Dostojevski: Shiko si po dridhem tani… eh, sikur ta dije se sa shumë të dua…

thenie të dashurosh dostojevski quotes
Fjodor Dostojevski

Fragment nga novela “Një zemër e dobët” e Fjodor Dostojevskit

Nga Fjodor Dostojevski

Vasja, i dashuri im!-klithi Arkadi Ivanoviçi nga gëzimi.

-Unë kam folur siç më ke thënë ti; gëzohem që ndërrove mendje dhe e more veten. Por, sido që të jetë puna, çfarëdo që të ndodhë, mua do të më kesh pranë, mbaje në mend këtë që po them!

E shoh që ty po të torturon mendimi që unë të mos i them gjë Julian Mastakoviçit, -dhe s’kam për t’i thënë, asgjë s’kam për t’i thënë, ti vetë ke për t’ia thënë.  E di si është puna? Ti nesër s’ke për  të shkuar… Apo jo?

Nuk ke për të shkuar. Ti do të vazhdosh të shkruash këtu. A më kupton? Kurse unë do të marr vesh atje se si është kjo punë, a është shumë urgjente apo jo, a duhet në afat ose jo, dhe, nëse i shtyhet afati, ç’mund të ndodhë pastaj.

Pastaj do të vij te ti me vrap… E shikon? E shikon? Tani e kemi një shpresë; se ja, përfytyroje; sikur puna të mos jetë urgjente, mund të dalim me qar. Julian Mastakoviçi mund të mos na e përmendë dhe atëherë çdo gjë është jashtë rrezikut.

Vasja tundi kokën në shenjë dyshimi. Por sytë e tij mirënjohës s’po shqiteshin nga fytyra e mikut të tij.

-E po mjaft, mjaft më! Jam dobësuar kaq shumë, jam lodhur kaq shumë, -po i thoshte ai tek merrte frymë me zor, -saqë edhe vetë s’kam qejf të mendoj për këto gjëra.
Nejse, le të flasim për gjëra të tjera!

Unë, që ta marrësh vesh ti, tani, besoj, as që kam për të shkruar, vetëm nja dy faqe kam për të mbaruar, qoftë edhe sa të arrij deri në fund të donjë fjalie. Dëgjo… Kam kohë që kam dashur të të pyes: si është e mundur që ti më njeh kaq mirë?!
Lotët që rridhnin nga sytë e Vasjes, pikonin mbi duart e Arkadit.
-Sikur ta dije, mor Vasja, se sa shumë të dua, ti s’do të më pyesje për një gjë të tillë! Po, po!
-Po, mor Arkadi, po, unë këtë s’e di, sepse…sepse s’e di se për ç’arsye ti më deshe kaq shumë ! Po a e di ti, Arkadi, që, madje, dhe dashuria jote mua më ka marrë në qafë? A e di ti se sa herë, sidomos kur shtrihesha të flija dhe mendoja për ty (se unë gjithmonë mendoj për ty kur më zë gjumi), shkrihesha në lot dhe zemra më dridhej ngaqë, ngaqë…

E po, ngaqë më doje aq shumë, kurse unë s’kisha me se ta lehtësoja shpirtin tim, s’kisha si të të falënderoja…

-E shikon, Vasja, e shikon se ç’njeri je ti?!…Shiko se sa i tronditur je tani, -po i thoshte Arkadi, të cilit, në këto çaste, po i lëngonte shpirti tek solli ndër mend skenën e djeshme në rrugë.

-Boll më! Ti do që unë të qetësohem, kurse unë asnjëherë s’kam qenë kaq i qetë dhe kaq i lumtur sa sot!

Se, që ta dish…Do të dëshiroja të t’i zbrazja të gjitha, por gjithjë trembem të të hidhëroj… Ti një e dy hidhërohesh e më shkrehesh mual kurse mua më vjen frikë… Shiko se si po dridhem tani dhe s’e di për se. Se, që ta dish, ja se çfarë dua të them: më duket që s’e kam njohur veten më parë. Po, po! Se edhe të tjerët po dje i njoha. Unë, more vëlla, nuk i kam ndier, nuk i kam vlerësuar gjërat plotësisht .

Zemrën e kam pasur gur… Dëgjo se si ka ndodhur që unë askujt, askujt s’i kam bërë ndonjë të mirë në këtë botë, se nuk mund t’ia bëja dot… unë edhe nga pamja jam i mërzitshëm…
Kurse mua gjithkush më ka bërë të mira! Ja, ti i pari. Vallë s’e kam vënë re unë këtë? Po unë vetëm kam heshtur, vetëm kam heshtur!

(Shkëputur nga novela “Një zemër e dobët” të autorit Fjodor Dostojevski )

Përktheu: Eshref Ymeri

Përgatiti: ObserverKult

thenie të dashurosh dostojevski quotes
Fjodor Dostojevski

Lexo edhe:

HISTORIA PREKËSE QË FSHIHET PAS FOTOGRAFISË VIRALE TË VIOLINISTIT TË VOGËL