Tregimi interesant i Sokratit që i la gojë hapur të gjithë

Sokrati i madh e kishte bërë zakon që të qëndronte mbi një gur të madh, në qoshen e tregut dhe të mbante ligjërata, në të cilat u fliste njerëzve mbi tematika të ndryshme rreth jetës dhe filozofisë.

Njerëzit kalonin pranë tij, ia vinin veshin për pak kohë, pastaj largoheshin, pa treguar ndonjë interes për filozofinë e Sokratit.

Duke parë njerëzit që nuk tregonin pikën e interesit për filozofinë, Sokrati mendoi të provojë diçka tjetër. Ai deklaroi me zë të lartë se do të rrëfente një tregim shumë të bukur. Menjëherë, të gjithë ata që e dëgjuan njoftimin, u afruan, gjithë kureshtje se çfarë do u dëgjonin veshët.

Kur numri i dëgjuesve u bë i konsiderueshëm, Sokrati ia nisi:

Një tregtar kishte shumë mall stok të pashitur, prandaj, një ditë vendosi të niset drejt një qyteti tjetër, me shpresë se do ta shesë mallin atje. Mori mallin, e mbështolli me një copë dhe pasi e hodhi në shpinë, me të lindur drita e ditës së re, u nis drejt qytetit ku do shiste mallin. Rruga e vetme kalonte nga një mal, i cili duhej ngjitur. Gjatë rrugës, takoi një burrë tjetër, në shoqërinë e gomarit të vet, nisur drejt të njëjtit qytet. Përshkuan një copë rrugë bashkë, u prezantuan, bënë muhabet dhe u miqësuan. Duke u çapitur malit, tregtari i tha bashkëshoqëruesit të tij: ”Të paguaj sa të kërkosh, nëse ma jep gomarin me qera, që të më mbajë mallin deri në destinacion.”

Ai pranoi kundrejt një shumë parash dhe tregtari ia ngarkoi gomarit barrën.

Në këtë çast, Sokrati vuri re se grumbulli i njerëzve përreth veç shtohej. Kishte një interes shumë të madh për ta dëgjuar tregimin e tij. Shumë prej tyre i kishin harruar dhe arsyet pse kishin vajtur në pazar atë ditë.

Sokrati vazhdoi tregimin:

Ngjitja e malit ishte e vështirë, dielli përvelues dhe mungesa e ujit e bënte ngjitjen më të zorshme akoma. Të djersirë e të raskapitur, vendosën të pushojnë.

Sokrati vuri re se dëgjuesit ishin shtuar edhe më shumë, të gjithë qëndronin të heshtur, sy e veshë në pritje të detajeve të tregimit.

Ai vazhdoi dhe tha:

Mali ishte i zhveshur dhe nuk kishte as dhe një hije për të pushuar, hija e vetme ishte ajo e gomarit të ngarkuar me mallra tregtie. Por, hija e veshgjatit nxinte vetëm një person. I zoti i gomarit tha se hija i takonte atij, sepse gomari ishte i tij. Sakaq, tregtari kundërshtoi me pretekstin se e kishte marrë me qëra gomarin dhe ai gëzonte të drejtën ta shfrytëzojë dhe hijen e tij.

Nga ana e tij, i zoti i gomarit protestoi dhe tha: ”Zotëri, unë të kam dhënë me qera gomarin dhe jo hijen e tij.” Por tregtari u përgjigj: ”Unë mora me qera gomarin dhe kjo përfshin dhe hijen e tij.”

Numri i njerëzve të etur për të dëgjuar tregimin veç shtohej. Në këtë pikë, Sokrati ndaloi, zbriti nga guri i tij dhe çau mes turmës së njerëzve, të cilët iu vunë pas dhe i kërkuan të përfundojë tregimin e nisur. Nga ana e tij, filozofi bënte sikur nuk i dëgjon lutjet dhe kërkesat e tyre.

Njerëzit e ndaluan dhe i kërkuan me vendosmëri ta përfundojë tregimin e tij, pasi për këtë qëllim kishin ardhur.

Sokrati ndaloi dhe duke u kthyer nga njerëzit u tha: ”O njerëz! Kam shumë kohë që u flas për jetën dhe filozofinë e saj, por as që ma vinit veshin. Ama, me të filluar tu tregoj një tregim të stisur nga mendja ime, tregim që vërtitej rreth një gomari dhe hijes së tij, ju u grumbulluat si të marrë për të dëgjuar. Ju u kushtoni rëndësi tematikave idiote, e lini pas dore ato që lidhen me jetën tuaj.”

Përzgjodhi dhe përktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Lexo edhe:

“VENDI I DËSHMISË DHE I KUJTESËS”, I PARI MUZE HISTORIK NË SHQIPËRI PËR TË KUJTUAR VIKTIMAT E DIKTATURËS

“Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” në Shkodër, është i pari vend kujtese historike në rang kombëtar, i cili përkujton viktimat, metodat, torturat e ushtruara gjatë regjimit komunist mbi mijëra të pafajshëm.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci së fundmi në rrjetet sociale ka shpërndarë një video të muzeut historik. Përmes kësaj videoje përkujtohen viktimat që vuajtën dënimin në burgjet e regjimit komunist.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult