Kur Don Kishoti zbriti ndër arbëreshë: Jeronim De Rada nën prizmin kritik të Ali Aliut

Nga Matteo Mandalà

Fama e Don Kishotit dhe e shqytarit të tij, Sanço Pancos, janë universale dhe shpesh dalin nga bota e letërsisë për të hyrë në botën reale. Janë të tilla sepse fatet e tyre si personazhe janë ontologjikisht të lidhura pazgjidhshëm mes tyre: njëri pa tjetrin do të ishte i gjymtë.

Kështu, me termin “donkishotizëm” shënohen ato qëndrime njerëzore që priren drejt idealesh objektivisht të parealizueshme, ndërsa me termin e kundërt “antidonkishotizëm”, që ndoshta do të duhej ripagëzuar “sançopancizëm” për të rivendosur ekuilibrin në marrëdhënien e çiftit mes dy personazheve të Servantesit, shënohen pritjet po aq tipikisht njerëzore që rreken të frenojnë ato shtysa ekstravagante, surreale, ndonjëherë të marra, që karakterizon donkishotizmin.

Gjithsesi ana gjeniale e shpikjes së Servantesit qëndron në vendosjen e këtyre dy karikaturave të njeriut të çdo kohe në atë zonë që shënon kufirin, madje ndonjëherë hendekun, mes dy realiteteve të kundërta, të palidhura e të pareduktueshme në një përfaqësim të thjeshtë logjik.

Në letërsi kjo vendosje ka të bëjë me autorë të epokave dhe të kulturave të ndryshme, nga Homeri te Lukano, nga Dante te Shekspiri, nga Gogoli te Xhojsi, nga Kafka te Kadare, për të përmendur vetëm disa prej tyre.

Te autorët bashkëkohorë vepra revolucionare e Servantesit ka qenë gjithmonë e pranishme e nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse falë atij kufiri të labërguar që ndan identitetet, qofshin individuale a kolektive, mund të përsiatim mbi mëdyshjet që i pengojnë njerëzit të lidhin një marrëdhënie të qartë, të thellë e të përhershme me realitetin.

Kjo temë e fundit është objekt i një debati filozofik që krahas shndërrimit të tij letrar, zhvillohet qysh nga fillimet e mendimit spekulativ, pra, nga epoka preindustriale, deri në ditët tona tashmë i përtëritur nga obsesioni i kalimit të të njëjtit kufi ekstrem: atij të inteligjencës artificiale. Të jetosh në kapërcyell të dy botëve të kundërta të realitetit dhe të marrëzisë ka qenë conditio sine qua non i epifanisë së shpikjes, të krijimit, të zbulimit, qoftë në kuadrin e shkencës, qoftë në atë të artit.

Jo më kot gjenialiteti ka shoqëruar “punëtorët e intelektit”, qofshin shkencëtarë apo poetë, të cilët kanë jetuar dashur pa dashur gjendjen e vështirë të dyzimit, të copëzimit, të tjetërsimit të shkaktuar nga raporti mes “donkishotizmit” dhe së kundërtës së tij, “sançopancizmit”, a thënë ndryshe mes fantazisë së shfrenuar dhe arsyes, mes shtysës së tepruar të së parës dhe moderimit të së dytës. Është e tepërt të themi se gjatë kësaj sfide, sikurse e dëshmon edhe shqyrtimi retrospektiv i historisë së mendimit dhe të kulturës, e para ka qenë vendimtare në mënyrë që zhvillimi i së dytës të shpinte në kapërcimin e kufirit të vjetër dhe në vendosjen e një objektivi të ri më ambicioz.

Këto konsiderata të shkurtra na lejojnë të hyjmë në trajtimin e kontributit kritik që i ka sjellë prof. Ali Aliu njohjes së historisë së letërsisë shqipe, një njohje që pasi është quajtur një histori ndryshe në nëntitullin e botimeve të fundit të librit, e detyron lexuesin e vëmendshëm të hulumtojë arsyet e përdorimit të metaforës që gjendet në titull: Don Kishoti Shqiptar. Pse prof. Aliu ka shtënë në punë këtë imazh ikonik të mendimit kritik europian për të propozuar një interpretim “alternativ” të historisë së letërsisë shqipe? Mbi cilat premisa bazohet botëkuptimi i ri i studiuesit të shquar dhe cilat janë synimet e tij?

Nuk është e tepërt të saktësojmë që për t’iu përgjigjur drejt këtyre pyetjeve fillimisht do parashtruar një përmbledhje e shkurtër e arsyeve të suksesit të jashtëzakonshëm që vepra e Servantesit ka arritur historikisht kudo në botë, por sidomos te shqiptarët, veçanërisht tek ata që, duke jetuar në vise të ndryshme shqipfolëse nëpër Europë, e njohin mirë brengën e ndarjes dhe barrën e rëndë të kufijve.

Në këto radhë do të lëmë mënjanë gojëdhënat e pambështetura gjëkundi mbi robërinë e Servantesit në një burg diku mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe nuk do t’u japim peshë spekulimeve marroke mbi emrat e disa personazheve që popullojnë romanin e Don Kishotit, dhe që sipas autorëve të tyre sjellin në vëmendje marrëdhëniet që shkrimtari spanjoll paskësh pasur me botën shqiptare.

Tani, pikërisht sepse vepra e prof. Aliut do parë brenda këtij perimetri të receptimit aktiv të “donkishotizmit”, është e nevojshme të theksojmë paraprakisht se, ndryshe nga studiuesit e tjerë, vëmendja e profesorit tonë ka qenë konstante. Madje, mund ta quajmë obsesive po të mbajmë parasysh suksesin që ka njohur Don Kishoti i tij.

Mund të themi se akti i parë hermeneutik i Prof. Aliut kryhet gjatë zgjedhjes së autorëve, sepse pikërisht nga interpretimi i një vepre ose i një autori rrjedhin karakteristikat që përligjin përfshirjen (ose përjashtimin) në këtë galeri të jashtëzakonshme që nga shumë aspekte na kujton atë të Giambattista Marino-s, eksponentit të shquar të kulturës baroke së cilës i përkiste edhe Servantesi.

Në hullinë e këtij konstatimi mund të themi se Aliu përdor një metodë të ngjashme me atë ekfrastike të Marinos, paçka se me dallimin thelbësor të përshkrimeve që nuk kanë të bëjnë me piktura, por me të njëjtën “fjalë letrare” që rroket në procesin historik, në procesin e shndërrimit në vizion të botës, pra në kodifikimin e saj në “historinë e letërsisë”.

Elementi që shmang rreziqet e improvizimit dhe që, duke përdorur rreptësinë metodologjike, na jep një perceptim të lakores kohore, historike dhe strukturore, përbëhet nga binomi donkishotizëm-sançopancizëm si busull që orienton, ndërton dhe parashtron perspektivën hermeneutike të interpretimit kritik. Këtej rrjedh e drejta për të folur për një histori letrare “alternative”, që nuk përkon me atë ku zakonisht bazohen tekstet didaktike të letërsisë dhe që për të afirmuar nevojën e rishqyrtimit të zhvillimit letrar mbi themele të shëndosha, sipas një parimi rregullues dhe një kategorizimi taksonomik, përmblidhet në paradigmën e “donkishotizmit”, që prof. Aliu jo më kot e quan «paradigmë e pakapërcyeshme e shumë popujve» ndër të cilët natyrisht, janë edhe shqiptarët.

Pajtohemi plotësisht me argumentet e studiuesit tonë: «Shqiptarët, – shkruan profesori – të shpërndarë në të gjitha kontinentet […], ende vazhdojnë të jenë të ndarë me vetveten, [por] e ruajnë identitetin e tyre letrar».

Kjo arsye që i ka bërë të mbeten «peng të një “donkishotizmi” specifik» duke i shndërruar në «donkishotistët e papajtueshëm, të cilët në periudha të gjera e të gjata kohore do t’ia dorëzojnë stafetën donkishoteske njëri-tjetrit duke besuar se jetën e tyre e kishin lidhur me kauzën e madhe: mbrojtjen e identitetit gjuhësor të popullit të tyre».

Zbritja e donkishotizmit në trojet shqiptare, përtej suksesit që ka njohur, nuk ka qenë krejt i papërshtatshëm, madje duket se ka gjetur kushte të favorshme për t’u rrënjosur: shqiptarët që zgjodhi prof. Aliu janë «autorë […] të shpërndarë mes Ballkanit dhe Evropës, mes Bizantit dhe Romës, mes Ballkanit dhe Perandorisë Osmane, mes traditës dhe modernitetit», pra janë të lidhur ontologjikisht me nyjën e pazgjidhshme që bashkon donkishotizmin me sançopancizmin.

Përballë një synimi në dukje të parealizueshëm (që hera-herës mund të jetë identiteti kulturor, vlera e gjuhës, pavarësia kombëtare) ishte e pashmangshme, madje e volitshme për shqiptarët e çdo epoke dhe zone gjeografike ideja për t’u strehuar nën zhguallin e realitetit, për t’u dorëzuar përpara vështirësive dhe për të pranuar sfidat e irreales, të së parrokshmes, madje të së parrëfyeshmes: me fjalë të tjera, ideja për të ndjekur gjurmët e Don Kishotit të Mançës në kërkim të realizimit të idealeve.

Nga kjo pikëpamje duket se shqiptarët kanë bërë të vetën filozofinë e njohur dhe të konsoliduar të donkishotizmit kur në të vërtetë nga analiza e prof. Aliut del një vizion më i nyjëtuar.

Sipas studiuesit tonë, kushtet e “tjetërsimit” të përhershëm ku kanë jetuar historikisht shqiptarët, i kanë shtyrë ata të marrin një udhë alternative, paralele me të parën, por më të lashtë, pasi është rrënjosur në frymën antropologjike të të parëve. E kemi fjalën për udhën e tolerancës dhe të sensit të masës, të nderit dhe të solidaritetit ku arrihet falë urtësisë dhe fuqisë shpirtërore që ushqehet nga përvoja e përditshme e ballafaqimit ndërkulturor.

Në vështrim të parë duket se kemi të bëjmë me qasjen që karakterizon sançopancizmin, mirëpo në të vërtetë nuk është ashtu, pasi kjo udhë na shpie drejt një versioni të ri të donkishotizmit. Shqiptarët, në fakt, pa u shqetësuar se mund të bien në pozita groteske, kanë marrë një qëndrim mirëfilli donkishotesk nga çasti kur kanë pranuar si të pashmangshëm dialogun me kulturën e “të tjerëve”, pra, të “të ndryshmëve”, që nga ana e tyre mishërojnë një vizion të kundërt të botës, duke i dhënë jetë kështu një hapjeje kulturore që vetëm një shpirt i lirë, a ndoshta duhet të themi një shpirt “i marrë”, mund të zgjedhë në një gjendje konflikti.

Përvijimi i ri i paradigmës së donkishotizmit që shtjellohet hollësisht dhe mprehtësisht në vepër, përbën sintezën e mendimit hermeneutik të prof. Ali Aliut, veçantia e të cilit qëndron në faktin se arrin të identifikojë dhe të analizojë «një “donkishotizëm” specifik, fare pak të njohur nga popujt e tjerë».

Prej kohësh tashmë me mikun dhe kolegun Francesco Altimari mbështetim të njëjtën ide të një identiteti që është afirmuar historikisht si tipar i vizionit plural që kultivojnë shqiptarët në marrëdhënie me kulturat e tjera, marrëdhënie të karakterizuara nga respekti, hapja, toleranca dhe gjithëpërfshirja.

Sa u përket arbëreshëve ky qëndrim dëshmohet nga një dokumentacion i gjerë historiko-arkivor që nxjerr në pah zanafillën e ndërlikuar dhe zhvillimin po aq të koklavitur të kundërvënieve dhe ballafaqimeve që karakterizuan shekujt e parë te dheu i huaj deri te shpikja përfundimtare, falë shtysave që vinin prej lëvizjeve romantike europiane, e një identiteti kulturor modern, që pastaj do të zhvendoset në Ballkan.

Nuk ka dyshim se te ideja largpamëse e prof. Ali Aliut mbi ekzistencën e «një donkishotizmi shqiptar», gjejmë shumë elemente që kanë ushqyer procesin e ndërtimit të identitetit ndër komunitetet arbëreshe. Kjo konfirmon faktin se zgjedhja për të imituar thelbin ideologjik të mishëruar në bëmat e Don Kishotit për shqiptarët diktohej nga vetë historia e këtij populli ballkanik, madje nga vetë struktura antropologjike e identitetit të tij: i ndarë së jashtmi, por edhe së brendshmi.

Një rast i rrallë i copëzimit të identitetit, të atij “kolektiv”, sikundër edhe “individual”, por edhe një rast unik i “rindërtimit” të identitetit, si reagim utopik ndaj rrezikut të asimilimit, pra të shfarosjes kulturore.

E vërteta e përvojës historike rezulton edhe ajo groteske, pothuajse një oksimoron antropologjik: a mund të pretendohet për një identitet të caktuar duke bashkëjetuar me një tjetër, duke valëvitur disa flamuj, madje duke folur gjuhë të ndryshme?

Kush duhet t’i paguajë kostot për arritjen e këtij objektivi të ri e të lartë të humanizmit modern? Deri në ç’pikë mund të shtyhet kufiri i vetvetes para se ajo të reshtë se qeni vetvetja dhe të shndërrohet në diçka tjetër?

Këto janë pyetje kyçe të cilave njerëzit rreken t’u japin përgjigje nga këndvështrime të ndryshme epistemologjike. Me siguri më bindëset nuk do të jenë ato që ndjekin hullinë e sançopancizmit, në mos tjetër sepse, të dënuara të përsëritin përjetësisht në mënyrë niçeane të njëjtën, do të kufizohen ta përfaqësojnë realitetin në shfaqjen e ndryshueshme e të pandryshueshme fenomenologjike, përfundimisht të fragmentarizuar dhe në dukje të papajtueshme.

Përkundrazi, do të jenë përgjigjet e ithtarëve të donkishotizmit, të intelektualëve – në radhë të parë të artistëve, shkrimtarëve dhe poetëve, të vetmit adhurues të mitit – të cilët duke qenë subjektet më përfaqësuese dhe interpretuesit më të sinqertë të shpirtit të popujve, joshen në mënyrë instinktive nga ana e errët e realitetit, kërkojnë shfaqjet e asaj ane të errët, madje orvaten t’i ndjellin ato duke ia hyrë një gare të shfrenuar që i përfshin deri në atë pikë sa të shkaktojë shndërrimin rrënjësor të vetë subjektivitetit të tyre intelektual.

Detyrës së vështirë për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve hermeneutike i ka bërë ballë më së miri prof. Aliu, i cili, ndër vlerat më të mira shpirtërore të shqiptarëve që përcillen nga historia e tyre letrare, përfshin edhe dëshmitë estetike të dy shkrimtarëve që gjenden në dy skajet kohore të kësaj kozmogonie letrare të përvijuar sipas filigranës së donkishotizmit: i pari është italo-shqiptari Jeronim De Rada, ndërsa i dyti është maqedono-shqiptari Luan Starova, të dy bij të mallkimit historik që ka rënë hera-herës mbi shqiptarët duke i shtyrë ata të zhvendosen “gjetkë” dhe duke i detyruar të rishpikin një identitet “të dyfishtë” në lartësinë e sfidave të reja të kohës së tyre historike.

*Kumtesë e mbajtur në Akademinë e Shkencave të Kosovës me rastin e 90-vjetorit të akad.Ali Aliu. Matteo Mandala është studiues i letërsisë arbëreshe dhe asaj shqiptare në përgjithësi.

ObserveKult


Lexo edhe:

ALI ALIU DHE XHEVAT LLOSHI, FITUES TË ÇMIMIT “22 NËNTORI”

Akademik Ali Aliu dhe profesor Xhevat Lloshi janë fitues të çmimit “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut.

Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.

Çmimi “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


NË ASHAK MBAHET TRYEZA SHKENCORE “KRIJIMTARIA LETRARE E ALI ALIUT NË 90-VJETORIN E LINDJES”

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, është mbajtur tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes”.

Akademik Sabri Hamiti ka lexuar kumtesën Ali Aliu bashkëkohës”, një pjesë të së cilës po e japim këtu:

“Ali Aliu është bashkëkohësi ynë: gjithmonë “sot” e gjithmonë “këtu”, në vështrimin e një të tashmeje të përhershme; duke u mahitur me kohën si imagjinatë të njëtrajtshmërisë; duke lakuar hapësirën si qerthull të imagjinimit. Në këtë dramatikë të çrëndomtësimit ai është “dëshmitar” imagjinar dhe “pjesëmarrës” ëndërrimtar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult