Lamtumirë, maestro! Ndahet nga jeta shkrimtari Adem Gashi

adem gashi antologji atdhedashuri

Është ndarë nga jeta në moshën 70 vjeçare shkrimtari i njohur Adem Gashi.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët e tij përmes rrjeteve sociale.
“Sot në mëngjes, baba ynë Adem Gashi ndërroi jetë. Varrimi i Ademit bëhet sot (e martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc\ Drenas”, shkruan djali i tij Dardan Gashi.

adem gashi



Adem Gashi ka lindur në Nekoc të Drenasit më 1953. Ka studiuar për Letërsi dhe Gjuhë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ka punuar si mësimdhënës në vendlindje. Nga viti 1977 e deri në 1990 në Radiotelevizionin e Prishtinës e pas lufte në RTK. Ka qenë edhe drejtor i Zyrës për komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Gashi është autor i 22 librave (romane, eseistikë, tregime e poezi) e po ashtu edhe i qindra teksteve të këngëve.
Ka botuar:

POEZI:
PA OMBRELLË, 1982
DUKE PUNUAR AUTOPORTRETIN, 1985
REALITETI OBJEKTIV*, 1990
ËNDRRA TË LIGA, 1995
DORËSHKRIM I DJEGUR, 2000
LULET E VETMUARA*, 2001/2002
LADY MAK(TH)BETH*, 2006

KTHIMI I PAMUNDUR, LADY**  2013

LABIRINTET E MAKTHIT (Lady 3), 2015

S’I DUHET KUJT GJAKU IM, 2016

SHI DHE ZOG I VETMUAR, 2016

DITËT PA GJË*, 2017

VIZATIMI I VETMISË NË LETRËN E BARDHË, 2017

TREGIME:
VDEKJA E MIXHËS, 1987
PËLLUMBI I PAQES, 1989
UDHËTIMI I FUNDIT*, 2002

ROMANE:
A…ZH – VETËTIMAT E NËNTORIT, 2005

DITA TJETËR E JETËS,  2014

ESEISTIKË, VËSHTRIME E STUDIME:
NOSTALGJIA E LETRËS, 2003
PORTALI I FSHEHTË I JETËS
(Shënime nga shtëpia e Heinrich Bëll-it) 2007

Është nderuar me rreth 50 çmime letrare. Në viti 2022 Gashi ishte fitues i Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, i cili ndahet nga Ministria e Kulturës.

ObserverKult

——-

adem gashi

Lexo edhe:

BUQETË POETIKE NGA ADEM GASHI: PARA TRUPIT TË NJË GRUAJE

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Adem Gashi:

TI E DI VESIN TIM

Shumëçka në jetë përsërisim
mësimin, klasën, gabimin
na duket nganjëherë sikur jemi përsëritës të përhershëm
pa dashur,
veçse kur duam ta përsërisim vetë jetën
shpirti na thotë: këtu fillon mbretëria tjetër
duke lënë pengun buzëplasur.

…dhe, sërish erdhi ditëlindja jote
këtu, atje, seku të gjeti
në ç’hapësira të kësaj bote
duke shaluar aligatorë, elefantë, deve a Chevroleti?

Veçse vesin tim ti e njeh tashmë:
të mos uroj njeri për ditëlindje,
pa çka se shpirtin rob e lë
në itineraret e tua, në arratitë e shëtitjet.

S’ka gjë, malli le të përsëritet
me gjithë peshën e vuajtjes sa një tren a avion
Rëndësi ka që me zogun e blertë e zemërak
të kujtoj e më kujton.

ME TË DASHTË

Ti ishe afër, aq afër sa deti me valë,
aq afër sa afër qe dita
si një nuancë e emrit tënd.

Tani ike larg,
aq larg sa pamundësia
dhe nuk ma the
pse zura ME TË DASHTË?

Ike larg duke tundur dorën:
Mirupafshim!

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult