Koha, ekzistenca dhe vetëdija jonë për to

enver visoka

(Rreth librit me poezi “Në fund të verës”, të poetit Enver Visoka, i cili u botua nga “Littera” në Prishtinë, 2023)

Poezia e Enver Visokes është një grishje interesante për të medituar për dy  kategori, që janë edhe religjioze edhe etike, për Shpirtin dhe Mekatin.

pal ndrecaj visoka...

Nga Pal Ndrecaj

Ndonëse kategori religjioze, në vargjet e këtij poeti ato shpërfaqin dukuritë e kësaj bote, reagimet e kësaj bote, pasojat e rezultatet që sjellin në këtë botë, si dhe shpërblimin ose dënimin që marrin këtu. Pra, kjo është etika e standardeve tokësore e vrojtuar në një lidhje me mistikën qiellore:

çfarë kërkon shpirti i jep qielli
çfarë kërkon qielli i jep shpirti

Kategoria e dytë në poezinë e Enverit është mëkati. Mëkati i ka prekur të gjithë, ndaj bota nën pushtetin e tij duket tepër e zymtë:

poshtë në dheun e djegur
vazhdonte të rigonte shi…
u ula të pushoj pranë portave të mbyllura të qiellit
binin këmbana sherri në histori

Nocioni kohë dhe kohimi ynë

Ndonëse poezitë janë të shkruara rreth temave të ndryshme, pasqyrojnë disponime, gjendje e reagime emocionale të ndryshme e të veçanta, shumica e tyre  vënë lidhje të bukura ligjërimore mes vete. Është ajo lidhja që një krijues i formuar e ndërton kurdoherë për të theksuar pikëpamjen vetanake për jetën e dukuritë, unitetin e stilit, me një fjalë për të bërë individualitetin e tij krijues. Autori del i formuar në pikëpamje të vizionit që ka, të ideve që hedh, e të qëndrimit që mban për dukuritë e jetës e të kohës. Autori rreket në këtë libër poetik me nocionin “kohë” dhe bën një përpjekje për të kuptuar misteret e saj prej Fillimit. “Fillimi” – me nistore të madhe – sugjeron kohën, dmth botën, që nga momenti kur ajo ende nuk ishte formësuar nga ata katër përbërësit heraklitianë, por ishte në formën e secilit prej tyre veç e veç: në formën e ujit, të ajrit, të dheut e të zjarrit. Ndaj, në një këso gjendje edhe vetëdija për ekzistencën është në momentin kur merr formë:

nuk e di cilët ishim

e ne ishim aq afër valëve
aq afër ajrit, tokës,ujit dhe zjarrit
aq afër mjegullës dhe tingujve kozmik ishim…
Ndoshta ajo, dmth ekzistenca, nis të merr formën e vet në një moment si ky:
çfarë kërkon shpirti i jep qielli
çfarë kërkon qielli i jep shpirti

Kjo lidhje kushtëzuese mes qiellit e shpirtit bëhet një pikënisje interesante për të arritur në stadin e plotë të kuptimësimit të atyre dukurive që do të duhej të përbënin unitetin mes atyre përbërësve. Gjithçka, na bëjnë me dije këto vargje, mund të kompensohet nëse e vëmë lidhjen e duhur mes shpirtit e qiellit, që në një interpretim paksa më të shkoqitur do të thoshte: nëse ia gjejmë qëllimin ekzistencës.

Provën e kësaj e gjejmë në vargjet:

sa të afërm jemi me zjarrin dheun, ujin,ajrin…
sa të afërm jemi me qiellin me yjet, diellin..
sa të afërm jemi me urinë dijen, pafundësinë
sa të afërm jemi me çdo gjë që të përngjan ty oj ti bukuri, ti oj shëmti…

Edhe poezitë paksa ma intime dhe personale kanë në vete materien që i përmban edhe të tjerët.  Edhe atëherë kur dhimbja, malli e dashuria shfaqen si ndjenja mbizotëruese personale, na bëjnë t’i ndiejmë si copëza të shkëputura të universit në të cilin bëjmë pjesë edhe ne.  Autori ka edhe një prirje të theksuar drejt mistikes.

Në botën e mistikes ai ndërton realitete interesante, ku  akomodohemi ose të gëzuar ose me ndjenjën e humbjes, varësisht nga gjendjet, që janë edhe perceptime, edhe entitete në vete, si dhe nga raporti ynë me to: ose të mahnitur ose te topitur nga indiferenca që shkakton rrjedha e gjërave të jetës:

dy zogj të vdekur fillojnë të cicërojnë
në copëza të thyera qelqi
e dikur më vonë fluturojnë në qiell
në qiell fluturojnë zogjtë e vdekur

Dashuria si mbrojtëse nga fataliteti

Në poezinë e Enverit hasim një figurë të bukur gruaje, një bashkudhëtare të pandarë të poetit në jetë, e cila është aq e pandarë, sa i “zë pritë kudo në vargje”. Tash, heroi i vargjeve, në bredhjet e tij meditative për të arritur amshimin, ka zbritur në shkallën e mungesës së shpresës dhe lëshon thirrjen dëshpëruese:

si t ́i shmangemi vdekjes Leonorë!

Poezia e Enver Visokes në disa raste është këngë e lumturisë, në disa të tjera e  vuajtjes, është këngë e ngadhnjimit, e njëkohësisht, e humbjes, e vuajtjes dhe e gëzimit. Është poezi që i ka të gjitha stinët e shpirtit të njeriut.

Mirëpo, ajo nuk është asnjëherë poezi e fatalitetit, ndonëse fataliteti është i pranishëm. Ajo është poezi për dashurinë dhe poezi e dashurisë.

Ajo është poezi për urrjetjen por jo poezi e urrejtjes. Kur ajo i këndon urrejtjes, të shëmtuarës, nuk bëhet zëdhënëse e këtyre ndjesive të ulëta. Përkundrazi, në këto raste ajo tenton të bëhet  dëshmia poetike e ngadhnimit të së mirës, së bukurës, së dobishmes e të faljes:

Jezu lutu edhe njëherë për ata
që nuk dinë çfarë bëjnë

Poeti e ndien nevojën që e mira të rikthehet në jetë përmes faljes, mëshirës e përmes dashurisë, këtyre tri virtyteve të mishëruara në figurën e Jezusit.

Përmes thirrjes “…lutu edhe njëhëre…” autori do të theksojë imperativin e kohës, të kësaj kohe të mbytur në mëkat, për çka thërret në ndihmë Jezusin, jo si një besimtar, por si një zë intelektual që iu drejtohet  modeleve më paqësore e më humane të historisë njerëzore për të nxitur ngadhënjimin mbi të keqen, që është duke e shtrirë pushtetin e saj mbi njeriun:

vargjeve vlojnë krimbat
pamëshirshëm ia hanë mushkëritë estetikës

Siç del nga kjo që thashë më sipër, poezia e Enver Visokes është zëri i njeriut të ndodhur nën dy trysni: nën trysninë e ashpër të pushtetit të dhunës e të së keqes dhe nën trysninë e lehtë të tendencës së të mirës për të mbizotëruar.

Fakti se cila prej këtyre dyjave do te bëhet fati i ardhshëm i kohës sonë, gjen një përgjigje interesante në këtë libër dhe, atë përgjigje, unë po e lë për syrin e mprehtë të lexuesve të tij, meqë njëjtë kishte vepruar edhe autori i parathënies së këtij libri, poeti Sadik Krasniqi.

Enverin e kam pasur koleg të studimeve dhe nuk e kam parë prej atëherë. Ndoshta po të ishim takuar, nuk do ta kisha përjetuar kështu siç e përjetova përmes këtyre vargjeve. Ndaj edhe nuk thonë kot: poeti banon në vargjet e tij dhe mos e lyp tjetër kund.

Vetëm aty është ai që është.

ObserverKult


Lexo edhe:

POEZIA E TË SHKRUARIT NË MANASTIRIN E SHPIRTIT TË POETIT