Teodor Keko: E ka dashur… prandaj po e qan ashtu me shpirt…

teodor keko natën

Nga: Teodor Keko

Në dhomën ku ngushëllojnë burrat, është qetësi. Vdekja nuk ka qenë edhe aq shokuese, veçse gjëmëmadhe duhet të ketë qenë. E ndjera, Lisaveta, ishte 88 vjeç, grua me dorë e këmbë, por, sidoqoftë, 88 vjeç I kishte mbushur dhe këto mosha sikur s’qahen me ligje e i mbushin dhomat e ngushëllimeve me muhabete të theksuara e shaka të holla.

Po Lisaveta la prapa Kiçon, bashkëshortin e saj heroik, që sikur e shoqja të rronte edhe dy vjet, më Shën Gjergj të 1991 –shit do të festonte 70-vjetorin e martesës. Kiçoja është 90 vjeç, rri në krye të dhomës, në kolltukun e madh, ua jep dorën pa u ngritur e pa ua hedhur sytë ngushëlluesve, që hyjnë e dalin, dhe s’e hap gojën.


Heshtja e tij, vështrimi disi armiqësor i syve, psherëtimat bezdisëse që lëshon herë-herë, i tutin ngushëlluesit dhe ata s’guxojnë të hapin bisedë. Atëherë nisin të mendojnë për Kiçon e shkretë, që të këput shpirtin, kur e sheh të mbledhur grusht atje në krye, me fotografinë e së shoqes përbri… E ka dashur, mendojnë ata, prandaj po e qan ashtu me shpirt…

Ndonjëri edhe përlotet e nxjerr shaminë tinëz dhe përlotet vërtetë, pasi askush nuk ka nevojë të luajë para Kiços teatër. Për përlotësit Kiçoja nuk afron as shpërblim material e as moral, të paktën, sepse plaku s’ka qejf t’ia hedhë kurrkujt sytë.
Mjeku, cili është ulur te dera, kujton turbull, duke gjerbur kafe, bisedën e fundit me të ndjerën…

“Më vjen keq për plakun që po e lë vetëm, – tha në grahmat e ikjes ajo, pastaj kishte shtuar në çast: – hidhi pak piper gjellës”- dhe, pesë-gjashtë minuta më pas, ishte ndarë nga kjo botë me pamje paqtore në fytyrë. Pas mjekut vinte një nip i së ndjerës. Ai kujtonte vezët e kuqe të pashkës, që gjyshja i bënte tinëz nuseve të djemve çdo vit dhe ua jepte nipërve e fëmijëve të vegjël të shkallës, ca tahmaqarëve të babëzitur, që ëndrronin shtrirje të pashkëve në gjithë ditët e vitit.

Nipi kundronte gjyshin… Ç’pikëllim homerik, mahnitej me vete ai, ç’dashuri hyjnore për nënën… Pas tij dhe ngjitur me plakun qëndronte gazetari i njohur Ardit Kolani, një 40-vjeçar, që ngjante më tepër me nje mekanik, sesa me një publicist. Ai kishte ardhur për të nderuar shokun e tij, djalin e vogël të së ndjerës, që rrinte bri babait në krahun tjetër. Arditi ndihej tmerrësisht i prekur dhe po mendonte të shkruante një skicë me titullin “Kur vdes njeriu i vërtetë”…..


“Është vonë, gati mesnatë,- nisi të shkruajë skicën me mendje ai, – kur bie telefoni. Shkoj drejt aparatit, që pipon ngulmueshëm, duke menduar se ndoshta është shefi i sektorit që po më telefonon. Një tërmet më vjen befshëm në kujtesë, ndoshta ndonjë përmbytje në Veri… Por, jo! Lajmi, I cili ka ruajtur kobësinë, është edhe më i zi: ka vdekur një nënë 88-vjeçare., Lisaveta Shano. Ajo ishte…” Po e lë në mes procesin krijues, sepse një djalë i servir ndërkaq kafen dhe rakinë.
– Të rroni vetë!- guxon e i mërmërit ai plakut. – Për të mira ju ardhsha!
-Tani të rroj?! – I hakërrohet Kiçoja, duke ia hedhur vetëtimthi sytë. – Tani s’ka më kuptim!

Dhe sërish hesht. Kurse Arditi mahnitet nga fjalët e mençme plot dhembje për të ikurën. Vendos t’i futë edhe ato në skicë, si monument i vërtet e autentik i dashurisë njerëzore. Kjo dashuri shumëdimensionëshe, me shfaqjen e saj në gjestet, fjalizat e memëcërinë e plakut, e ka mahnitur e befasuar edhe djalin e tij, që i rri në krah… Dhe thonë se pleqve u thahen ndjenjat, ironizon  s’di cilin bartës të këtij mentaliteti absurd brenda vetes.

Pastaj, duke përbiruar me sy babanë, tund kokën pikëllueshëm: “Sa e ka dashur! Mallkon vetveten që po jeton ende! Ndoshta i shkon mendja te vetëvrasja, ç’urrejtje i kanë sytë! Urren jetën i shkreti! Kushedi sa absurde i duket fakti se ai po vazhdon të marrë frymë…” Dhe vendos t’ia fshehë revolen plakut, e cila ka mbetur si trofe lufte në shtëpi me nja pesë fishekë të veckël gjithë-gjithë, ndërkohë përbri, një fqinj i së ndjerës bën çudi me shpirtkazmërinë e këtij biri kanakar… E qan plaku dhe s’e qan djali, trishton ai, turp i madh, turp i madh!…


Fqinjin, një 60-vjeçar të mbajtur e zë tmerri pastaj, kur mendon vetëtimthi se këtë Kiço, që s’të mbaheshin dot lotët kur ia hidhje sytë, mund ta shohë edhe gruaja e tij dhe pastaj ai të gjejë vrimë ku të futet! Do t’i vërë drurin gruaja në shtëpi.

Ti s’më ke dashur kurrë! Ja, ashtu duhet gruaja, ashtu e qan zemra, jo si ty, që kur mua më dhemb shpirti, më zbardh dhëmbët e fërkon barkun: “E theu qafën më në fund!”… Ç’më gjeti, psherëtin ai dhe ndien që iu djersit balli. Pastaj, duke nxjerrë shaminë, e mallkon mënyrën më kriminale dashurinë bashkëshortore, që mbjell këtë pikëllim pisanjos në fytyra, kur njëri nga çifti thyen qafë, dhe që i fut sherrin në shtëpi robve paqtorë si puna e tij…

Kurse plaku heshton- me po atë pamje armiqësore në portet. I ka hipur vërtet një inat i madh e pazbutshëm pas vdekjes së plakës. Inatin e ka pikërisht me atë engjëllin e tij, Lisavetën, që na doli djall! Kur ajo na paskësh pasur një plan të vdiste, pse na vdiq tani e nuk dha shpirt që më 1939-n, kur i ra tifoja e tmerrshme? Apo ia bëri për inat? Jetoi derisa u bind, se me Kiçon s’e merrte më për burrë asnjë grua, dhe pastaj vdiq!… Kush më merr mua tani, turfullon brenda vetes plaku dhe i gafrrohet ndonjë ngushëlluesi, që i uron të rrojë vetë: “Tani të rroj?!…”

Në e kishte ndër mend të vdiste, më 1939-n mund të vdiste pa bërë dëm, mendonte plaku I xhindosur, duke kujtuar vetëtimthi, ndërkohë shihte të birin, se ky  djalë do të ishte tani zeshkan I hijshëm, sikur Lisavetën ta merrte tifoja atëherë.

Sikur, sikur, dhe ky sikuri që s’bëhet kurrë realitet e xhindos plakun: të bëhej ç’qe e shkruar për të mbaruar që atëherë, ai do ta mbërthente atë zonjën e zeshkët e të hajthme, që tani në kushedi ç’parcelë varrezash plehrëron tokën, e që atëherë të plehëronte sytë e t’I mbushte me pranverë, kur e shihje si xhinde në udhë… Kush më merr mua tani, bën sherr me plakën brenda vetes dhe as flet e as i zbutet vështrimi.

*Titulli i origjinalit: “Vdekja e plakës”

*Shkëputur nga libri “Lajmëtarja e vdekjeve” e Teodor Kekos

teodor keko

———————-

Lexo edhe:

DANILO KISH: CENSURA DHE AUTOCENSURA