Shkruan: Blerim Valla
Për nder të Ditës Botërore të Teatrit
Teatri të mëson të luftosh dhe të mos dorëzohesh.
Të mëson të ringritesh pas humbjeve.
Të mëson t’ia nisësh nga e para dhe të mos kesh frikë nga jeta.
(Maurizio Gianandrea, dramaturg italian )
Në Ditën Botërore të Teatrit, janë shumë arsye pse duhet ta duam teatrin!
1.Teatri është dhe do të jetë gjithmonë “in” , sidomos tani kur çdo gjë është Retro!
Të rinjtë e duan çdo gjë që është ‘in’, ndaj nëse doni t’i inkurajoni të rinjtë të shkojnë më shumë në teatër, fillimisht duhet t’u thoni se është ‘in’.
Teatri do t’ju inkurajojë të mendoni, shikoni botën me sy të ndryshëm, do të qeshni dhe argëtoheni, gjë që është shumë e rëndësishme, do ta shikoni aktorin, aktoren …ata njerëz të vegjël qesharak nga ato kuti që janë njerëz të gjallë në krahasim me një ekran filmi.
Atmosfera e teatrit është e ndryshme nga ajo e kinemasë, sepse çdo teatër ka aromën e vet, pluhurin e vet, ndriçimin e vet…
2. Nëse zgjidhni shfaqjen e duhur në fillim, do ta duani përgjithmonë teatrin!
Mos shkoni menjëherë në një shfaqje të vështirë që mund t’ju bëjë të keni frikë nga teatri ose të mos e kuptoni. Duhet të keni njëfarë ndërveprimi me teatrin, ndaj filloni me repertorin më të lehtë dhe më argëtues dhe gjeni zhanrin që ju përshtatet më shumë.
3. Disa thonë se është më mirë të dashurohesh në teatër sesa në një kafene!
Në teatër jeni më intim, e ndjeni veten më fort, prekni njëri-tjetrin, dëgjoni tinguj live, ata njerëz në skenë ju zgjojnë edhe emocione.
Në teatër mund ta dëgjoni një fjalë, një mendim që do t’ju zgjojë dhe ndoshta do t’ju bëjë një person më të mirë dhe, do t’ju bëjë të mendoni për shumëçka ndryshe dhe më thellë.
4. Kush i don librat e don edhe skenën dhe teatrin!
Kur lexoj një libër, kam teatrin tim, jam vetë regjisor, dramaturg, kostumograf, skenografi,… Inskenimi i një vepre letrare i hap mundësinë shikuesve të marrin pjesë në një lloj reflektimi. Sidomos kur regjisori i lë vend imagjinatës së dëgjuesve dhe shikuesve.
5. Nëse një prindi i pëlqen të shkojë në teatër, do t’i pëlqejë edhe fëmijëve të tyre!
Dashuria për teatrin përcillet brez pas brezi. Prindërit e mi mbaj mend dhe kurrë nuk do ta harroj kur më çuan në vitin 1977 në premierën e parë të Teatrit Profesionist të Gjakovës “Fisheku në pajë “ të Fadil Krajës me regji të të madhit Muharrem Qena, shfaqje kjo me të cilën edhe u formua TPGJ – vës dhe u inaugurua Pallati i Kulturës në Gjakovë.
Që nga ajo ditë nuk ju ndava më teatrit dhe gjitha premierave teatrore të kësaj trupe teatrore, e as që do të ndalem deri në frymën time të fundit.
Po ashtu mirë është edhe shkuarja e nxënësve me shkollën në teatro, por janë prindërit ata që na japin vlerat themelore kulturore dhe morale të jetës pra edhe dashurinë ndaj teatrit!
*
Përndryshe Dita Botërore e Teatrit filloi te festohet më 1961 nga Instituti Ndërkombëtar i Teatrit (INT) pranë UNESCO-s. Ajo festohet çdo vit nga kjo qendër, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar teatror nga të pesë kontinentet.
Për të festuar këtë ditë, organizohen ngjarje të ndryshme teatrore, kombëtare dhe ndërkombëtare. Një nga më të rëndësishmet është qarkullimi i mesazhit të Ditës Botërore të Teatrit, përmes të cilit, me ftesë të ITI-së, një figurë e shquar në mbarë botën, reflekton mbi temën e teatrit si pjesë e kulturës së harmonisë dhe paqes botërore.
Mesazhi i parë i Ditës Botërore të Teatrit është shkruar nga shkrimtari Zhan Kokto në vitin 1962. I dyti nga Artur Miller, pastaj Helen Miren, Vaclav Havel, Xhon Malkoviç, Dario Fo, John Fosse etj.
*
Aktori i mirënjohur Hadi Shehu, as këtë vit nuk e ka pritur këtë ditë të shenjtë për aktorët. Ai ka ndërruar jetë para 7 vitesh në moshën 68-vjeçare. Shehu ishte një nga aktorët më të mirë të teatrit dhe filmit shqiptar.
Ai ishte padyshim njëri nga aktorët i cili ka krijuar identitetin artistik të Kosovës dhe një nga figurat kryesore të epokës së artë të teatrit dhe filmit kosovar të viteve ’70 e ’80.
Me disa nga kryerolet e tij filmike, ai vlerësohet si një nga yjet e televizionit dhe të kinematografisë sonë kombëtare. Ai ishte babai i teatrit të Gjakovës, njëri nga themeluesit e këtij teatri që ka dhënë shumë emra aktorësh të njohur. Ai ishte aristokrati – mbreti i skenës teatrore të Gjakovës!
*
Në Ditën Botërove të Teatrit, Teatri i Qytetit të Gjakovës që me krenari mban emrin e kolosit të teatrit ”Hadi Shehu”, me shfaqjen premierë me titull “Magjistari nga Ozi” hap siparin për këtë vit të ri teatror.
Sukseset dhe urimet shkojnë për premierën e parë Teatrit të Qytetit të Gjakovës, si dhe për teatrot tjera shqiptare por edhe për gjithë aktorët e mbarë botës! Qofshit të bekuar!
ObserverKult
Lexo edhe:
TEATRI TË MËSON TË LUFTOSH DHE TË MOS DORËZOHESH…
Nga Maurizio Gianandrea
Teatri të mëson të jesh i madh.
Nuk ka rëndësi, nëse bëhesh apo nuk bëhesh aktor i madh kur të rritesh.
Teatri të mëson të jesh i madh.
Të mëson të luftosh dhe të mos dorëzohesh. Të mëson të mos kënaqesh.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult