Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë këngëtarit, Françesk Radi.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Kjo foto e artistit të njohur të këngës së lehtë shqiptare, Françesk Radi (Tiranë, 1949 – Tiranë, 2017), i takon muajit shtator të vitit 2009. Ajo është realizuar në studion e muzikës së RTSH-së, ku shkova bashkë me muzikantin e njohur Selim Ishmakun, mik e shok i përbashkët i të dyve.
Nga Qerim Vrioni
Franko, si e thërrisnin miq e të afërm, kishte mbaruar studimet për kontrabas, por shpejt nisi të këndonte i shoqëruar nga kitara si edhe të kompozonte. Kështu, këngë të tij si “Adresa”dhe “Biçikleta” u kthyen në hite për rininë e kohës. Ato këndoheshin në veprimtari të ndryshme kulturore e artistike, por sidomos nëpër mbrëmje vallëzimi në shkolla e qendra pune.
Në vitin 1972, ai kompozoi dhe këndoi edhe një këngë kushtuar Luftës në Vietnam, ashtu si shumë kolegë të tij nëpër botë, që ndryshe nga Radi, patën publicitet ndërkombëtar, çka për Shqipërinë as mund të mendoheshin. Ai ka kënduar edhe disa këngë të tjera të kompozuara vetë, duke çelur rrugën e kantautorëve, e ndjekur më pas edhe nga kolegë të tij.
Pas bisedave të rastit, fjalët u përqendruan kryesisht te muzika e lehtë shqiptare dhe e huaj, mandej Radi më pyeti miqësisht se çfarë do më pëlqente të dëgjoja nga ai. Iu përgjigja në çast me pak tituj, midis tyre të këngëtarit Italian, Adriano Çelentano, të cilin, qysh prej rinisë së hershme, nuk kisha pushuar ndonjëherë së admiruari.
Ai mori kitarën menjëherë dhe këndoi shkurtimisht disa këngë, mes tyre edhe të Adrianos. Pas ekzekutimit, e falënderova dhe shkëmbyem opinionet tona për muzikën e lehtë, sidomos për rolin e rëndësishëm të Festivalit të Radios në kultivimin dhe ruajtjen e nivelit të këngës së lehtë shqiptare. Ndërkohë fillova ta fotografoj. Nga shkrepjet e aparatit, veçova këtë ku Radi nuk po këndon, po mendon. Ishte, ndoshta ende nën pushtetin e teksteve dhe muzikës së këngëve të sapo përfunduara, por që ende i jehonin në shpirt.
Kështu do të mbetet përherë edhe në kujtesën time muzikanti Françesk Radi, me kitarë në duar dhe plot mendim në shikim.
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E FOTOGRAFISË SË ALI PODRIMJES, SHKREPUR NGA QERIM VRIONI