Gjuhëtari i shquar Xhevat Lloshi i ftuar, kohë më parë, në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV u shpreh se një mësues që nuk di të flasë në gjuhën letrare nuk duhet të jetë mësues. Gjuhëtari u shpreh se nuk mund të lejohet që në klasë të flitet në dialekt.
“Si duhet të flasë një mësues me nxënësit? Nëse ti nuk di të flasësh në gjuhën letrare, ti nuk duhet të jesh mësuese. Për shembull si mund të jetë mësuese, një që thotë: Po zgjedhojmë foljen “jam” dhe pastaj ajo vetë thotë: “Si a kjo punë?”
Kjo nuk mund të lejohet në klasë nga mësuesi. Një mësues që nuk është në gjendje të flasë në gjuhë letrare, të gjejë një punë tjetër.”, tha gjuhëtari.
Për gjuhëtarin shqipja nuk po mësohet mirë në shkolla. Profesor Lloshi shprehet se, duhet të ndryshohet mënyra se si jepet shqipja në shkolla, të mësohet gjuha përmes komunikimit.
“Shqipja nuk po jepet mirë në shkolla. Unë jam për të ndryshuar mënyrën se si jepet shqipja në shkollë. Për shembull në shkolla u thuhet fëmijëve formoni një fjali.
Gjuhësia e sotme nuk e pranon këtë gjë. Nuk duhet t’u thuhet formoni një fjali sepse njerëzit nuk formojnë fjali, njerëzit komunikojnë. Ne duhet të vëmë fëmijën, edhe në mësimin e gjuhës, në situatën e komunikimit.
Shkolla duhet t’i tregoj nxënësit, që në kokën tënde që në fëmijëri të është ngulitur gjuha shqipe dhe ke fituar aftësinë për të përdorur gjuhën shqipe.
Në terma shkencorë kjo quhet kompetencë. Në shkollë mësohet të shikohet kjo kompetencë sepse kjo aftësi që ke në kokë është bërë e pavetëdijshme. Unë dua të të bëj të vetëdijshëm për gjuhën shqipe.
Sepse dua që ta përdorësh shqipen jo thjesht të bësh lodra me shoqet e tua, por që në të ardhmen të futesh në botën e madhe të përdorimit të shqipes.
Nuk është e vërtetë që për shkak se nga nëna ke mësuar gjuhën, kjo do të thotë se ti e ke mësuar gjuhën dhe je e zonja në atë gjuhë. Gjuha letrare, gjuha e shkruar mësohet, nuk përvetësohet në mënyrë intuitive nga nëna dhe kjo ndodh në të gjithë botën. Gjuha është tipari themelor i njeriut dhe është tipari kryesor i suksesit të tij.
Shkolla fillore në çdo vend të botës është shkolla fillore e gjuhës dhe aritmetikës. Këto dy gjëra mësojnë në botë. Gjuha letrare dhe e shkruar është një informacion që mësohet. Gjuha është një derë për kulturën, për suksesin tënd në jetë, në punë e profesion dhe komunikim.
Po them diçka për shaka. Nja dy djem shohin një vajzë të bukur. Edhe sigurisht donin të komunikonin. Del që njëri prej djemve e njeh atë, afrohen dhe kjo vajza i thotë: “Hë më tinë ça bone?” I gjithë perceptimi që patën në fillim iku. Perceptimi që në çastin e parë që ti fillon e flet është i rëndësishëm për komunikimin shoqëror. Fol bukur, fol qartë, pa gabime dhe njerëzit do të të pranojnë, edhe nëse nuk janë dakord me ty.
Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve gjuhën e suksesit, deri në marrëdhëniet dashurore nesër pasnesër. Kjo duhet shoqëruar me një punë tjetër shumë të rëndësishme sepse ka disa paragjykime.
Jam plotësisht dakord me ata që thonë që ne duhet t’ i bëjmë ta mësojnë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe jo mekanike. Por për gjuhën është e domosdoshme të mësohen pjesë përmendësh.
Çdo shqiptar duhet të ketë në kokën e tij një grumbull tekstesh që janë kryevepra të gjuhës shqipe. Shumë mësues thonë të shkruani bukur, të flisni bukur.
Kjo është një gjë e kotë sepse 95 për qind e shqiptarëve të komunikimet e jetës së tyre nuk kanë nevojë të shkruajnë dhe të flasin bukur, kanë nevojë të shkruajnë dhe të flasin drejtë.
Por në kokën tënde duhet të ketë një varg model të bukurisë së shqipes që janë një etalon që kur ti shkruan dhe flet e di që janë në shqipen e bukur. ”, u shpreh profesor Lloshi.
Videon e plotë mund ta shikoni duke klikuar KËTU: / Dritare.net
ObserverKult
Lexo edhe:
XHELALUDIN RUMI: TË LARGOHEM NUK MUNDEM…
Poezi nga Xhelaludin Rumi
Kush sheh me sytë e mi? Çfarë është
shpirti? Nuk më rrihet pa bërë pyetje.
Sikur të arrija të provoja një hurbë përgjigjeje,
do të arratisesha nga ky burg për të dehur.
Erdha këtu pa pëlqimin tim,
dhe të largohem po kështu nuk mundem.
Kush më ka sjellë këtu, duhet të më çojë në shtëpi.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult