Agim Baçi: “Turpi” i të mospaturit turp

Agim Baçi

Nga Agim Baçi

Shënime mbi romanin “Turpi” i nobelistit Coetzee

Coetzee është shkrimtar që nuk të lë mundësi të hezitosh dhe të mendosh edhe ti për zgjidhje. Gjithçka e vendos ai vetë dhe ti je një spektator që duhet të kesh durim. Dualiteti është stili i tij. Kemi të bëjmë me dy histori: një prej instiktit (Luri), që e shkakton ai vetë, si dhe një histori që shkaktohet nga keqdashja e dikujt mbi dikë tjetër (mbi Lusin). Personazhi kryesor (Devid Luri) që gjer në momentin që kish gabuar vetë është në një jetë normale, nuk mundet më të jetë i qetë kur lëndojnë të tjerët vajzën e tij.

Luri është mes njeriut që ka bërë një të keqe dhe njeriut që i kanë bërë një të keqe. Gjithë konfliktet dhe gjithë zgjidhjet vijnë nga ky dualitet.

Por cila është e keqe më e madhe, ajo që vjen prej instiktit apo ajo që vjen nga keqdashja? Cila është më guximshme, të kesh turp apo të bësh gjëra të turpshme?

Autori duket sikur thotë me zë të lartë: Një Zot e di!

Gjer në momentin që ai ka bërë një të keqe (edhe pse prej instiktit) ai mendon se ka të drejtë të jetojë ashtu pa menduar se çfarë ndodh në krahun e atyre që iu është shkaktuar kjo e keqe. Por kur rreshtohet vetë në radhën e njerëzve që lëndohet ai fillon të veprojë.

Krenaria rrezikon të kthehet në armikun tonë. Sidomos kur ne mendojmë se peshon më shumë e keqja që na e kanë bërë të tjerët neve, se sa ajo që u kemi shkaktuar ne të tjerëve?

Luri nuk e pranon fillimisht rrëshqitjen e tij. Është krenaria që nuk e lejon t’ia lëndojë askush. Ai nuk përpiqet aspak të mendojë të kundërtën. Ai është pranim i fatit me destinacion ndëshkimin. Ai ka turp të ketë turp. Ai ka turp të pranojë se instikti i tij është edhe armiku i tij më i madh. Ai pranon ta ndëshkojnë për të shmangur vetndëshkimin, për të shmangur “pendimin budalla” që shpesh na merr në qafë, pasi as nuk jemi krenarë për atë që bëmë e as nuk mund të bëjmë diçka tjetër me krenari. Kjo në fakt është piktura e përhershme e krenarisë.

Krejt ndryshe është e bija, Lusi e cila është e gatshme të pranojë gjithçka sikur ka dashur vetë t’i ndodhë që të mos jetë në rreshtin e njerëzve të mëshiruar.

Debati Luri-Lusi nuk është veçse ajo pjesë e jona që ne pranojmë të diskutojmë për të tjerët, por jo për veten.

Lusi e di të vërtetën për të atin, por nuk përpiqet ta korrigjojë sipas mendimit të vet.

Luri e përjeton të vërtetën për të bijën, por nuk mundet ta bëjë të bijën të sillet ashtu siç mendon.

Asnjë nga palët nuk bën asnjë hap përpara edhe pse asnjë nga personazhet nuk është i sigurt për të drejtën që ka brenda vetes. Por nuk mund të ketë zgjidhje – nëse nuk ke investuar për të qenë njeri, si mund të pretendosh të trajtojnë dhe të respektojnë si të tillë? Ndaj nuk ka zgjidhje: ka vetëm një baba mekanik, që jeta e bën të kuptojë se ka një vajzë, si dhe është një vajzë që mekanikisht e kupton se do të bëhet nënë.

Kjo është panorama e jetës ku njeriu nuk përpiqet të ndryshojë, por vetëm kalon ditën! Madje, ata e dinë që duhet të ndryshojnë, pos s’lëvizin asnjë grimë për të bërë një jetë tjetër. Ajo që ndodh është mbi ta sepse ata nuk kanë qenë kurrë me veten e tyre. Gjithçka vjen pasi ata nuk kanë asnjë raport me faljen – ose thënë shkurt, ata nuk kanë asnjë raport me shpirtin.

Lusi është pajtim me Fatin!

Luri është lojë e fatit!

Në fakt, edhe loja Luri-Lusi-Petrusi, ngjan si një lojë fjalësh, si për të thënë që e gjithë zgjidhja është mes gabimit që bëjmë vetë, gabimit që bëjnë të tjerët drejt nesh si dhe veprimeve për të cilat ne nuk mbajmë shumë përgjegjësi që ndodhin.

Luri nuk ka jetë të vërtetë: vetëm divorce, tradhti dhe një vajzë që as nuk e ka dashur të vijë në këtë jetë e as që e kupton.

Lusi është destinacion i njeriut që ka marrë rrjedha. Ajo e di se kush e lufton, e di që mund të humbasë, por nuk reagon, nuk kërkon të ndryshojë. Madje arrin deri atje sa edhe përdhunimin që i ndodh, një përdhunim i dyshuar për inicim nga ai që ajo e ka bërë njeri, ajo e konsideron rrjedhë, pjesë të fatit.

Petrusi është fabula. Është fabul për të ndryshuar jetën e Lurit, por është fabul edhe për të kuptuar pranimin e fatit nga Lusi.

Më shumë se sa fshatar tipik, Petrusi është “fati tipik”. Njëri nuk ka fuqi ta kundërshtojë (Lusi), ndërsa tjetri nuk ka fuqi ta kontrollojë, ta zbojë apo ta ndryshojë (Luri).

Rikthimi i Lurit në qytet, e më pas edhe një herë në fshat, nuk është tjetër veçse një dëshirë për t’u rikthyer në jetë. Isaksi apo Melania, apo më pas edhe dashuria me Bevin, janë një përpjekje për të kuptuar jetën përtej instiktit.

Por për çfarë na shërbejnë gjërat që bëjmë vonë nëse nuk kemi falur dhe nuk kemi kërkuar kurrë falje, nëse nuk kemi dashur dhe nuk jemi kujdesur të na duan? Mos ndoshta Zoti na ndihmon të përpiqemi një grahmë vetëm për të vdekur më mirë?

ObserverKult

____________________

Lexo edhe:

WISLAWA SZYMBORSKA: NUK E DI…