Publikohen emrat/ Fan Noli e qeveritarët e tjerë, një ditë para largimit, morën franga ari nga arka e shtetit

Një ndër problemet më të diskutuara në rrugëtimin e shtetit shqiptar është dhe historia e floririt që administrohej në institucionet financiare të shtetit. Kjo veçanërisht në momentet e ndryshimeve të regjimeve, në 1924-ën, 1939-ën, 1944-ën, 1990-ën, 1997-ën etj.

Megjithatë duhet pranuar se ndër ngjarjet më të diskutuara, por dhe të trajtuara në punime dhe studime të shumta, është largimi i Mbretit Zog nga Shqipëria (7 prill 1939) dhe akuzat që i janë bërë në mënyrë sistematike për “grabitjen” e floririt të shtetit.

Kjo ngjarje do të jetë objekt kryesor edhe i këtij punimi që sjellim për lexuesin e gazetës “Mapo”, ku me interes është dëshmia që sjell në një letër ish-oficeri i Mbretërisë Shqiptare, Gjon Fusha.

Ikja e qeverisë së Fan Nolit dhe shumat e parave të marra nga arka e shtetit

Pas një qeverisje gjashtëmujore, me Triumfin e Legalitetit në dhjetor 1924, qeveria e Fan Nolit, u detyrua dhe largua jashtë shtetit.

Që më 22 dhjetor 1924, nga presioni i forcave të armatosura të drejtuara nga Ahmet Zogu dhe Musa Juka, nga krahu i Veriut, dhe Koço Kotta e Myfit Libohova, nga krahu i Jugut, duke e parë të pamundur të mbajë pushtetin, Noli dhe kabineti i tij u vendosën në Vlorë.

Në gazetën “Shqipëri e re”, shkruhej: “Qeveria tue lënë Tiranën, u mblodh në Vlonë, e cila u deklarua kryeqytet i hëpërhëshëm i Shtetit Shqiptar”.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, qeveritarët e Nolit u kujdesën që të merrnin nga arka e shtetit, shuma të konsiderueshme frangash ari.

E në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave të zhvilluar në Vlorë më 25 dhjetor 1925, të drejtuar nga kryeministri, Emzot Fan Noli, me anëtarë; ministri i Punëve Botore, Qazim Koculi, zëvendësish ministri i Financave Av. Stavri Vinjau dhe ministri i Punëve të Jashtme, Sulejman Delvina, u vendos që Drejtoria e Financave të Vlorës, të paguante rrogat e nëpunësve të qendrës dhe të qarqeve, në bazë të vërtetimit që do të bëhej nga zëvendësish ministri i Financave, duke i llogaritur për njehsin e arkës së përgjithshme, si dhe të ndryshme.

Ky vendim iu përcoll për njoftim dhe veprim Drejtorisë së Financave Vlorë, nga zëvendësish ministri i Financave Av. Stavro Vinjau, ku urdhërohej që pagesat të bëheshin nga nëpunësit nën responsabilitetin e Ministrisë së Financave.

Lista mbi pagesat që janë bërë në datat 25 dhe 26 dhjetor 1924 nëpunësve të larguar

Arka e përgjithshme

Angjelin Suma, Drejtor i Kontabilitetit në Ministrinë e Financave, 580 franga ari.

Mustafa Kallamishi, 326.10 franga ari.

Mehmet Bilali, kapiten i barkës, 434.75 franga ari.

Nënkolonel, Ismail Haki Tatzati, major Rexhep Berati dhe major

Ibrahim Jakova, 60 000 franga ari.

Toger Aleks Plumi, 9.241 franga ari.

Ministrat rrogë, 3.900 franga ari.

Xhemal Bushati, zëvendësish Ministër i Punëve të Brendshme, 5 000 franga ari.

Xhemal Bushati, zëvendësish Ministër i Punëve të Brendshme, 3 000 franga ari.

Llazar Fundo, kryetar i Komisionit të “Bashkimit”, 1.608,70 franga ari.

Kryeministri Fan Noli, shpenzime automobili, 300 franga ari.

Qazim Koculi, Ministri i Punëve Botore, 375 franga ari.

Qazim Koculi, Ministri i Punëve Botore, 41,50 franga ari.

Sulejman Delvina, Ministri i Punëve të Jashtme, 240 franga ari.

Stavro Vinjau, për Bahri Omarin, 1 000 franga ari.

Sulo Bodga e Ibrahim Dedeja, 960 franga ari.

Petro Pekmezi, nëpunës i Ministrisë së Punëve Botore, 171 franga ari.

Vangjel Papa, sekretar i Gjyqit Ushtarak, 400 franga ari.

Shoferi i Kryeministrit, 152 franga ari.

Mustafa Banka, protokollist i Ministrisë së Arsimit, 380 franga ari.

Zyber Bakiu, sekretar i Ministrisë së Drejtësisë, 475 franga ari.

Bilbil Rustemi, polic i Kryeministrit, 266 franga ari.

Avokat Mihal Lehova, anëtar i Gjyqit Politik, 350 franga ari.

Shefqet Kulleçi, protokollist i Ministrisë së Punëve të Brendshme, 342 franga ari.

Haki Mulleti, sekretar i III-të i Ministrisë së Punëve të Brendshme, 475 franga ari.

Ali Sulejmani, shpenzime komunikimi, 300 franga ari.

Brahim Sula, për transportin e ushtrisë, 326 franga ari.

Kostantin Kota, nëpunës Parlamenti, 285 franga ari.

Serafin, stenograf Parlamenti, 380 franga ari.

-Arka e Financave të Tiranës

Beqir Rusi, nënprefekti i Tiranës, 684 franga ari.

Mustafa, telegrafist në Tiranë, 304 franga ari.

Ethem Bolena, polic në Tiranë, 266 franga ari.

Bexhet Neim, polic në Tiranë, 266 franga ari.

Mazhar Sopoti, sekretar i Gjyqit të Fillimit, 266 franga ari.

-Arka e Drejtorisë së Financës së Durrësit

Prefekti, zotni Riza Dani, 1 326 franga ari.

Nënprefekti i Shijakut, Musa Maçi, 957,60 franga ari.

Ali Fërtuzi, kryesekretari i Durrësit, 237,50 franga ari.

Luigj Zaja, protokollist i Prefekturës, 413,25 franga ari.

Muharrem Geçi, komisar i Policisë së Durrësit, 1 099 franga ari.

Kasem Durrësi, nëpunës i kadastrës, 551 franga ari.

Shaban Belegu, mësues i Shijakut, 342 franga ari.

Rexhep Dizdari, drejtor i Shkollës së Shijakut, 190 franga ari.

Ali Tattari, sekretar i Gjyqit të Paqit, 100 franga ari.

Riza Dani, për Drejtorinë e Financave të Shkodrës, 40.000 franga ari.

Qazim … (nuk pasqyrohet shuma)

Kol Tromara, prefekti i Elbasanit, 1 306.25 franga ari.

Hysen Prishtina, nënprefekti, 812.25 franga ari.

Demir Kodheli, drejtori i Shkollës së Peqinit, 418 franga ari.

Ahmet Burburja, mësues i Elbasanit, 551 franga ari.

Mahmut Çela, arkëtari i Financës, 455.90 franga ari.

Hil Mosi, prefekti, 183,35 franga ari.

Dr. Zezai Çomo, për bursë, 680 franga ari.

Dr. Zezai Çomo, për bursë, 293,45 franga ari.

Koço Çipi, nënprefekti, 812.25 franga ari.

Qazim Mulleti, nënprefekti 410.40 franga ari.

Naun Prifti, mësues, 114 franga ari.

Shuma e përgjithshme (Arka e përgjithshme dhe arkat vendore) 146 376.20 franga ari.

Pagesa për propagandën e Shoqërisë “Bashkimi” dhe Beqir Valterin

Fan Noli dhe mbështetësit e tij, u kujdesën që të kishin me vete burime financiare edhe për të mbuluar propagandën në mbështetje të qëllimeve të tyre politike.

Korrespondenti nga Tirana i gazetës “Shqipëri e Re”, më 4 janar 1925, njoftonte: “Z. Llazar Fundo, mori në Vlorë nga ish-qeveritarët 8.000 fr. ari dhe 1.000 lireta, për të vazhduar propagandën e “Bashkimit” në Itali.

Një nga të shpërblyerit, ishte dhe atentatori i Ahmet Zogut, Beqir Valteri, të cilit; “ish-qeveritarët i dhanë 6.000 fr.ari për shpërblim të shërbimeve që u pati bërë.”

Sjellja dinjitoze e Bajram Currit

Krejt ndryshe do të ishte qëndrimi i ‘Plakut të Maleve’, Bajram Currit. Nëse në këtë periudhë, orientimi i tij politik nuk ishte ai i duhuri, marrëdhënia e tij me financat e shtetit, shpreh thelbin e shpirtit të tij fisnik.

Sipas At Valentinit, “kur në fund të 1924-ës, Qeveria (e Nolit), së cilës ai i kishte shërbyer me gjithë zemër e, me gjithë trimnin e fuqinë e vet – pá shpërblim si gjithë herë – ishte vum në t’ikun, dikush Bajramit i shtini në vesh, se shumë lehtas mund të merreshin tetë mijë napolona, që ruheshin n’arkë të financës, për mos t’ua lânë në dorë kundërshtarëvet, edhe për të pasë mjete me vijuem në qëndresë. Trimi s’përgjegji tjetër por veç: ‘Faqe të zezë vedit s’i lâ”.

Ahmet Zogu dhe floriri i shtetit shqiptar

Sa herë kujtohet pushtimi i Shqipërisë, më 7 prill 1939, në memorien e çdo shqiptari, vijnë dhe akuzat që i janë bërë me shumicë Ahmet Zogut, për “grabitjen” e floririt të shtetit shqiptar. Kjo dhe falë propagandës intensive të regjimit komunist, por dhe gjymtyrëve të zgjatura të këtij regjimi në periudhën e viteve të demokracisë.

Në vijim do të paraqesim disa momente kryesore për këtë problem, duke sjellë për lexuesin dhe një akuzë të pabazë ndaj Ahmet Zogut, për përvetësim frangash ari, në periudhën e revolucionit të Qershorit 1924.

Raportimi i “Shqiptarit të Amerikës”

Akuza për marrje parash në arkën e shtetit, pati për Ahmet Zogun edhe me largimin e tij në Jugosllavi, pas “Revolucionit të Qershorit”, 1924. Nën titullin; “Zogolli rrëmbeu Arkën dhe xhveshi Popullin”, gazeta “Shqiptari i Amerikës” raportonte: “Pas një lajmi prej Tiranë, Zogolli, para se të arratisej (për në Jugosllavi), shkëputi me forcë prej popullit të Tiranës, 100. 000 frang ari, prej Durrësi 60.000 franga ari dhe arkën e përgjithshme të shtetit e zbrazi krejt”!

Sigurisht që ky lajm ishte në kuadër të propagandës së kundërshtarëve politikë, sepse në procesin politik, të zhvilluar pranë Gjykatës Politike të kohës së qeverisjes së Fan Nolit, korrik – gusht 1924, nuk ka asnjë akuzë për Ahmet Zogun, apo zyrtarët e tjerë të larguar me të në Jugosllavi, për abuzime financiare.

Floriri që kishte me vete Ahmet Zogu, sipas Gjon Fushës

Ndërkaq në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin 165 (Milicia Fashiste Shqiptare), viti 1939, administrohet dosja nr. 2, me titull: Informacion i një ish-oficeri zogist, mbi ikjen e Zogut dhe suitës së tij në prill të 1939-ës, si dhe shumat përkatëse në flori, që kanë marrë me vete.

Në dosje ndodhet vetëm një fletë, letër, e hartuar në gjuhën italiane, me shkrim dore, nga ish-oficeri Gjon Fusha, mban datën 10 prill 1939 dhe është protokolluar me datën 11 prill 1939. Në këtë letër drejtuar njërit prej përfaqësuesve të pushtuesve italianë, Gjon Fusha informon:

M’informojnë nga burime të sigurta, se më 08.04.1939, bagazhet e Mbretit Zog dhe suitës së tij pasuese për në Greqi, u kontrolluan nga autoritetet greke dhe kanë gjetur: 250.000 napolona ari, për Mbretin Zog, 60.000 napolona ari për Abdurrahman Matin, 40.000 napolona ari për gjeneralin (Xhemal) Aranitin, 40.000 napolone ari, për ministrat, Musa Juka etj. etj.

Suita e tij përbëhej nga: Stafi i kabinetit të tij, Gjeneral Araniti, Kolonel Hysen Selmani, Kolonel Shefki Shatku, Kolonel Fiqri Dine, Kolonel Ali Riza, nënkolonelat Komani dhe Osman Gazepi, Nënkolonel (Sami) Koka, Major Sidki Shkupi, Major Sabri Gjilani, Major Allaman Çupi, Kapiten Ndre Kurti, kapitenat Hasan Kupi dhe Xhemal Herri, Toger Hasan Kaloshi, Lejtnant Beqir Zeneli dhe shumë oficerë të tjerë të ulët.

Shumë zyrtarë i thanë (Mbretit Zog): “Të lutem, të vij me ty”, por ai u përgjigjet:

“Jo, kthehu, sepse me mua do të vuash, nuk të siguroj asgjë tjetër, përveç bukës dhe banesave”, dhe kështu shumica e oficerëve janë kthyer. Ata që e ndoqën atë dhe janë në Greqi me të, të gjithë janë të dëshpëruar. Ndihmësit e tij janë kolonel Selmani dhe nënkolonel Sami Koka.…”!

Floriri që mori zyrtarisht me vete Ahmet Zogu, sipas Hysen Selmanit

Për sasitë e parave të marra me vete zyrtarisht nga Mbreti Zog dhe pasuesit e tij në udhëtimin për në Greqi, hedh dritë adjutanti i Mbretit Hysen Selmani, në librin “Nga notimet e Zogut I – Mbretit të shqiptarëve”.

Sipas Hysen Selmanit, më 12 prill 1939, Qeveria Mbretërore Shqiptare, nën kryesinë e kryeministrit Koço Kottës, të tërhequr prej luftës me Italinë në Larisa (Greqi), u mblodh për të diskutuar gjendjen e personelit që ndodhen në Greqi dhe Jugosllavi, të tërhequr nga lufta. Kjo për t’ju bërë një ndihmë për ushqim dhe banim, nga të hollat e tërhequra prej arkës së shtetit, më 7 prill 1939, deri sa të gjendej një mënyrë për rregullimin e tyre. Ministri i Financës Mbretërore Shqiptare, Kol Thaçi, i paraqiti Këshillit Ministror, pasqyrën e shumës së tërhequr më 7 prill 1939, nga arka e Shtetit, si edhe të prishurat rreth tërheqjes siç shënohen:

Më 7 prill 1939, u tërhoqën: 23 000 napolona ar dhe 40 000 napolona letër.

Të harxhuara në Tiranë, më 7 prill 1939: 1.000 napolona letër.

Të harxhuara në Kapshticë, më 10 prill 1939: 8.000 napolona letër.

Mbetën në arkë: 23.000 napolona ar dhe 31 000 napolona letër.

Këshilli Ministror, pasi studioi pasqyrën e paraqitur nga Ministri i Financave, Kol Thaçi, vendosi të formohet një komision, për të përpiluar listat e personelit, si edhe caktimin e ndihmës që të mund t’i bëjë ballë gjendjes me ushqim e banim. Kjo, për sa kohë, deri sa të kishin mundësi t’ju rregullohet jetesa, aty ku kishin për të qëndruar.

Komisioni për të rregulluar pagesat:

Kryetar, Ministri i Financave, Kol Thaçi;

anëtar, Kryetari i Parlamentit Hiqmet Delvina;

anëtar, Ministri i Arsimit, Abdurrahman Dibra;

anëtar Kolonel për Ushtrinë Hysen Selmani;

anëtar Kryetari i Këshillit të Shtetit, Mirash Javaneu (Ivanaj);

Sekretar i Këshillit Ministror Stavri Stavro.

Komisioni përpiloi caktimin e shumës që lypsej t’u jepej dhe ia paraqiti Këshillit Ministror, për aprovim.

Shuma që përmbante: Personeli në Larisa, 9.000 napolona ar, Personeli në Follorinë 2.000 napolona ar, personeli në Jugosllavi 3.000 napolona ar; gjithsej 14.000 napolona ar.

Këshilli Ministror, pasi studioi me vërejtje listat e personelit, bashkë me shumën e caktuar paraqitur nga komisioni, megjithëse iu dukën të tepërta e sidomos në ar, ku parashikonte dhe me pagesat për 6 muaj Legatat Mbretërore në Paris, Turqi, Egjipt dhe eventualisht dhe të tjera, por pasi nuk gjeti asnjë mënyrë kursimi, e pranoi dhe vërtetoi pagesën.

Kryeministri Koço Kotta,

Kryetari i Parlamentit, Hiqmet Delvina

Ministri i Drejtësisë, Faik Shatku

Ministri i Jashtëm, Ekrem Libohova

Ministri i Financave, Kol Thaçi

Ministri i Brendshëm, Musa Juka

Ministri i Bujqësisë, Rrok Gera

Ministri i Arsimit, Abdurahman Dibra

Kryetari i Këshillit të Shtetit, Mirash Javaneu (Ivanaj)

Sekretari i Këshillit Ministror, Stavro Stavri

Hetimet e Komisionit për Verifikimin e Thesarit të Shtetit

Krijimi i komisionit parlamentar më 1991-

Në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, u ngrit një komision i posaçëm, për të verifikuar Thesarin e Shtetit nga viti 1938 – 1990.

Komisioni i Verifikimit të Thesarit, përbëhej nga nëntë anëtarë: Blerim Çela, kryetar, si dhe anëtarët me deputetë të forcave të ndryshme parlamentare, si; Shkëlqim Cani, Gëzim Luli, Thoma Miço, Vehbi Gruda, Qemal Disha, Teodor Keko, Sami Kushta dhe Behadir Bakalli.

Në raportin e këtij komisioni, informohet se si kanë vepruar regjimet e ndryshme në Shqipëri, në periudhën që përfshinte objekti i hetimit.

Raportimi i komisionit për verifikimin e Thesarit e Shtetit

Detyra që iu ngarkua Komisionit për Verifikimin e Thesarit të Shtetit, nuk mund të realizohej pa u kthyer prapa në verifikimin e dokumentacionit para vitit 1938.

Materiali, pasi u pa në komision, u konsultua me Drejtorinë e Përgjithshme të Bankës së Shtetit, si dhe me Ministrinë e Rendit Publik. 

Në lidhje me objektin e këtij punimi, nga raporti i këtij Komisioni, rezulton se; me aktin nr. 7866/2, datë 23.10.1937, ishte çelur pranë Bankës Kombëtare lokale, për llogari të Oborrit Mbretëror të Mbretit Zog: “Llogari relative e pafrytshme metal-ar në roje”, në të cilin herë pas here, futeshin dërgesa ari prej të ardhurave doganore nga kursi më i ulët i këmbimit me kartëmonedhë.

E gjithë sasia e arit e depozituar në këtë llogari, që nga 23.10.1937, e deri më 05.02.1939, zë shumën 643. 535 franga ari, e barabartë me 32.426 napolona ari, ose 209.2 kg. ar.

Prej këtyre, janë përdorur 200 mijë franga ari, ose 20. 000 napolona ari, që u shpenzuan nga mbreti Zog, me rastin e martesës së tij dhe me kremtimin e 10-vjetorit të Monarkisë. Mbetja prej 448.535 franga ari, sipas deklarimeve të ish-ministrit të Financave, Kol Thaçi, ishin për llogari të Mbretit Zog.

Me autorizimet, 2031/65 dhe 2031/79, përkatësisht të datave 31.03.1939 dhe 03.04.1939 të ish-ministrit të Financave, Kol Thaçi, u tërhoqën nga Banka, monedhat në depozitë prej 448.535 frangash ari, me urdhër që të mbaheshin të gatshme kundrejt një kërkese të papritur, që mund të bëhej nga Mbreti Zog.

Në mbrëmjen e datës 6 prill dhe përfundimisht në mëngjesin e datës 7 prill 1939, me urdhër të ish-ministrit Kol Thaçi, e gjithë sasia prej 448.535 frangash ari, duhej t’i dorëzohej në dorë vetë Mbretit Zog. 

Drejtori i Thesarit, z. Kel Naraçi, në relacionin nr. 73/1, Prot. datë 05.06.1939, paraqet këto fakte për veprimet financiare të bëra: “I nënshkruari (Kel Naraçi) dhe arkëtari i përgjithshëm, z. Ramadan Berberolli, pritshin në zyrë sipas telefonatës, së ish-kryeministrit.

Mbas pak minutave arriti në bankë një automobil i Pallatit i shoqëruar nga dy ushtarë e një toger i Gardës, i quajtur Selim Gjoçi, i cili ftoi nënshkruesin (Kol Naraçi) dhe arkëtarin e përgjithshëm, z. Ramadan Berberolli, që ta shoqëronin deri te Mbreti Zog, me të gjithë gjendjen e monedhave të arit, që u nxor nga arka nën vrojtimin e togerit Selim Gjoçi e, u fut në çanta në sasinë e treguese më sipër (448.535 franga ari), e cila sipas thënieve të ish-ministrit Kol Thaçi, do të merrej në dorëzim me proces-verbal të nënshkruar prej pjesëtarëve të Këshillit Ministruer që ishin mbledhur në shtëpinë e z. Kostaq Kotta, ku gjetëm Mbretin Zog, midis ministrave; Musa Juka, Ekrem Libohova, Faik Shatku dhe Abdurrahman Matit, Xhafer Ypit, Sotir Martinit, Allaman Çupit, Ndoc Kurtit, Jani Dallamanga, Milto Noçka etj.

Në prani të tyne i lëshuam për anë, ku kishte ndenjë Mbreti Zog, të 13 strajcat që mbajshin monedhat e arit, në llojet dhe sasitë e tregueme në konfirmacionet bashkëngjitur…!

Në shtëpi ndëgjoheshin telefonime, urdhna, nervozitet e qëndrime luftarake, në një rrëmujë e tension të papërshkuem…!

Ndërkohë, meqë aeroplanët po fluturonin përsipër, Mbreti Zog, me pjestarët e Këshillit që kish për anë, shkoi te shtëpia e vëllait të vet, Xhelalit, ngutësisht tue marrë me vete dhe arin, që ish në anë të tij.

Në këtë rast, arkëtarit Ramadan Berberolli, iu tha të shkonte përsëri në zyrë, i shoqnuem prej togerit Selim Gjoçi, për t’i dhënë edhe ç’ndodhej në arkë, si; monedha, banknota, ar etj., në dorëzim Mbretit Zog dhe për t’i çuar në shtëpinë e Xhelalit.

Z. Ramadan Berberolli, dorëzoi në shtëpinë e zotit Xhelal Zogu, 118.195 franga ari dhe qëndroi në shtëpinë e zotni Xhelalit, për me mujtë me marrë ndonjë dëftesë nga Mbreti Zog, për të gjithë sasinë e arit e të monedhave, që arrijshin 566.975 franga ari.

Vetëm pas numërimit e në ikje e sipër, pas shumë përpjekjesh, iu mor major Allaman Çupit, adjutant favorit i Mbretit, që të nëshkruante për të, një dëftesë (dorëmarrje) si kopja bashkëngjitur”.

Faik Quku, në librin “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botnore 1”, jep tregimin e kësaj çështjeje, referuar ish-Kryetarit të Parlamentit Hiqmet Delvinës: “Kur ishin largue prej Shqipnie, Mbreti kishte marrë me vedi gjithë gjendjen e arkës së Ministrisë së Financave: 30 mijë napolona ar dhe 18 mijë napolona shqiptare, për me pague nëpunësit e oficerat, që po iknin bashkë me të.

Gjithashtu, kishte marrë edhe gjenden e arkës së Kryqit të Kuq Shqiptar, reth 2.500 napolona ar. Prej këtyne pareve në Larisë, ka pague rrogat e oficerave. Me anë të princesësh Adile, i ka dërgue të ikunve në Jugosllavi 8.000 napolona. Të gjitha këto, së bashku, rreth 8 mijë napolona …”!

Të dhëna të tjera

Kurse Ylli Polovina, në librin e tij “Zog, pse ike”, sjell këtë deklaratë shpjeguese të Ahmet Zogut, për mënyrën se si veproi me Thesarin: “Më mirë që i mora unë sesa t’i lija në dorë të Musolinit…”! Sipas Polovinës, Princi Leka I-rë, është deklaruar se: “Vlera e marrë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, ishte vetëm Thesari i Kurorës, kurse Thesari i Shtetit, ndodhej në një bankë italiane në Romë”.

Në një trajtim të zgjeruar në një punim për gazetën “55”, historiani Kastriot Dervishi, konkludon se në tërësi, duhet thënë se Mbreti Zog, tërhoqi nga arka e shtetit shqiptar, në prani dhe me miratim të Këshillit të Ministrave, shumën e përafërt të 567 mijë frangave ar, që përbënin 183 kilogram ar.

Duhet kujtuar që rroga vjetore e Mbretit Zog, ishte 500 mijë franga ar. Ndërkohë në favor të tij, shkonte dhe shuma e përfituar nga shitja e një pylli në Mat.

Kjo shumë, që Mbreti Zog mori me vete, pak më shumë se rroga e një viti, u përdor për të paguar rrogat e personave që shoqëruan Mbretin dhe diplomatë (si Faik Konica), që vazhdonte t’u njihej përfaqësimi i Mbretërisë Shqiptare, në shtetet ku ishin akredituar./Memorie.al

ObserverKult


Ti do vish përhumbur në varrezë, Në Tiranë a në një fshat Devolli, Dhe do prekësh pllakën e mermertë Plot me shkronja “Dritëro Agolli”.

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: NËNA IME, E BUKURA HATIXHE!

Nëna ime, e bukura Hatixhe,
Më e bukura nga gjithë fshatarkat,
Atje në minder mbi një dysheme,
Më polli mua kur u kthye nga arat.

E britma ime u hap përmbi dhe’
Bashkë me zërat e demit e kalit,
Nëna ime, e bukura Hatixhe,
Heshtte e çlodhur dhe i gëzohej djalit.

Pastaj u mblodhën fshatarët e mi,
Faqet e parruara i ulen mbi mua
Dhe thanë:” Shumë ara do lërosh ti
Dhe shume ujë do pish në krua!”…

E vërtet, nën qiellin me re e pa re,
Lërova ara e kapërceva pragje,
Për nënën time, të bukurën Hatixhe,
Këndova këngë e thura vargje …

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


pandi laço të të them shpirt

PANDI LAÇO: TIRANA NDIHET E TRADHTUAR!

Poezi nga Pandi Laço

Tirana që ndahej më dysh
Të Vjetrën dhe të Renë
Tirana që mundohet të fshehë rudhat e thinjat
Po fajde s’bën, as mrekullia me Dervish Hatixhenë
Tirana e xhiros
Që bënte dashuri në bulevardin e saj
E që sot “luxuria” e ka zhytur në mëkate e faj

Tirana
Ku rrugë e Durrësit, Kavajës, Dibrës dhe Elbasanit
Ishin Arteriet e një zemre të etur
Tirana,
Me dhjetëra “stent”-e e “bypass “- e
Por që ende s’ka vdekur
Tirana me mushkëri atleti,
ndonëse konsumonte “Partizani”, e “DS”

Tirana me ballkonin e Dajtit
Ku mes smogut nuk arrin të shquash asgjë
Tirana e Shallvareve, Zogut të Zi, e qerpiçit
Tirana e kullave e oligarkëve
Mbirë në mes të hiçit

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult