Nga Visar Zhiti
60 vjet më parë, e pushkatuan dhe ishte vetëm 31 vjeç, poet… vrasja ndodhi dy ditë para Krishtlindjes nga një regjim gjakatar ateistësh, pa besuar kurrë se mund të kishte dhe ringjallje…
Poeti i pushkatuar Trifon Xhagjika
“Më jepni një top, t’i bie Komitetit Qendror, sistemit tuaj!” Këto ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues.
I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, siç dhe u pëlqente sundimtarëve, që të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si emblema të dhunës me sopatë në dorë, që drithëronin botën.
Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top…
– Është artilier…
– Ashtu?…
– Po, po… dhe poet…
– E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qëndror…
– …ta shëmbë me gjithë ata brenda, udhëheqjen e lavdishme….
– Qenka i çmendur… kam frikë…
– Se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë… Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy…
– Kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli. Po ku është liria? – pëshpëritej gjithandej jashtë sallës së gjyqit, siç kishte thirrur që sapo ishte dënuar me pushkatim.
Policët po e futnin për në makinë, duke e mbajtur nga krahët fort, egërsisht dhe me një lloj adhurimi të frikshëm, Ç’qenkësh ky kështu?!
Dimër i keq. Dhjetor, 1963. Data 23. E pushkatojnë natën… ku-ku?… Dhe pas dy ditësh do të mund të festohej Krishlindja, aq sa lejohej? Dhe pas një jave Viti i Ri, nëse do të vinte… ?
Poeti Trifon Xhagjika
(1932 – 1963)
U lind në Peshtan të Tepelenës, në pranverë, në prillin e dashurisë, siç thotë kënga popullore, në datën 20, në vitin 1932.
Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohën e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte dhunshëm duke pushkatuar dhe poetë.
Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve 50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë.
Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli, sepse donte të vazhdonte fakultetin për Letërsi.
Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmëndjen e lexuesve e të poetëve të tjerë… E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve e më vonë në gazetën “Luftëtari”.
Në vitin 1959 i përmblodhi poezitë e tij në një libërth hollak dhe nën kujdesin e kritikut avangardist Drago Siliqi i boton me titullin “Gjurmët”, ku ndihej romantiku dhe rebeli, që seç kërkonte. Gjithsesi është gjurma e tij e parë.
Mjaft nga ato poezi u bënë dhe këngë, madje dhe himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë studentësh me uniformë, edhe kur ai s’ishte më..
Sipas rrëfimeve të motrës së tij, “Trifoni kishte ndryshuar kohëve të fundit”, para arrestimit, kuptohet, ishte bërë më i vrenjtur, i shkonte, se vishej dhe bukur, kur dilte civil.
Linën, asaj që i kishte kushtuar qindra vargje, e donte siç dinte të donte ai, por po rrinte gjithnjë e më shumë me ata, të pa kënaqurit me sistemin, siç thuhej atëherë, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin.
“Njërit prej tyre i gjeti një kamerdare të madhe, që ngjallte dyshime se përse e donte, ia mori një kushëriri dhe e përcolli vetë atë që do të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit.
Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin…
Në gjyq e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata vetë, gjyqi, shteti, partia. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij të pa botuara, ato kundër… Dhe nuk u pa më…
Dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin shkrimtarë, gazetarë, etj, se atë… kë?… atë që ngjante me Lermontovin, poet ushtarak, që qeshte aq çiltër dhe i shkëlqenin sytë?… e kishin pushkatuar… Ku?… Pse? Ishin grup…
…andej nga liqeni i Pogradecit, në zona të dyshimta, u kapën në përpjekje për t’u arratisur. I denoncuan shoferët e rrugës, i priste një major me çantë shpine, sipas Shërbimeve Sekrete.
Ja emrat e grupit, dy vëllezërit Thoma dhe Stavri Rafaeli, dy gazetarët Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, por dhe Robert Vullkani, botues e përkthyes, si dhe një tjetër shok i tyre, Franko Sara e bashkë me ta, poeti Trifon Xhagjika.
Të parin dhe të fundin i pushkatuan, të dy ushtarakë, kur në të vërtetë, ky i dyti nuk donte të arratisej, të paktën asaj herë me ata.
Këto të dhëna janë sipas Dosjes që ka hapur gazetari Mero Baze. Trifoni ishte më antikomunisti dhe pro perëndimori, dhe, nëse do të vendoste të ikte, do të arratisej për në Itali, shkruan M. B.
Grupin, siç e kemi parë, e përbënin intelektualë të njohur, të letrave dhe të muzikës, ushtarakë, një pjesë e tyre kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste, kishin dhe gra të huaja, ruse, hungareze, të rrezikshme pas prishjes së marrëdhënieve me ato vende. Trifoni i kishte pajisur me mjetet që do të duheshin për arratisje.
Trifoni ndërkaq kishte botuar një libër. E lehtësonte apo e rëndonte ajo gjendjen e tij? Në dosje do të ishin poezi të tij, disidente, armiqësore, të guximshme deri në tmerr ashtu si traktet që kishin shpërndarë.
Të tjerët e grupit, që i lanë gjallë, do t’u jepnin dënime të rënda dhe do të çoheshin burgjeve për t’i pushkatuar më vonë.
- * *
Kur unë vajta në burgun e Spaçit, gjeta një gjendje të rëndë në kamp, të përzishme që ndihej që në ajër, të gjithë të burgosurit më dukeshin si me një plagë plumbi, që e zinin me dorë për të mos u rrjedhur i gjithë gjaku.
Ishin pushkatuar dy bashkëvuajtës, gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, se kishin dërguar një letër në Komitetin Qendror kundër Enverit.
Bashkë me ta ishte pushkatuar dhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprenca, pro perëndimor. Bashkëvuajtësi im, Astrit Xhaferri, me të cilin u bëmë miq në Spaç, më tregonte se e kishte njohur Trifon Xhagjikën, i fliste për guximin e poezisë, edhe për gjuhën e saj, fjala duhet gjetur në vuajtjen e popullit, u thoshte.
Dorëshkrimi i Trifon Xhagjikës
Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim.
Ishim ballë për ballë dy të dalë nga burgjet, unë dhe Ylli, vëllai i Trifonit, ai që kishte thirrur në sallën e gjyqit: “Kokën lart!” dhe gjykatësit urdhëruan t’i hidheshin hekurat dhe atij.
Poezitë mbi tryezë fërgëllonin dritshëm. Po përlotesha edhe unë pas Yllit…
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpuste një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur,
por sa i vogël qenka!
Asnjë degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore,
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër,
Po e kërkuat Atdheun, e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj!
Atdheu është lakuriq!
1963
Këto poezi Trifoni recitoi dhe në gjyqin e tij, kur i dhanë dënimin me vdekje. Atë vit e kishte shkruar gjithë dhimbje dhe forcë. Atdheun që e merr për dore për ta rritur në zemër, ndërsa atdheu po e vriste.
Që po ta kërkonin atdheun e humbur, e kishte ai. Ku? Nën dhe? Vaj dhe thirrje dhe testament të tillë nuk kishte patur poezia e re shqipe.
U tronditën dhe ata që e dëgjuan jashtë, të recituar në një takim poetësh në Itali, në një kështjellë në Bari, ua dhashë unë të përkthyer.
“Atdheu është lakuriq”, me këtë titull vendosëm të botonim librin e tij me vjersha, të parin pas rënies së diktaturës, do ta përgatiste poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa liriku Jorgo Bllaci dhe unë, ish-të burgosur, bëmë dhe redaktorin, se punonim së bashku në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, aty ku kishte nisur dënimi im.
Donim t’i ishim pranë Trifonit, të ringjallnim sado pak diçka nga martirizimi i tij heroik.
Libri i parë i Trifon Xhagjikës, i botuar postume, pas rënies së komunizmit
Po ku është varri i tij? Bashkë me lulet t’i çonim dhe librin e ri Balta s’tregon asgjë. Veç libri, ama, vërtet kishte vezullime të mermerit… Ndiheshim të lumtur që e botuam. Po ç’lumturi zeza!
Dhe do të gjendeshin poezi të tjera, duhej botimi tjetër. Ylli më kërkonte në gazetat ku bashkëpunoja në Tiranë. Se kush i tha që s’jam. Donin që unë të mos isha.
Po Trifoni Xhagjika tani u duhej më shumë të tjerëve, jo vetëm neve, që vinim nga burgjet, që dhe ishim pushkatuar me të, sado pak. Dhe doli “Poezia” e tij e plotë, në shekullin e ri dhe mijëvjeçarin e ri.
Shqipëria ka nevojë për guximin dhe ëndrrën e tij.
Miq!
Dëgjoni trokëllimat e kalit të harbuar?
Jam unë!
Poeti spanjoll Garsia Lorka po vinte kështu? Po dhe atë “si një Krisht mes hajdutësh në Granada e vranë – thotë Ernesto Sabata. – Krim i urryer, simbol i kësaj bote, e cila pas çrrënosjes së poezisë, lartësoi në vend të saj vrazhdësinë dhe frikën”
Jo, po guxonte të vinte i pushkatuari tjetër, Xhagjika ynë. Nuk paskan të njëjtë vetëm fundin tragjik por edhe kalin e poezisë. Trifon Xhagjika ecën dhe reciton. Ja, fundi i poemës së tij, “Këngë e verbër”, kushtuar Republikës:
Ç’të të këndoj më?
Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot. Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh. Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura do të dëgjosh zërin tim: “Të urrej o Republikë, lavire e zotërve gjakprishur!”
Prill 1962
Vramë po të duash!!! O Zot, e dinte ç’bënte! Mbas një viti do ta pushkonin.
Në vendlindje, në Peshtan, vendosën një bust të tij miqtë e rinj të pasvdekjes. Por ai duhet të jetë kudo, në kujtesë, në kryeqytetin e dhimbjes, në poezi…
Poeti ende pa varr, kush ishte Trifon Xhagjika
Trifon Xhagjika ka lindur në Peshtan në vitin 1932. Viti i parë i shkollës së Trifonit ishte po aty. Lufta ItaloGreke, i detyroi Xhagjikajt e Trifonit, të vendosën në Tiranë, afër rrugës së Dibrës.
Deri në vitin 1950 ai përfundoi dy vite të Normales së Elbasanit në degën pedagogjike. Në vitin shkollor 1950-1951 ai ka kryer një vit të Shkollës së Partisë në degën gazetari dhe në vitin 1951 ka punuar si redaktor në revistën “Pionieri”.
Në Mars të vitit 1960 arriti të transferohej në Ministrinë e Mbrojtjes si redaktor në degën e rregulloreve, për shkak të shkollimit gazetaresk që kishte. Aty dhe u arrestua.
Sot ne nuk dimë ende varrin e Trifonit. Ndoshta gjetja e dosjes së pushkatimit që mund të jetë në arkivën e Ministrisë së Brendshme mund të na çojë diku. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij.
Në vitin 1959, botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”.
Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur.
Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua.
Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”.
Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.
Motra e poetit të martirizuar, e cila sot nuk jeton më, ka rrëfyer në një intervistë të mëhershme për gazetën “Tema” për qëndrimin dinjitoz të Trifon Xhagjikës në sallën e gjyqit , “ku shpërtheu i rebeluar “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!”
Kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve.” Edhe pse kanë kaluar 61 vjet nga ekzekutimi i tij, ende nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij dhe dorëshkrimet e blloqet me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit…/panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA DONIKA DABISHEVCI: IK DIELL, SHKO!
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Donika Dabishevci.
Ik diell I
Fole nji fjalë burrë
pashë ata sy tu,
shkrepe t’shkretën,
t’fundmen fjalë me mu
e ik i qeshun – kënaqu!
Monstër!
Digjmë…!
Le t’më diftohet e sotmja,
ti dritë tuj ba
e unë tuj tu gjunjëzu,
veç për nji fjalë burri
për nji fjalë me mu.
Shkrepe t’shkretën
gjuhëvrazhdë,
shkrumom e ik!
Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:
NAZIM HIKMET: VAJZË E VOGËL NGA HIROSHIMA
Poezi nga Nazim Hikmet
Hapmani derën, jam unë…
trokas në derën e të gjitha shkallëve
por askush s’më sheh
sepse fëmijët e vdekur, askush s’arrin t’i shohë.
Jam nga Hiroshima dhe atje kam vdekur
shumë vite më parë. Shumë vite do të kalojnë.
Isha shtatë vjeçe, atëherë: edhe tani jam po aq,
sepse fëmijët e vdekur nuk bëhen të mëdhenj.
Kisha flokët të shndritshëm, zjarri m’i përzhiti,
Kisha sy të bukur, të kthjellët, zjarri m’i qelqoi.
Një grusht hi, kjo jam unë tani
sepse hirin pastaj e shpërndau era.
Hapmani derën; ju lutem, jo për mua
Sepse mua nuk më duhet më as bukë as oriz:
nuk kërkoj më as edhe sheqer:
një fëmije të djegur si një gjethe e thatë s’i duhet më.
ObserverKult