Pse Mara e vrau burrin e saj?

marë shtufi

Nga Pal Shtufi

Të gjithë e dinim se gjyshja ime quhej Rutë, sepse të gjithë e thërrisnin “Nana Rutë”. Në fakt, nëna e Atit tim, Gjergjit, gjyshja ime, quhej Marë. Për të gjallë të saj dhe derisa jam rritur nuk ia kam ditur emrin e vërtetë. E mësova nga familjarët dikur, pas moshës 17-18 vjeçe.

Martesën e parë e kishte pasur të palumtur Mara. Nuk dihet sa ka zgjatur ajo martesë me burrin që quhej Prenkë Çeta, por dihet se ai e kishte trajtuar shumë keq Marën kryelartë dhe dinjitoze. Burri i botës e kishte rrahur Marën sa herë që e kishte parë “të nevojshme”.

Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918), me pushtimin e një pjese të Kosovës nga ana e Bullgarisë, ku përfshihej edhe Prizreni, deri te Ura e Fshajit, Prenk Çeta, kishte shfrytëzuar rastin për t’u punësuar si polic në Prizren. Për shqiptarët e sapodalë nga pushtimi shumëshekullor osman, milici ishte vetëm simbol dhune e frike, asgjë tjetër. Dhunë, të cilën ish -burri i Marës e intensifikoi edhe në shtëpi, ndaj gruas së tij.

Për t’i shpëtuar asaj dhune, Mara e kishte marrë vëllain e saj 8-9 vjeç, Zefin për të buajtur disa net, me shpresë që së paku para vëllait nuk do të rrihej. Por kot, Prenk Çeta veçsa e intensifikonte dhunën.

Një natë, burrëziu kthehet i lodhur nga puna dhe menjëherë shtrihet për të fjetur. Në anën tjetër, Zefi i vogël nuk kishte gjumë atë natë, sepse një natë më parë dhëndri ia kishte rrahur motrën para syve. Djalin tetë vjeç e kishte kapur trishtimi i përsëritjes të atyre skenave.

Sapo Mara kishte dëgjuar gërhitjet e para të burrit kishte ulu dritën e llambës së vajgurit dhe më pasë e kishte kontrolluar të vëllain nëse e kishte zënë gjumi. Zefi i vogël kishte mbyllur sytë duke bërë sikur flinte, si për t’i thënë motrës se çdo gjë ishte në rregull. Pasi Mara u sigurua se të dy i kishte zënë gjumi, merr pushkën (Peticë) dhe e vret burrin.

Natyrisht, Marën e arrestojnë bullgarët. Gjyqi i atëhershëm e dënon me 20 vjet burg të rëndë. Por, meqë në kodin bullgar paska qenë turp i madh vrasja e burrit, Marës i shqiptohet edhe një dënim barbar: të zhveshur komplet nga rrobat ta shëtisnin policët përmes shatërvanit të Prizrenit, duke i varur në qafë edhe dy mbishkrime, para dhe pas, ku shkruhej “gruaja që vrau burrin e saj”.

Dhe vërtet gjithçka kishte ndodhur sipas dënimit të shqiptuar. Zhveshjen lakuriq gjyshja e ka vuajtur si turpërim të madh, si njollë morale, deri ditën kur i mbylli sytë përgjithmonë.  

Zefi i vogël jetoi deri në vitin 1985 dhe rrëfimet e tij i kemi dëgjuar me dhjetëra herë. Zefi kishte një kujtesë brilante dhe aftësi të të rrëfyerit.

 RUTA

Pas dy-tre vjetësh, Mara pati fat me ndërrimin e pushteteve të asaj kohe. Në gjendjen pa shtet u hapën edhe burgjet dhe edhe ajo u lirua. Më vonë e ndryshoi emrin, nga Marë në Rutë, duke dashur që edhe në këtë formë ta mbyllte një histori të trishtë.

Rreth vitit 1919, gjyshi im ishte njoftuar me Rutën dhe pasi kishte dëgjuar historinë e hidhur i kishte ofruar martesë, të cilën Ruta e pranoi. Të posamartuarit filluan të kërkonin një vend neutral, larg vendlindjes së Marës, ku historia e saj nuk njihej fare për të jetuar. Në Prizren nuk mund të jetonin, edhe për shkak të varfërisë, por edhe sepse aty njihej ngjarja që kishte ndodhur. Vendosën të jetonin në fshatin Shpenadi, 6 km nga Prizreni. Në këtë fshat, familja e madhe Shtufi (më vonë Çollaku) çiftin e ri e pa kulm mbi kokë i strehuan përkohësisht duke ua lejuar edhe që në oborrin e tyre të ndërtonin një kasolle. Aty, në atë kasolle lind Ati im. Pra, u lind në kasolle të babait të tij, por në një oborr të huaj duke marrë edhe mbiemrin Shtufi.

Edhe më vonë tregohet se gjyshja është konsideruar si legjendë e gjallë për tërë rrethin tonë, jo vetëm se sfidoi dhunën e egër patriarkale, por edhe sepse kishte qenë një grua me vetëdije të lartë dhe ende dëgjohen histori e tregime për të. Ndër tjerash kishte qenë krah i djathë për të birin, Atin tim, i cili ka pasur një jetë të rëndë, që kur i shpëtoi Masakrës së Tivarit e deri me rënien e Rankoviqit më 1966.

                                                         *    *    *

Ndoshta gjyshja ime është gruaja e parë në historinë e Kosovës që i doli zot vetes. Vrau, për të mos u vrarë! Por, kjo nuk do të thotë se ky tregim, tashti kur është aktuale më shumë se kurrë vrasja e grave nga burrat, të lexohet së prapthi. Nuk është thirrje në stilin “gra, vritni burrat”. Jo, është thirrje që gratë të bëjnë një jetë të dinjitetshme, duke u ndarë nga burrat, kur të ketë pushuar arsyeja e të jetuarit bashkë. Është thirrje për të ikur nga dhuna. Është thirrje për të ikur edhe në fund të botës, veç të mos jetohet nën terror të përditshëm e me fund tragjik. Është thirrje për jetë kualitative, për vete e për fëmijët, sepse edhe pas ndarjes ka një jetë – mbase një jetë edhe më atraktive se ajo me një burrë ose grua të gabuar.

Gruaja, e cila u vra dje nga burri i saj, secilën zgjidhje do ta kishte më të lehtë se të jetuarit me një burrë, i cili vrasjen e sheh si zgjidhje dhe si krenari!

ObserverKult