Italo Calvino: “Tani nuk ju ndalohet më asgjë…”

Italo Calvino, New York City, 1983

Ishte një herë një qytezë ku gjithçka ishte e ndaluar. Tani, meqë e vetmja gjë që nuk ndalohej ishte loja me cingla, banorët mblidheshin në ca lëndina prapa qytezës dhe i kalonin ditët duke luajtur me cingla.
Dhe meqë ndalimet u kishin ardhur pak nga pak dhe gjithnjë për arsye bindëse, nuk gjeje njeri që të protestonte dhe të mos ish në gjendje të përshtatej.
Kaluan vite. Një ditë, të parët e vendit panë që nuk kish më pse të ndalohej gjithçka dhe dërguan kasnecë për t’i lajmëruar njerëzit se mund të bënin, tash e tutje, ç’t’u donte e bardha zemër.
Kasnecët shkuan atje ku e kishin zakon banorët të mblidheshin.
“Dëgjoni, o njerëz,” u thanë. “Tani nuk ju ndalohet më asgjë.”
Po ata vazhdonin të luanin me cingla.
“E morët vesh apo jo,” këmbëngulën kasnecët. “Jeni të lirë të bëni ç’t’u dojë qejfi.”
“E morëm vesh, de,” thanë ata. “Por ne jemi duke luajtur me cingla.”
Kasnecët filluan t’u shpjegojnë sa punë të bukura e të dobishme mund të bënin, që dikur edhe vetë banorët e qytezës i kishin praktikuar, dhe që tani mund t’u ktheheshin pa merak. Por këta nuk ua vunë veshin dhe vazhduan të luanin, goditje pas goditjeje, pa u ndalur as që të rregullonin frymëmarrjen.
Meqë e panë se kot po lodheshin, kasnecët vajtën t’u rrëfejnë atyre të parisë.
“S’ka problem” thanë këta. “Le ta ndalojmë lojën me cingla, pra.”
Mirëpo këtë herë populli u ngrit në revolucion dhe e hoqi qafe parinë.
Pastaj, pa humbur kohë, iu kthye lojës me cingla.

*Titulli i origjinalit: “Të mjaftohesh me aq”

Në shqip nga: Ardian Vehbiu

ObserverKult


"Gremina e dashunis"

Lexo edhe:

ATJE TË DASHUROJ NUK MUNDA, KËTU TË DASHUROJ- KAM FRIKË…

Nga: Osip Mandelstam

E urrej dritën e mekur
Të yjeve të rralla…
Ngjatjeta o jermi im i vjetër, –
O kulla brinjëdala.

Dantellë, gur, të jesh,
Të jesh dhe merimangë:
Parzmën e qiellit ta kesh
Gjilpërë të hollë për plagë.

Dhe radha ime do vijë –
Ndjej, flatrat gatiten flatrimit.
Po për ku vallë merr arrati
Shigjeta e gjallë e mendimit?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult