Çka është kitçi, ky djall brenda sistemit të vlerave të artit?

elsa skënderi kitçi

Sipas C. Greenberg-ut, kitçi është produkt i revolucionit industrial, që urbanizoi masat e Evropës Perëndimore dhe Amerikës dhe themeloi të ashtuquajturin shkrim-këndimin universal. Ndërsa për Kunderën, “kitçi bën që të dalin dy pika lot shpejt e shpejt njëri-pas-tjetrit. Loti i parë thotë: “Sa e këndshme është të shohësh fëmijët që vrapojnë mbi bar! Loti i dytë thotë: Sa e këndshme është të prekesh, bashkë me gjithë njerëzimin nga fëmijët që vrapojnë mbi bar! Është loti i dytë ai që e bën kitçin kitç.

Nga Elsa Skënderi


Kitçi është një formë arti që konsiderohet inferiore dhe kopje pa shije e një stili ekzistues ose një imitim i pavlerë i artit të mirëfilltë. Ky koncept lidhet me përdorimin e qëllimshëm të ikonave kulturore. për të krijuar objekte të prodhuara masivisht që nuk janë origjinale. Kitçi gjithashtu iu referohet llojeve të artit të cilat kanë mangësi estetike dhe që thjesht imitojnë artin e mirfilltë përmes konvencioneve të përsëritura dhe formulave. Sentimentalizmi i tepërt p.sh shpesh shënjohet me termin kitç.

Termi kitç përdoret edhe për veprat e krijuara vetëm për të kënaqur dëshirat e masave dhe për synime komerciale. Dy synime këto që nuk kanë të bëjnë me veprat artistike të krijuara për si vetë-shprehje e artistit. Në librin e tij “Kitçi: Bota e shijes së keqe”, Gillo Dorfles (1975)e jep përkufizimin e kitçit kështu: “Disa shkrimtarë shprehen se fjala vjen nga “sketch” e anglishtes, ndërsa të tjerë thonë se vjen nga etwas verkitschen (ta ulësh, (shesësh) lirë). […]
Termi më vonë është përdorur nga shkrimtarët anglezë dhe amerikanë për një lloj arti i cili i cili përdor mbeturinat, që merren direkt nga koshi i plehrave” .

Teoricienët e artit Theodor Adorno, Hermann Broch dhe Klement Greenberg e përkufizonin kitçin si të kundërtin e avangardës. Për Adornon në industrinë e kulturës arti kontrollohet dhe formulohet nga nevojat e tregut dhe i kalon një popullate pasive, e cila e pranon atë. Arti është art për sa kohë iu jep masave kënaqësi në kohën e lirë dhe diçka për të parë ose vështruar. Ndërsa arti jashtë kornizave të komercializmit, jashtë industrisë së kulturës është subjektiv, kërkues dhe kundërshtues ndaj shtypjes së strukturave të fuqisë.

Adorno shprehej se kitçi është parodia e katharsis-it dhe një parodi e përvojës estetike. Brochi nga ana e tij e quante kitçin “djalli brenda sistemit të vlerave të artit.” Arti për të ishte krijues ndërsa kitçi varej në artin krijues duke përshtatur formula përmes të cilave rrekej ta imitonte atë.

Kitçi për Brochin nuk ishte thjesht art i keq por formonte një sistem të tijin (shih Riout 2014). Greenbergu në esenë e tij “Avant-Garde and Kitsch”, shpreh pikëpamje të ngjashme me ato të Brochit dhe besonte se stili i avangardës ka lindur për të mbrojtur standardet estetike nga bjerrja në shoqërinë konsumatore.

Në veprën “Kitçi dhe arti”, Tomas Kulka pasi flet për specifikat e kitçit në art, trajton edhe disa specifika për kitçin letrar. Sipas tij, fundi i lumtur është një sine qua non për kitçet letrare. Çështja kryesore është që kitçi të mos ngrejë pyetje për metafizikën thelbësore dhe moralin e pranuar tashmë si të vërtetë. Kitçi përherë duhet të japë siguri dhe bindje. Bota e kitçit i ngjan botës së besimit fetar.

Thënia e Karl Marksit se feja është opium për popullin, është e vlefshme edhe për kitçin. Nuk ka kitç që mbaron me pyetje, të gjitha kitçet mbarojnë me një deklaratë (Friedlander 1990). “Kitçi është në të vërtetë tërësisht i papajtueshëm edhe me format më të lehta të pyetjes si ironia. Kitçi-i përherë nënkupton atë që thotë, dhe e thotë atë në mënyrë letrare. Nuk ka dy mënyra të të lexuarit të kitçit. (Kur një kitc interpretohet ironikisht ose si parodi, ai rresht së qeni një kitç)” (Kulka 1996, 97).

Vlera artistike e një vepre reflekton  domethënien e risive të veprës dhe potencialin e këtyre risive për përdorim estetik. Romanet kitç nuk kanë as vlera artistike as estetike, ndonëse joshja e masës prej tyre është e pamohueshme. Për Greenbergun (1990), kitçi është përvojë e deleguar dhe ndjeshmëri e rreme. Kitçi ndryshon sipas stilit, por mbetet gjithnjë i njëjti. Kitçi është konspekti i të gjihë asaj që është kallpe, në jetën e kohëve tona. Kitçi nuk pretendon asgjë nga konsumatorët e tij, përveç parave të tyre, madje as kohën e tyre.

Në veprat e kitçit nuk ka ndonjë kompleksitet apo intensitet të theksuar pasi subjekti dhe fabula janë shumë të thjeshtë. Në lidhje me unitetin, kitçit në letërsi (ashtu si në pikturë) zor se mund t’i quhet si veçori pasi uniteti mungon krejtësisht. Edhe ai pak unitet që letërsia kitç ka, mundësohet prej thjeshtësisë së linjave të subjektit.

Romanet kitç kanë ngarkesa emocionale që përligjin suksesin masiv. Historia e rrëfyer zakonisht është tepër sentimentale, ndërsa narracioni është një rregull i bazuar në një model të caktuar standard që ka funksionuar gjerësisht në të shkuarën. Ky narracion e ndjek ngushtësisht subjektin.

Kthimet mbrapa janë të rralla dhe edhe nëse ndodhin janë si rregulla dhe të lidhura drejtpërdrejt me veprimin. Nga ana tjetër prolepsat janë të pakta dhe lexuesit shpesh i jepen mjaftueshëm të dhëna se ç’duhet të presë që të ndodhë më tej. Lexuesi asnjëherë nuk bezdiset apo zhgënjehet: ai merr atë që priste. (Ndonëse jo në pikën kulmore pasi lipset që historitë kitç të kenë supsensë.)

Gjuha e e kitçit duhet të jetë sa më e thjeshtë e thjeshtë dhe stili i narracionit thellësisht konvencional. Kitçi nuk ka nevojë për interpretim. Ashtu si në artet vizuale, kitçi letrar është zakonisht kryekëput eksplicit: asgjë nuk i mbetet imagjinatës.
Madje kitçi më së shumti pengon emocionet e vërteta… ai ofron një ngjasim të emocionit që gërryen dhe degradon kapacitetin e të ndjerit atë emocion”. Heronjtë e këtyre romaneve janë steriotipikë dhe subjekti është shpesh i parashikueshëm lidhur me tiparet e tij mbizotëruese: drejtësia vihet në vend, fiton e vërteta, i ligu dënohet, ndershmëria dhe mirësia shpërblehen. Kundera thotë se ky lloj kitçi përshkruan një botë gënjeshtrash të bukura.

*Shkëputur nga artikulli “Letërsia masive”, botuar në Studime, Revistë për studime filologjike, nr.29, ASHAK, Prishtinë, 2022

ObserverKult


Lexo edhe:

SA MË SHUMË PLAKEM, PO E KUPTOJ SE DO DUHEJ TA PËRDORJA MË SHPESH ATË ‘VAFSHI NË DJALL”!