Në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës dje është mbajtur edicioni XIV i manifestimit tradicional letrar “Ora e Tahir Deskut”.
Ky manifestim po vazhdon të mbahet për çdo vit, në shenjë përkujtimi dhe homazhi për poetin klinas Tahir Desku nën përkujdesjen e Komunës së Klinës.
Në këtë manifestim kanë marrë pjesë kryetari i komunës, prof. dr. Zenun Elezaj, drejtoresha e Kulturës, Fatjona Gashi, familjarë të Tahir Deskut, shkrimtarë, poetë dhe qytetarë, bëhet me dije përmes njoftimit në Facebook, të kësaj Komune.
Elezaj tha se dita e sotme është ditë përkujtimi dhe nderimi për Tahir Deskun.
“Dita e sotme në Klinë nuk është vetëm festë libri mes nesh. Është ditë përkujtimi dhe nderimi për Tahir Deskun. Ditë përkujtimi dhe nderimi për sakrificën e madhe të shkrimtarëve ndër dekada. Është ditë kujtimi për shtegtimin e librit shqip. Sot është ora e shkrimtarit Tahir Desku që ecën paralelisht me orën tuaj, me shqetësimet tuaja, me gëzimet tuaja, me emocionet tuaja, me reagimet tuaja.
Secila orë e shkrimtarit që organizohet në Kosovë është e ndryshme prej sonës që organizojmë në Klinë me emrin e ish-luftëtarit të lirisë, të gazetarit dhe të poetit Tahir Desku, i cili plagëve të luftës, edhe dashurisë, u ka kënduar orë e çast maleve të Drenicës, të Dukagjinit, rrugëve të Kosovës, të Evropës e të Amerikës”, tha Elezaj.
‘Ora e Tahir Deskut’, manifestimin tradicional letrar ka disa vite që pas vetes ka mbledhur krijues nga të gjitha trevat shqiptare.
“Poetë dhe prozatorë janë nderuar me çmime të ndryshme e shumë të tjerë kanë marrë lëvdata për poezitë, për tregimet, për romanet. Keni ardhur edhe ju sot e do të vijnë edhe të tjerë pas jush me vepra arti në duar për ta paraqitur talentin, ndonjëri edhe për ta nisur rrugën e poetit”, tha kryetari Elezaj në fjalën e tij.
Ndërkohë në edicionin e këtij manifestimi letrar, në mesin e dhjetë veprave konkurruese, juria (në përbërje të Adem Gashit, Agron Y. Gashit dhe Albanë Mehmetajt) unanimisht vlerësoi me Çmimin “Ora e Tahir Deskut”romanin e Arif Molliqit me titull “Arkivi i letrave të djegura”.
Kryetari i jurisë i çmimit “Ora e Tahir Deskut”, Adem Gashi, para publikut të pranishëm u deklarua lidhur me çmimin e “Ora e Tahir Deskut”.
Çmimi iu dorëzua vëllait të Arifit, Hysen Molliqit, i cili falënderoi jurinë për vlerësimin dhe kryetarin Elezaj dhe Drejtorinë e komunës së Klinës për organizimin e këtij manifestimi letrar.
Manifestimi vazhdoi me një orë të madhe letrare, në të cilën poetë të shumtë deklamuan poezitë e tyre dhe u dhanë tri çmime për poezi.
E çmimi i parë iu dha poetes Vlora Rexhaj për poezinë “Diku”, i dyti Idriz Berishës për poezinë “Zemër nëne”, i treti Mehdi Krasniqit për poezinë “Tahir Desku”.
Ndryshe në këtë manifestim tradicional letrar u bë edhe përurimi i librit kushtuar Tahir Deskut, “Poeti që hyri në baladë” nga autori Prend Buzhala.
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA TAHIR DESKU: NËSE MË GJENI TË VDEKUR NDONJË DITË…
Kthimi i dashurisë
Ç’më duhesh tash e marrë
Shih ndjenjat më janë topitur
Stinën e trëndafiltë e harrove, si munde
Kur erë frynte e shi rigonte
Mbi kokat tona rritej fati
Dhe drurin që gdhendur e patëm me durim
E mori zjarri e mori
Bukur e dhembshëm qajtëm e heshtëm
Ligjet e jetës pa i ditur
Unë njeri i shqetësimeve
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult