Rrëfenja kineze: Kur do më shumë paratë se jetën…

Dy rrëfenja kineze

Të pikturosh fantazmat

Një piktor po pikturonte për princin Ki Lung.

– Më thuaj, – i thotë princi, – Ç’gjë është më e vështirë për ta pikturuar?

– Qentë, kuajt dhe gjëra të tilla të ngjashme, – i përgjigjet, menjëherë, piktori.

– Po më e lehtë për ta pikturuar ç’gjë është? – pyet sërish princi.

– Fantazmat, – përgjigjet shkurt dhe i sigurt piktori.

– Pse? – bëhet kureshtar princi.

– Puna është se të gjithë ne, ngaqë i shohim përditë qentë dhe kuajt, i njohim mirë ata, prandaj është e vështirë t’i pikturosh. Janë tepër të komplikuar dhe mund të harrosh apo gabosh në ndonjë detaj të vogël të tyre. Ndërsa fantazmat dhe përbindëshat apo çdo lloj mostre nuk kanë formë të saktë, sepse askush nuk i ka parë kurrë. Është e lehtë t’i pikturosh ato, sido që t’i paraqitësh pamjen dhe detajet e tyre, askush duk do t’i vërejë.

Kur do më shumë paratë se jetën

Banorët e Yong-Zhou janë notarë shumë të mirë. Një herë, lumi i tyre Xiang-Shui, nga shirat e rrëmbyeshme, fryhet dhe mbytet me ujë nga bregu në breg. Gjashtë banorë të Yong-Zhou-t hipin në një varkë dhe nisen për të kapërcyer lumin. Kur ndodhen në mes të lumit, papritur, varka përmbyset dhe të gjashtë bien në lumë. Atëherë, nisën të notojnë drejt bregut të lumit. Njëri prej tyre, edhe pse po notonte me gjithë forcat e veta, po ngelej shumë mbrapa. Shokët e tij, të shqetësuar, i thonë:

– Ti je një notar më i mirë se të gjithë ne, pse mbete prapa?

– Sepse unë kam një trastë me një mijë monedha të lidhur në rripin tim, që peshon shumë dhe më pengon të shkoj përpara, – përgjigjet ai.

– Pse nuk i hedh trastën me monedha? – i thonë të tjerët.

Ai tund kokën në shenjë mohimi dhe përpiqet të ec përpara me not, por duket qartë se lodhja po e mund.

Shokët që tashmë kishin arritur në breg i bërtasin:

– Hidhe trastën me monedha, se do të mbytesh! Ti qenke budalla! Po u mbyte, edhe paratë nuk do të të duhen më!

Por ai, përsëri, tund kokën në shenjë mohimi.

Pas pak, e përpin lumi.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult


Lexo edhe:

STEFANO BENNI: KU JANË SYTË E TU TË ZINJ

Ai – Ku janë sytë e tu të zesë,
dhe profili yt si hyjneshë,
konsumohem në mendimin
si mund t’i shoh përsëri.

Ajo – janë të kaltër tani sytë e mi,
sepse kam lente kontakti,
dhe hundën e kam ribërë,
njihmë pra i dashuri im.

Ai – Nuk e shoh më buzën tënde,
gonxhen e vogël rozë
që e puthja me epsh.
Dhe gjoksi yt i paprekur
që e mbaja në një dorë
tani më duket mjaft më i madh
katër herë së paku u rrit.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult