Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me punimet e saj artistike, piktoren dhe skulptoren, Melisa Ukshinaj.
Melisa Ukshinaj lindi më 5.5.1999 në qytetin e Pejës. Ka përfunduar shkollën e mesme në Shkollën e Artit “Odhise Paskali, në drejtimin e Pikturës, në Pejë. Më pas studimet për bachelor dhe master i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, në degën e Skulpturës.
Që nga fëmijërija ka filluar ta shfaq dashurinë dhe talentin e saj për artin, kryesisht në piktura, ku gjatë gjithë kësaj kohe asnjëherë nuk është ndalur duke krijuar piktura dhe skulptura të ndryshme.
Për një vit ka punuar si profesoreshë në shkollën e mesme të arteve “Odhise Paskali” ku aty e ka dhënë lëndën e Qeramikës, më pas ka vazhduar punën në shkollën Teknike të Pejës. Lëndën që e jep në këtë shkollë është Tekstil në drejtimin Rrobaqepsi Tekstile. Ajo pretendon që edhe në vitet në vijim të jap kontribut si profesoreshë e artit, por gjithmonë pa i lënë anash krijimet e saj të cilat e kanë një stil të veçantë.
Melisa nëpërmjet artit të saj jep mesazhe domethënëse për problematika duke filluar nga ato shoqërore deri tek gjendjet emocionale njerëzore. Inspirimin e gjen tek konfliktet e brendshme të njerëzve dhe natyrës.
Melisa është gjithmonë e gatshme të kontribuoj me pikturat e saj ku disa herë i ka shitur nëpër organizime që kishin qëllim humanitar, e që parat janë grumbulluar për njerëz me sëmundje të ndryshme.
Melisa thotë: “Frymëzimi im më i madh në pikturat e mia është vetë jeta ime që nga fëmijëria e deri me sot.”
Bota e artit për Melisën është gjithçka. Ajo thekson se nuk do të ndalet së pikturuari dhe krijuari art në çdo formë.
Ekspozita kolektive në të cilat ka marrë pjesë:
2020 Ekspozita e fundvitit të studentëve – Prishtinë
2021 Ekspozita e fundvitit të studentëve – Prishtinë
2023 Ekspozita e fundvitit të studentëve – Prishtinë
2023 Ekspozita Kolektive “Karavani Artistik-Artistët për Artistë”– Negotin e Pollogut, Maqedoni. E organizuar nga Veton Gusia
2023 Ekspozita Kolektive “Karavani Artistik-Artistët për Artistë” – Gostivar
2023 Ekspozita Kolektive “Karavani Artistik-Artistët për Artistë” – Kërçovë
2023 Ekspozita Kolektive “Karavani Artistik-Artistët për Artistë” – Strugë
2023 Ekspozita Kolektive “Karavani Artistik-Artistët për Artistë” – Tetovë
2023 Ekspozita Kolektive “Karavani Artistik-Artistët për Artistë” – Gusi dhe Hot
2023 Ekspozita Kolektive “The-Art” në Muzeun Arkeologjik i rajonit të Prizrenit. E organizuar nga Drenueta Berisha.
Koloni
2023 Kolonia Artistike, simpozium ndërkombëtar i artit
2023 Art Rahovec në Rahovec- Organizator OJQ ART STUDIO
2023 Prishtina Art- Rezidenca Edicioni – IV
Melisa përveç pikturave dhe skulpturave kreativitetin e saj e shpreh edhe nëpërmjet një forme tjetër, me anë të çantave që ajo vetë i pikturon dhe dizajnon. Shumë shpesh sipas dëshirës së saj por edhe sipas kërkesave të klientëve.
Ajo e ka një faqe në Instagram “melisascreations” ku e poston punën e saj të çantave por gjithashtu ku merr porosi nga klientë të ndryshëm.
Si lindi kjo ide?
Gjatë pandemisë ajo nuk deshi të qëndroj kot. Karantinën e përdori si frymëzim të diçkaje të re për të. Në disa çanta që i kishte në shtëpi provoi të pikturonte mbi to dhe i postoi ne instagramin e saj privat. Punimet u pritën mirë nga rrethi i saj dhe kështu ajo vendosi të punoj dhe të përfitoj nga kjo formë e artit shumë e veçantë. Që nga ajo kohë vazhdon me punimin e këtyre çantave.
ObserverKult
Lexo edhe: