Petrit Palushi: Vepra e Agim Spahiut erdhi si demonstrim i një poezie ekzistencialiste

Në 30-vjetorin e vdekjes të poetit Agim Spahiu (5 prill 1952 -14 dhjetor 1993)

Nga Petrit Palushi

Agim Spahiu, autor i disa vëllimeve poetike, ku poezia e tij më e përzgjedhur u përmblodh në librin “Njeriu mbi pikëllimë” (Buzuku, Prishtinë 1993), por që autori për shkak të vdekjes tragjike të parakohshme s’pati fatin ta merrte në duar, krijoi një poezi emancipuese: në frymë, në stilistikë, thënë pak më ndryshe, një harmoni të plotë në gjithë përbërësit që parasheh një poezi e kultivuar.

Është i saktë konstatimi i poetit Visar Zhiti se:

“Deshi këngët e vendlindjes, por edhe ato të Uitmanit, poezinë klasike të atdheut e mbi të gjitha ato moderne të Kosovës. Dhe si një përzierje e tillë u shfaq, gjithmonë si Agim, befasues, me fërgëllima drite e davaritje muzgjesh veriore …”

Kësisoj, vepra poetike e Agim Spahiut, vijimisht vjen befasuese, kryesisht si poezi lirike, por edhe si një demonstrim i një poezie ekzistencialiste.

Në vazhdim ju sjellim disa poezi të Agim Spahiut:

Unë, i zakonshmi yt

Shpesh shpërthej e dal prej gjoksit tim
si Drini në vjeshtë,
shpesh, sa shpesh!
Ki durim! Jam në mrekullinë e krijimit.
Nga shtegtim’ i vrullshëm shpejt do kthej
te i zakonshmi yt i drojtur. Ki durim!
Asgjë e ligë s’del prej gjoksit tim.
Ki durim dhe besim,
edhe pse je e lodhur më ofro fisnikëri e mirësi
(Pak, oh sa pak!)
Dhe shih: kur të jem qetësuar një mal do të jap…
Dora jote mbi ballë,
një përkëdhelje dridhëse, e dashura ime,
një shëtitje dashamirëse e gishtërinjve
mbi vullkanin tim në shpërthim,
një fjalë e mirë… Heshtje, heshtje e mençur.
Dhe shih,
nga çasti solemn i krijimit do të kthejë
i mrekulluar e i çliruar dhjetëfish,
i drojturi, i treturi, i zakonshmi yt.

Dhe fëmijët rriten

Më e shtrenjtë se buka, më e pashme se lulja
ishe për mua,
(Sa zor e kam t’i marr nëpër duar, t’i hap
fletët e viteve që shkuan!)
U miqësova me librat dhe heshtjen,
të isha i ditur, i mençur,
fitova krenarinë tënde me pak përhënie,
ecjen dhe përshëndetjen…
Dhe vrapoja të shihja, të thosha një fjalë,
(Ora nuk plakej pa të parë!)
Edhe pantallonat i mbaja në ngjyrën që të pëlqente
për një vështrim, për një buzëqeshje…
Tash që na shtohen thinjat e grindjet
dhe fëmijët rriten,-mendjen atje e mbaj.
Të lutem, mos më bëj të qaj!

Vizatime dashurie në terr /Kënga 3/ Mall

… s’më lë mjegulla të të shoh, of, të të shoh,
pezmi im,
helmi im!
E largoj me dorë – afron,
me krahë e pres – qesh e më mbulon,
më mbështillet, rreth meje përdridhet,
i fryj sa kam fuqi e prapë s’të shoh ty, helmi im,
pezmi im!
Dhe dal nëpër hënë vetëm, kur mjegulla ka tretur,
qaj kodrat me radhë, qaj malet e larta
e ti s’je as zë as hije, laznorja ime…
S’më lënë njerëzit të të prek, of, me ty të flas,
të qesh,
s’më lënë dhe dal nën hënë vetëm,
kur njerëzit kanë fjetur.
Shtrihem mbi barin që dhemb për hapin tënd
e ti s’je më as zë as hije, laznorja ime…
Vetëm-o, cingthi – pres mjegull të mos ketë
e prapë të shoh, të prek, të flas e të qesh me ty,
helmi im, pezmi im!

Lamtumirë, dashuri

Unë po vdes pak nga pak . . . pak
nga pak,
pak,
a nuk e ndien se unë po vdes nga këmbëngulja
për të mbetur i kristaltë, i tejdukshëm si një qelq?!
Dhe veten pjesëtoj në ëndrrat që besoj . . .
A nuk e ndien se po vdes nga dashuria?!
Nuk ju beson më fjalëve, fluturimeve të mia,
nuk qesh e nuk loz, as më përqafon dot.
Dashuria mungon . . . dashuria mungon,
u tret e u shkret dashuria që më beson!
A nuk e ndien se unë po vdes
në luftë me shëmtirën e gjakut, të rrugës e qytetit,
bile edhe me më të largtën: të shtetit e supershtetit,
në luftë me masakrën, padrejtësinë dhe vesin . . .
A nuk e ndien se po vdes nga mosdashuria?!
Si ajri më rrethon indiferenca dhe përbuzja,
ooo, sa e gjatë qenka rruga!
Ku je, dashuri, që ende më beson?
Shpejto! Ti rron, rron, rron!
Pak nga pak po vdes . . . pak
nga pak,
po vdes.
A nuk e ndien se gjithçka imja po shkon?
Lamtumirë, dashuri, që ende më beson!

* * *
Mbi botë
një orë e paqtë
si gusha jote
zbardhtë!

ObserverKult


Lexo edhe:


AGIM SPAHIU: KUR S’TË SHOH, E DASHUR…