Dje në Mitrovicë, u hap “Mitrovica International Jazz Days”, nji Festival i ri në Kosovë i cili në edicionin e tij të parë ka sjell për publikun artdashës kosovar e në veçanti për adhuruesit e xhazit, një numër të madh performuesish të këtij zhanri muzikor tejet të veçantë e që janë të dëshmuar në skenën muzikore-ndërkombëtare…
Teksti dhe fotografitë: Fahredin Spahija
Mbrëmë, siparin e këtij Festivali e hapi Richard Bona, muzikanti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prejardhje nga Kameruni.
Bona është një nga basistët, kompozitorët dhe multi-instrumentistët më të arrirë botërorë, i cili shquhet për tingujt e tij unik që burimin e kanë tek muzika tradicionale afrikane.
Richard Bona ka fituar 1 Grammy Award dhe kishte 3 nominime tjera. E përditshmja “Los Angeles Times” e përshkruan atë, kështu: “Imagjinoni një artist me virtuozitetin e Jaco Pastorious, rrjedhshmërinë vokale të George Benson, ndjenjën e këngës dhe harmonisë së Joao Gilberto, të gjitha të përziera me kulturën afrikane. Zonja dhe zotërinj, ky është, Richard Bona!”
Vlen të përmendet edhe përfshirja e tij në një dokumentar biografik të legjendës së xhazit dhe producentit e kompozitorit, 28 herë fituesit tëi Gramy Award dhe me 80 nominime, Quincy Jonesit.
Paraqitja e mbrëmshme e Richard Bonas para publikut mitrovicas me përcjelljen e MIJD Jazz Band-it, ishte shumë mbresëlënëse dhe mund të quhet lirshëm një koncert i mirëfilltë që për një orë të tërë ofroi knaqësi për audiencën xhaz dashëse e cila kishte mbushur përplot ambientin dhe ku organizatori kishte vendosur edhe karriget, por kishte edhe shumë të tillë që nuk kishin arritur ta zinin një vend për t’u ulur, dhe u deshtë të kënaqen me tingujt e bassit dhe zërit të Bonas, duke qëndruar në këmbë tek sheshi “Isa Boletini”.
Festivali MIJF drejtohet nga jazz këngëtarja e jonë e njohur Rona Nishliu dhe do të organizojë koncerte dhe workshope përgjatë 5 ditëve dhe netëve në vijim ku publiku do të ketë mundësinë të shijojë paraqitjet muzikore dhe ligjëratat e Ganna Ensemble, Enrico Morello, Karen Asatrian & Andrej Prozorov, Elina Duni & Rob Luft, Bill Laurance & Michael League, Daphne Levy & Tamir Miler dhe UP Youth Jazz Ensemble.
ObserverKult
Lexo edhe:
SONTE FILLON MITROVICA INTERNATIONAL JAZZ DAYS, FESTIVALI ME PËRMASA NDËRKOMBËTARE