ishte tjetër, por ishte sekret. Dyshoj se quhej Pedro Páramo*. Atëherë, unë jam një ribotim i asaj që keni shkruar ju për Komalan.
Rulfo: Ashtu?! Tani mund të vdes seriozisht.
———————————
*Borgesi atëherë ishte gjysmë i verbër.
*Personazhi kryesor i romanit të Rulfos, “Pedro Paramo”
Përktheu: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
SALMAN RUZHDIE: BORGES HAPI CA DYER MAGJIKE NË MENDJEN TIME
Në historinë e njerëzimit, e shenjta ka qenë gjithmonë një mënyrë për të heshtur njerëzit. E shenjta do të thotë: “Ne e tregojmë historinë, jo ju”. Dhe nga ideja e së shenjtës vijnë inkuizicionet, ajatollahët dhe të gjitha ato gjëra. Toka nën këmbët tuaja është një roman i parespektueshëm sepse privilegjon fjalën e individit, autorit të librit, mbi zërin e të tjerëve.
Rilexojmë libra dhe na duken interesante sepse në to dhe në veprat e artit gjejmë zërin e krijuesit, i cili i përket vetëm atij.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult