Në prezantimin e librit “Rrugët e ferrit” të Visar Zhitit mbeti kryefjalë, nuk e di përse, fjala falje. Pas shqiptimit të saj edhe mbasi Zhiti u mundua të sqaronte çka ndiente në shpirt nuk e di përse më dukej sikur kjo fjalë nuk u tret, nuk u largua nga salla, por mbeti pezull në ajër dhe askush nuk po e largonte dot t’u bënte vend argumenteve dhe diskutimit mbi veprën e tij.
Nga Fatmir R. Gjata
Një perde e zezë binte e hapej dhe po ashtu rimbulonte ambientin me një tingull gjinkallor që rikujtonte se ishte aty akoma. Ndoshta ish përshtypja ime ose më saktë mbeti në mendjen time dhe çfarëdo flitej në sallë më sillej rrotull ajo fjalë “falja”. Ndërmend më vinin disa njerëz të veshur me tirqi që iknin nëpër dimër e kalonin në shpate të thepisura për të vajtur tek shtëpia e të vrarit, për të përcjellë një mesazh ngushëllimi dhe njëkohësisht për të kërkuar besën 30 ditëshe për njeriun e tyre të cilin natyrisht nuk e quanin vrasës, kriminel apo diçka të ngjashme.
Imagjinoja Zhitin duke fërkuar mjekrën e parruar ndoshta që nga koha e burgut dhe kokëulur do mundohej mos t’i shihte në sy. Duam besë mos na vrisni. Lajmëtarët do prisnin gjatë në odën e tij që të merrte një vendim, të jepte besën ose në rastin më të mirë t’i falte ata që i kishin bërë keq, do prisnin aty dhe asnjërit prej tyre nuk i vinte mëndja t’i thosh; na i trego plagët, ose thjesht një ohh, sa të paskan vrarë.
Do ishin njerëz të mësuar me gjak të rrjedhur nëpër korijet apo në mes të fshatit, te kroi duke pirë ujë apo duke ngritur mullarin me kashtën e grurit.
Do ishin mësuar duke parë vrimat e plumbave dhe i vetmi shqetësim do ish vrima e hyrjes dhe ajo e daljes, në gjoks a në shpinë, në krahë a në këmbë. Asnjë prej tyre nuk e ka idenë që shpirti vritet, bile plagët që mbeten atje janë shumë herë më të këqija e më vdekjendjellëse.
Ndërsa Visari fliste mundohesha të krijoja idenë se si do ish përgjigjur njeriu paqësor me atë kantilenë të bukur zëri. Ndoshta ka shkruar një poezi ose më saktë e mban në mend që nga koha kur mundoheshin t’ja grisnin trupin edhe shpirtin njëkohësisht, por nuk besoj se e ka recituar para tyre.
Ata nuk besoj se e donin poezinë, do kenë qenë armiq të betuar të poezisë, do mundoheshin t’ja kyçin gojën mos dilte nga goja e tij, t’ja lidhnin kokën mos ta mbante në mendje. Dhe poeti do tu kthente shpinën për një çast për t’u menduar çfarë lajmi do përcillnin. Ndoshta do merrte një lot nga faqja edhe do t’a fuste në xhep me dorën e dridhur për ta fshehur nga bashkëbiseduesit.
Të falësh është fisnike, fal miku im. Por në dhomë ka mbetur vetëm dhe s’ka kë të falë. Lajmëtarët nuk erdhën kurrë, u dyndën në vendin e krimit të fshihnin gjurmët.
Janë ata që merren me vendin e krimit dhe s’kanë nevojë për falje.
Nis përtyp frazën e famshme “rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”. Dhe Visari vërtitet nëpër botë duke mbartur me vete një falje të padhënë.
ObserverKult
Kliko edhe:
FATMIR R. GJATA: ZEMËR DHE RRËNJË
CIKËL POETIK NGA FATMIR R. GJATA: TË PUTH PAK BUZË TRËNDAFILUAR…