Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.
Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: “Abetare e gjuhës shqipe„ (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe„ (gramatikë e shqipes, 1886), “Dheshkronja„ (gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.
Ai shkroi edhe romanin mjaft të njohur “Dashuria e Talatit me Fitneten”, botuar për herë të parë në Stamboll më 1872.
Në vazhdim mund ta lexoni një fragment nga ky roman:
Nga Sami Frashëri
Në orën dy, të mbrëmjes Fitnetja dhe Serfirazja u ulën së bashku. Fitnetes çdo moment i rridhnin me mijëra lotë nëpër faqe dhe i binin në tokë. Në ndërkohë nga zemra nxirrte ofshamën ,,ah”. Serfirazja pa ndërprerë shikonte Fitneten në fytyrë dhe s’kishte guxim të thoshte diçka, edhe Fitnetja kohë pas kohe ngriste kokën të shikojë atë, por menjëherë ulte kokën dhe derdhte lotët e saj që tanimë për ju u bënë të zakonshëm. Që të dyja u thelluan në mendime, rrinin pa lëvizur e pa thënë fare fjalë. Thamë se ora ishte dy.
Kujdestarja hyri në derë, i dha shenjë Serfirazes të dalë jashtë, pastaj u ul në karrigë duke i thënë Fitnetes:
-Vajza ime, tani do të vijë dhëndërri, s’bën të të gjejë në këtë gjendje. Fshij sytë!…të gjitha ne kur u bëmë nuse, kemi qarë, kemi vajtuar…këso gjërash kemi bërë…kemi bërë, por jo kaq shumë. Ah! ja një orë që po qani , e tash duhet të pushoni, nuk është koha për të qarë, shiko po vjen dhëndërri, fshij sytë dhe çohu.
Kur kujdestarja i tha këto fjalë, Fitnetja mblodhi veten dhe nuk dha kurrfarë përgjigje. Nga të katër anët jehonte zëri ,,po vjen” që ishte zëri i njërës nga shërbëtoret që e thoshte më lart dhe më qartë. Kujdestarja duke mbajtur Fitneten për dore e shpuri kah dera. Vajza e mjerë nuk kishte mend në krye, nuk e dinte se ku ishte.
Nga të dridhurit i kërcëllinin dhëmbët. Hyri Ali Beu, në sexhaden që ishte shtruar në mes të dhomës fali dy reçate namaz, pastaj u ul.
Kujdestarja e mbante për dore Fitneten, trupi i të cilës dridhej si thupra në ujë, sa që ajo frikohej se mos po rrëzohej. Ajo, posa e pa gjendjen e këtillë të Fitnetes, e afroi pranë një karrige dhe e uli, e pas pak u nis të dalë, mbylli derën dhe shkoi.
Ali Beu ngriti kokën lart dhe, sapo pa fytyrën e Fitnetes, e kuptoi se ajo nuk e pranonte atë. I erdhi shumë keq dhe u pikëllua, e si të mos pikëllohej? Kur e pa Fitneten, ju bë sikur të shihte gruan e tij të parë…po atë trup, po atë shtat, po atë fytyrë, po ata sy,…krejt e krejt si ajo…
Ali Beu, posa e pa Fitneten, i doli parasysh gruaja e parë, prej të cilës ishte ndarë para shtatëmbëdhjetë vjetësh, kishte dëgjuar për martesën dhe vdekjen e saj dhe iu kujtua se ai ishte bërë shkak i vdekjes së saj.
Në anën tjetër e pa se kësaj po i rridhnin lotët si krua, ashtu me kokë të ulur e të mbledhur në vete, pra kur e pa kështu, si të mos i vinte keq!…Ali Beu u çudit, nuk e dinte se çfarë të mendojë, por tha në vete….Sa e ngjashme!…Mos është ajo?…çfarë ngjashmërie? Nga ajo kohë ka shtatëmbëdhjetë vjet. Kjo vajzë nuk është shtatëmbëdhjetë vjet. . Sa çudi!…mos po shoh ëndërr, mos nuk jam në mend? Ali Beu kështu u thellua në habi. Kujtohej si të zbulonte këtë fshehtësi dhe pandërprerë thithte cigaren, qëndronte si i hutuar, por herëherë ngrente sytë lart dhe shikonte nga Fitnetja. Si e shihte se ajo po qan, fytyra i bëhej një mijë copë!
Dëshironte t’i thoshte diçka, t’i lutej të mos qajë, por nuk kishte guxim. Mblodhi veten dhe u përpoq t’i jap një ledhatim, por menjëherë vërejti se vajza zu të rrudhej dhe, edhe më tepër ia krisi vajit.
Prandaj Ali Beu u ndal, mbështeti kokën në jastëk dhe zu të mendohej…Pasi kaloi një orë, ngriti kokën e i tha:
-Zonjë, zonjë pse po mendohesh ? A s’na thua ndonjë fjalë ? Mos të ka ardhur gjumi?…
Përgjegja e Fitnetes ishte vetëm frika dhe ofshama. Ali Beu përsëri humbi në mendime. Kështu i kaloi edhe dy orë. Gjatë kësaj kohe, Ali Beu nuk mundte të merrte guxim të shikonte fytyrën e saj, ose t’i thoshte ndonjë fjalë , por edhe ajo nuk mundte të ngrisë sytë lart të ngulur te këmbët. Në të vërtetë, që të dytë ishin zhytur në mendime dhe nuk flisnin. Nuk kishte diçka që do të prishte qetësinë, pos frymëmarrjeve të rralla që delnin nga goja e Fitnetes dhe ndrydhjes së trupit që vinte nga shtrëngimi i saj. Pasi kaluan dy orë, Ali Beu u çua duke i thënë Fitnetes:
-Unë po shkoj, ju qetësohuni pak, mbështetuni të fleni pak! Si dual nga dhoma, gjeti kujdestaren të cilën e porositi:
-Sillni një vajzë të flerë me nusen, e një tjetër të më shtrojë në një dhomë tjetër.
Kujdestarja e solli Serfirazen pranë Fitnetes, e vetë shkoi e i shtroi Ali Beut. Duke shtruar, e pyeti Ali Beun:
-Çfarë do të thotë kjo?…
-As vetë nuk e di, mos më pyt. Po të rrija edhe pak do të çmendesha. Këtë vajzë e dua shumë, ç’thua, ë?….a nuk gjason me gruan time të parë?
-Ah, po i ngjan, i ngjan shumë, i ngjan…ju gjithmonë merrni gratë e bukura…çfarë fati keni.
-Por, si do të bëhet nuk e di, meqë asnjëherë nuk i çoi sytë të më shohë, nuk ma pa as fytyrën dhe, sa herë që i flisja nuk më përgjigjej, vetëm derdhte lotë. Vetëm ta shohësh si shtangohet, si kufizohet, si ofshanë, si mblidhet në vete…
-Po, po edhe gjatë ditës bënte ashtu, ke të drejtë zotëri, se ky është adeti i vajzave, qajnë rrejshëm, bëhen se qajnë…pastaj kjo është e njomë, ende nuk e di jetën…
-Ah!…jo, jo…po të ishte ashtu! Po nuk është ashtu. E shoh se nuk shtiret, nuk mund të jetë ashtu. Ah !aq lotë, aq shumë ngushtohet, si mund të shtiret e tillë?Si mund të qajë aq? Ah, sa zemër të dobët kam! Në sy të parë e desha këtë vajzë sa që shpirtin do të jepja për të! Por kjo grua është e pabesueshme…Sikur të më pëlqente, së paku një herë do të më shikonte në fytyrë, do të më jepte farë përgjigjeje. Jo, jo, e gjithë kjo punë ka domethënie, ajo, mua nuk më do, nuk më do?
Ali Beu, duke thënë kështu, nuk mundi të durojë, ia krisi të qarit, u zdesh e ra në shtrat , kurse kujdestarja doli e shkoi. Ali Beu tërë natën ëndërroi, mendoi, u rrotullua në çdo anë, por nuk mundi të flërë…zemërohej…
Posa doli Ali Beu, Fitnetja u ul në minder dhe ia krisi vajit me të madhe. Serfirazja hyri në dhomë, shikoi përreth po në një atmosferë të tillë nuk kishte guxim të çelte gojën . U ul në një skaj të dhomës. Pas gjysmë ore që kaloi kështu, Serfirazja nuk mundi të durojë, i ra te këmbët Fitnetes:
-Aman!…Zonjë ç’është kjo sjellje, ky vaj, ky mendim?…Çfarë do të thotë kjo? Keni farë halli…po patët….nuk dyshoj për këtë…lotët tuaj nuk janë pa arsye. Por të lutem, shpirti im, këmbët t’i puth, këtë brengë tuajën, ju lutem shumë, ma thoni. Pasi keni rënë në dorën time, do të përpiqem t’ju shpëtoj nga kjo e keqe…Aman, prej meje mos fshihni gjë…
Fitnetja e pranoi lutjen e madhe, që i bëri Serfirazja, e cila i premtoi se nuk do t’i tregojë askujt. Prandaj me lotë në sy, ia tregoj krejt rrjedhën e vajit të vet. Serfirazja u dëshpërua shumë, i erdhi keq për Fitneten dhe qau edhe vetë.
Të dy vajzat, ia qanë hallin njëra-tjetrës deri në orën nëntë. Atëherë Serfirazja e detyroi Fitneten të flente.
Mëngjesin e ardhshëm Ali Beu u çua, tërë natën nuk kishte fjetur, sytë i ishin ënjtur, i kishin dalë si kokrra arre. Dëshironte të shohë Fitneten , hapi ngadalë derën, hyri në dhomë dhe e pa se e mjera flente ende.
Flokët e saj si mëndafshi i derdheshin në jastëk, duart i kishte vënë nën kokë, kurse jastëku i lagur me lotë dukej sikur të ishte mbytur në ujë, e lotët i ishin tharë në faqe…Ali Beu, kur e ka pa kështu, u step si shtatore, u çudit dhe nuk lëvizi fare. Pas pak u përkul dhe deshi ta puthë në faqe ku i ishin tharë lotët. Posa uli kokën dhe i afroi buzët te fytyra e saj, përnjëherësh në trup ndjeu njëfarë dridhjeje, një ftohje dhe u tërhoq shpejt.
Me të madhe zunë t’i dridhen gjunjtë dhe nofullat. E kapën ethet, u çua dhe shkoi në dhomën e tij. U shtri në një kanape dhe ia nisi të qajë e pastaj shtoi në vete: ,,Ah, sa gjë e çuditshme, këtë vajzë ende s’e pashë. Pse më erdhi kështu? E dua, por nuk mund të rri përballë saj, nuk mund ta shoh në fytyrë, t’i them ndonjë fjalë…nuk kam guxim të kërkoj mëshirën e saj. Madje aq shumë po qan, sa e pikëlluar dhe e mërzitur po rri!
Vallë ç’do të thotë ky dëshpërim dhe vajtim? Mahi nuk është…fëmijë nuk është …ka farë kuptimi kjo? Po, ka kuptim, por çfarë kuptimi mund të ketë? Mua nuk më do…, po, mua nuk më do!
Vallë a mos do dikë tjetër ?…
Nuk mund ta di këtë , por mua nuk më do, nuk më do dhe fund. Mua nuk më do, por unë e dua atë! e dua pra!e dua me zemër! e dua, pra kjo është arsyeja që menjëherë e dashurova. Kjo dashuri imja nuk është diçka e re…Është përtëritje e asaj të vjetrës, si ajo me gruan e parë.
Kjo aq i përngjan të ndjerës, sa që kur e pashë m’u duk sikur pashë atë….dhe dashuria ime që mbaroi me atë, tash u ngjall me këtë. Çfarë dhuntie e Zotit është kjo!
Këtu ka njëfarëfshehtësie, e dua, por ç’të bëj, ajo mua nuk më do! Nëse heq dorë…po nuk do të mund të heq dorë, si bën të heq dorë….mirëpo duhet të heq dorë, ç’të bëj? Si mund ta pengoj lirinë e saj, po si mund të jetoj me të? Oh, oh, o Zot!…Çfarë halli është ky!
Çfarë dënimi!…Si t’ia bëj!…do të çmendem”.
Ali Beu me kësofarë fjalësh në kokë mendohej, përderisa rrinte ulur dhe endej nëpër dhomë. Më vonë e njoftuan se Fitnetja ishte zgjuar.
Ali Beu shkoi pranë saj. Përsëri, si në mbrëmjen e shkuar. Fitnetja kishte ulur kokën, herë qante e herë ofshante, herë shtrëngohej dhe fare nuk ngrente kokën. Ai Beu ra në mendim të thellë, nuk kishte guxim të thotë gjë. Posa pa fytyrën e Fitnetes i rrodhën lotët…Një javë kaloi kështu.
Kur rrinin bashkë, të dytë rrinin të ngrirë si shtatore, njëri në njërin skaj të dhomës e tjetri në skajin tjetër. Kur ndaheshin, e shkonin duke qarë thuajse e kishin humbur krejt shpresën për jetë.
(Shkëputur nga romani “Dashuria e Talatit me Fitneten” i Sami Frashërit, Rilindja, Prishtinë, 1984)
Përgatiti: A. S/ ObserverKult
Lexo edhe:
SAMI FRASHËRI: E MJERA NËNË, PO QAN PËR MUA, IA KËPUTA SHPRESËN E JETËS…
Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.
Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: “Abetare e gjuhës shqipe„ (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe„ (gramatikë e shqipes, 1886), “Dheshkronja„ (gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.
Ai shkroi edhe romanin mjaft të njohur “Dashuria e Talatit me Fitneten”, botuar për herë të parë në Stamboll më 1872.
Në vazhdim mund ta lexoni një fragment nga ky roman:
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult