Paqe me veten, për të kuptuar botën
(Shënime për romanin “Të martat me Morin” të Mitch Albom)
Nga Agim Baçi
Është më keq të vdesësh apo të jetosh i palumtur? Kjo nuk është thjesht një pyetje. Sepse nuk mjafton një përgjigje. Madje as disa. Sepse ajo ndan atë që e kupton apo nuk e kupton qenien e tij në këtë botë. Mitch Albom ka mundur të gjejë derën për disa përgjigje. Madje të rëndësishme, të dhëna prej një personazhi që arriti të japë leksione në kohën që vdekja i kishte dërguar mesazhin, e kish thirrur në apel. Por “ai i kërkoi kohë” sepse kishte disa gjëra për t’u lënë të tjerëve, jo thjesht nga jeta e tij e shkuar, por nga një realitet i ri.
Profesor Mori, një profesor shumë i njohur, merr vesh se ka edhe pak muaj jetë pasi vuan nga ASL, një sëmundje që nis të të rrëmbejë pak e nga pak çdo gjymtyrë deri sa “shpirti përfundon si në një kafaz”, siç e konsideron veten vetë Mori.
Por ai vendos ta sfidojë apelin që i ka dërguar Vdekja. Jo se ka frikë. Në asnjë çast ai nuk flë në shtratin e frikës. Jo se nuk e do jetën. Ai është nga ata që ka ditur të shijojë çdo çast. Kjo e shkuar e bënë atë të guxojë e të flasë “nga dritarja e re e fatit”.
Dhe vendos ta bashkëndajë me personin të cilin e shihte si një sfidë për të ardhmen e tij që kur ishte student. Dhe ashtu siç vjen Miç, vetëm për ta takuar një herë, sepse ishte një gazetar i zënë me punë dhe kohën e kishte “me pikatore”, e që mbetet ashtu deri në grahmën e fundit të frymës, ashtu edhe lexuesi, mbetet “peng” i rrëfimit faqe pas faqeje, duke u vënë përballë vetvetes. Sepse nuk ke asnjë shans të neglizhosh një porosi të tij:
“Nuk duhet të falim vetëm të tjerët, por kemi nevojë të falim edhe veten tonë.
– Veten tonë?
– Po, për të gjitha gjërat që nuk kemi mundur t’i bëjmë. Nuk mund të mbetesh rob i keqardhjes: pse s’e bëra këtë ose atë. Kur arrin në këtë ditë që jam unë, s’ka më kuptim. Unë gjithnjë uroja që të kisha bërë më shumë, të kisha shkruar më shumë libra… Isha mësuar ta qortoja veten keq. Tani e shoh që asgjë e mirë nuk vjen nga kjo. Bëj paqe. Ke nevojë të bësh paqe me veten tënde dhe me këdo rreth teje.
– U përkula dhe ia fshiva lotët me një shami letre. Mori hapi dhe mbylli sytë, frymëmarrja i ndihej si një gërhitje e lehtë.
– Fal veten tënde, fal të tjerët. Mos prit, Miç. Jo kushdo e ka këtë kohë që kam unë. Jo kushdo është kaq me fat”. ( “Të martat me Morin”, Mitch Albom)
Janë një apel për kohën mes nesh dhe vetes sonë, për mënyrën se si ja kushtojmë gjërave që duam, duke nisur nga vetja e më pas të tjerët. Eshtë një thirrje për këdo që të takojë të tjerët përmes vetes.
Që, të mos gabojmë, siç tha aktori i njohur Italian, Roberto Benigni, gjatë një show në Rai Uno, se shumë njerëz në botë gabojnë pasi “dashurojnë pak ose vonë!”. Ndërsa ne, që fati na ka lënë ende mundësinë “të vrapojmë drejt gjërave” duhet vetëm të kthejmë sytë nga vetja për të kuptuar se nuk vlen të humbim gjërat që duam.
E në fakt, çmund të jetë një njeri që nuk di të dojë? Thjesht një i vdekur që ecën? Pikërisht aty ku Mori, përmes bisedave në 14 të marta me ish nxënësin e tij, u kthye në një apel për miliona lexues, duke i vënë përballë pyetjeve thelbësore.
Dhe për përgjigjet nuk mjafton koha e leximit të librit. Nevojiten shumë “ballafaqime me veten”. Por e rëndësishme është të nisim, që të mos vdesim nga palumturia, por të presim me kuptim e pa frikë “qepallëmbylljen”. Sepse, siç thotë filozofja e famshme, Hanah Arendt, “të vetmit të gjallë janë ata që jetojnë me kuptim!”.
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM BAÇI: “TURPI” I TË MOSPATURIT TURP
Nga Agim Baçi
Shënime mbi romanin “Turpi” i nobelistit Coetzee
Coetzee është shkrimtar që nuk të lë mundësi të hezitosh dhe të mendosh edhe ti për zgjidhje. Gjithçka e vendos ai vetë dhe ti je një spektator që duhet të kesh durim. Dualiteti është stili i tij. Kemi të bëjmë me dy histori: një prej instiktit (Luri), që e shkakton ai vetë, si dhe një histori që shkaktohet nga keqdashja e dikujt mbi dikë tjetër (mbi Lusin). Personazhi kryesor (Devid Luri) që gjer në momentin që kish gabuar vetë është në një jetë normale, nuk mundet më të jetë i qetë kur lëndojnë të tjerët vajzën e tij
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult