Esmeralda Nikaj: Ajo

Ajo na puthte çdo mëngjes me buzët e horizontit
S’e di nga ç’yshtje i vinte ajo forcë
Vetëm një natë më parë, kur hëna ishte fshehur në një kove me ujë
Ne dëgjuam vajin e saj
Por ajo nuk ankohej, se ishte nëna
Tokë e plasaritur dhimbjesh
E shkelur si bari në nje fushë me gara kuajsh
Lotët e saj binin mbi të linjtat shekullore
Por zëri i saj na këndonte një këngë të një brenge të sapoharruar
E prapë në mëngjes na puthte me buzë që silnin bukë e trëndafila
Dhe ne të lumtur, ç’të donim më shumë
Ajo mbante një përparese të bardhë
Me duar prej zane na jepte ëmbëlsira
Në ato kohe të vështira zije
A thua ishte magjistare?
Ajo ishte kaltërsia! Kush i trembet kaltërsisë?
Shtëpia jonë e vogël me të bëhej si një anije transoqeanike
Çdo plagë na i zbuste vetëm me praninë e saj prej sheqeri të ylberizuar
Përherë vija vigane do të hiqen në horizont
Përgjithmonë ajo e mira nënë do të jetë, si të mirat nëna
Të fëmijeve të të gjithë botës.

ObserverKult


Lexo edhe:

ESMERALDA NIKAJ: GRUAJA ME TË ZEZA