Pse e ndaloi Enver Hoxha shfaqjen “Rrethimi i Bardhë” të Naum Priftit, çfarë ndodhi kur pa dramën në teatrin e Korçës…

Nga Skifter Këlliçi

Punimi shumë profesional i prof. dr. Kastriot Gjikës, botuar kohët e fundit në gazetën “Nacional”, kushtuar krijimtarisë për fëmijë të shkrimtarit tonë të njohur, Naum Prifti, që u nda kohët e fundit nga jeta në moshën 90-vjeçare, më ngjalli shumë kujtime për të, të cilat fillojnë nga viti 1957.

Atëherë unë isha student i vitit të dytë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik, dhe së bashku me mua edhe Dhimitër Xhuvani, i cili, ashtu si Naumi që asokohe, ndonëse të dy ende të rinj, me tregimet e tyre kishin filluar të njiheshin si shkrimtarë.

Dhe ndodhi që pikërisht në muajin shkurt të atij viti në faqet e “Zërit të Rinisë”, unë të botoja një tregim të gjatë në tre numra.

Ishte tregimi i parë që botoja, kur sapo kisha mbushur 19-vjetët, ndaj dhe shokët e mi të kursit më uruan. Ndër ta edhe Dhimitri me të cilin më pas, më lidhi një miqësi edhe më e ngushtë, sidomos kur ime shoqe, Natasha, u bë redaktore e disa romaneve të tij.

Dhe ja një ditë, kur së bashku me të po kalonim nëpër sheshin “Skëndërbej”, takuam Naum Priftin, për të cilin kisha dëgjuar se ishte shkrimtar dhe kisha lexuar edhe disa tregime të tij.

Të dy kishin mbaruar Tenikumin Mjekësor, kishin punuar nëpër fshatra ndihmësmjekë, por pastaj i kishte bashkuar përfundmisht letërsia.

Kur gjatë asaj bisede të shkurtër, dëgjoi emrin tim, edhe ai më përgëzoi për tregimin që kisha botuar dhe më uroi që të vazhdoja të shkruaja tregime.

Miëpo kjo nuk ndodhi. I dhënë pas mësimeve, sidomos pas lëndëve të gjuhës shqipe dhe pas sportit, për të cilin që në vitin 1954 kisha nisur të botoja në gazetën “Sporti Popullor” shkrimet e para, unë reshta së shkruari tregime.

Edhe për një arsye tjetër. Përveç Dhimitër Xhuvanit, Halil Qendros, Jorgo Bllacit, studentë si unë të kursit tonë, që kishin nisur të botonin letërsi, ishin dhe studentë të kurseve më të larta, Bekim Harxhi, Bekim Gace dhe veçanërisht Ismail Kadarea, që shkruanin poezi dhe tregime ku e ku më të goditura se tregimi im, që, të them të drejtën, ishte shumë skematik.

Nuk mjaftoi kjo, por pas mbarimit të studimeve të larta në vitin 1959, fillova të punoja folës, gazetar dhe po atë vit radiokronist sportiv në “Radio Tirana”, krahas Ismet Bellovës dhe ca më pas Anton Mazrekut, që u rikthye në mikrofonin sportiv pas disa viteve heshtjeje.

Atëherë ndiqja kryesisht të rejat kulturore dhe veçanërisht sportive në shtypin sovjetik, që vinte dy herë në javë me avion nga Moska, dhe po jo shpesh lexoja artistike, dhe kryesisht të autorëve të huaj.

Shkrimtarë shqiptarë personalisht njihja shumë pak dhe në rastet kur i ftoja në intervista për emisione të redaksisë së kulturës në radio, ku vazhdoja të punoja, ose në Klubin e Shkrimtareve dhe Artistëve, që ishte në një ndërtesë pranë Teatrit Popullor. Dhe aty, nga viti 1963, fillova të takohesha edhe me Naun Priftin.

Ato kohë ai ishtë bërë ndër shkrimtart më të njohur shqiptarë. Veç tregimeve dhe përrallave për fëmijë në organet letrare, kishte botuar vëllimin me tregime “Çezma e floririt” që pati ngjallur interes në qarqet letrare.

Në shkrimet kritike të kohës Naumi, atëherë 31-vjeçar vlerësohej për gjuhën e pasur, dialogun dhe frymën popullore të tregimeve, që i pati përmbledhur në këtë vëllim.

Për gjuhën e ndihmonte në këtë drejtim shumë edhe prejardhja e tij: kishte lindur në Rehovë të Kolonjës dhe ruante gjallërisht gjuhën popullore.

Në një nga takimet tona në klubin e mësipërm, Naumi më pyeti:

– Dikur ke botuar një tregim. Por, nuk kam parë të botosh të tjera, veç reportazheve në radio ose shkrimeve sportive në “Zërin e Rinisë”.

I shpjegova se ngarkesa e madhe që kisha për emisionet letrare radiofonike dhe sportive, nuk më linin kohë të merresha me letërsi.

-Sidoqoftë, me pak sakrifica e gjen atëkohë, – më shpjegoi. – Ja, unë punoj në revistën “Hosteni”, por botoj edhe tregime.
Thoshte një të vërtetë, por atëherë unë nuk kisha besim se do të bëhesha shkrimtar i mirë, ashtu siç e ndjeja se po bëhesha gazetar i tillë.

Në mos gaboj në vitin 1963 ai botoi në faqet e revistës “Nëntori” dramën “Rrethimi bardhë”, të cilën me interpretimin e aktorëve të Teatrit Popullor në emisionin “Teatri në mikrofon”, e tramsmetoi “Radio Tirana”.

Jo vetëm kaq, por një vit më vonë ajo u vu në skenë nga Teatri “Çajupi” i Korçës. Të them të drejtën, unë as e kisha lexuar dhe as që nuk arrita ta shoh, sepse kjo dramë nuk u shfaq, jo më në Tiranë, por as edhe në Korçë.

Ç’kishte ngjarë? Ato ditë kur po shfaqej “Rrethimi i bardhë”, në Korçë erdhi Enver Hoxha. Dhe drejtuesit partiakë të këtij rrethi, e ftuan diktatorin të shihte pikërisht këtë dramë, të bindur se ai do ta pëlqente atë dhe do t’i përgëzonte.

Mirëpo, siç më thoshte më pas një shok që kishte qenë në atë shfaqje, Enver Hoxha duartrokiti sa për sy e faqe, për më tepër, takoi partiakët e lartë të Korçës dhe për të meta të theksuara ideologjike, urdhëroi që ajo të mos shfaqej më.

Me sa mbaj mend, sipas tij, realiteti shqiptar paraqitej me ngjyra të errëta, mveshur me personazhe egoistë, që në situata të vështira, të izoluar nga dëbora, nuk tregojnë solidaritet dhe dhëmshuri për njëri-tjetrin, por shikojnë vetëm interesat e tyre, një dramë që nxin realitetin socialist, kur në fakt në kushte të vështira jetësore në dramë shfaqeshin, natyrshëm njerëz me tipare pozitive, të dashur të afërt me të tjerët, të sakrificës, por dhe njerëz me tipare të kundërta, të cilët nuk mungonin në të.

Pak a shumë, ndodhi ajo që do të ndodhte në vitin 1969 me dramën “Njollat e murrme”, ndonëse këtë dramë, që sapo kishte fituar edhe çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesioniste, dhe e kishte ngritur në qiell kryeministri Mehmet Shehu, me ta parë, Enver Hoxha, dha urdhër të mos shfaqej, po për të meta të theksuara ideore.

Nuk kisha pasur deri atëherë njohje kaq të afërt me Naumin, por kur ato ditë e pashë në Klubin e Shkrimtarëve, e mora me mend tronditjen e madhe të tij shpirtërore, sepse pas kësaj ngjarjeje kaq të papritur, emri tij do të vihej me siguri në një rreth të kuq nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, aq më tepër se ai kishte një vëlla, Petrin, që kishte emigruar në Amerikë, fatmiërsisht në vitin 1940, pra jo gjatë Luftës së Dytë Botërore, se më pas kishte qenë sekretari i Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston dhe merrej me studime, pa ndërhyrë në probleme që lidheshin me Shqiqërinë komuniste.

Me Naumin u njohta më afër, kur pas thirrjes demagogjike të Partisë në shkurt të vitit 1966, që të punojmë ku ka nevojë atdheu, si shkrimtarë të tjerë, dhe shkoi të punonte mësues në Divjakë, për t’u njohur më afër me realitetin e ri socialist, kurse unë gjithashtu mësues në Berat.

Ato vite ai kishte botuar novelën e njohur për fëmijë “Cikua dhe Beni” dhe vëllimin tjetër me tregime “Një pushkë më shumë”.

I duhej që njëherë të shtunave në çdo dy javë si dhe mua, të nisej nga Divjaka në Lushnjë dhe aty me autobusin që vinte nga Përmeti, (nëse kishte vend), të kthehej për të dielën në Tiranë, për t’u shmallur me gruan dhe fëmijët, duke pasur një rrogë më të ulët se ç’kishte pasur dhe kushte jetese për të mos u zënë me gojë, siç ndodhi dhe me shkrimtarët dhe artistët e tjerë që përmenda më lart.

Në disa nga këto udhëtime kam pasur rast të takohem me Naumin. Dhe natyrisht gjuha i shkonte aty ku “dhëmb dhembi”, pra te letërsia. Megjithatë, në një nga këto takime, Naumi, si dikur, më pyeti nëse po shkruaja ndonjë tregim.

I shpjegova se as që më kishte shkuar ndërmend edhe sepse deri atëherë, nuk kisha gjetur ndonjë ngjarje që të më shtynte të shkruaja ndonjë skicë, pale më tregim.

-Përse nuk shkruan atëherë ndonjë gjë letrare për sportin? – më pyeti. -Ke kaq vite që je gazetar edhe komentator sportiv në radio dhe je njohur me botën sportit.

Mblodha vetëm supet. Por, nuk harrova… Për disa javë mendja më rrihte si çekan te fjalët që më kishte thënë ai. Dhe kështu, që nga dhjetori i vitit 1966 dhe deri në korrik të vitit 1967, shkrova 13 tregime me temë krejt sportive.

Në një nga udhëtimet me autobusin e Përmetit që na shpinte në Tiranë, i dhashë Naumit dorëshkrimet e disave prej këtyre tregimeve.

Dy javë më pas, kur u takuam në Lidhjen e Shkrimtarëve, më përqafoi dhe më tha se tregimet në përgjithësi i kishin pëlqyer dhe më nxiti të shkruaja dhe të tjera.

Ta pret mendja, se më bëri dhe vëretje për ndërtimin e ngjarjeve në disa tregime që iu dukën të stisura, dialogun jo të natyrshëm, për disa personazhe të zbehta, që më dëshpëruan, aq sa i thashë se ato nuk mund t’i ndreqja.

Por, Naumi më shpjegoi se pak a shumë edhe atij kështu i kishte ndodhur, kur kishte shkruar vëllimin e parë me tregime, “Çezmja e floririt”.

Këshu më ndodhi dhe mua. Pata durim dhe këmbëngulje për të ripunuar disa tregime dhe 12 nga 15 prej tyre u botuan nga Shtëpia Botuese “Naim Frëshëri”, në janar të vitit 1988, me titullin “Një ndodhi në stadium”, kur unë kisha mbushur plot 30 vjeç.

“Na solle për herë të parë parë në biblotekat tona një buqetë me lule të freskëta nga fusha e sportit”, më tha një ditë shkrimtari i njohur Shefqet Musaraj, që aso kohe ishte sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve.

I nxitur edhe nga lexues, sidomos sprtdashës, botova deri në vitin1970 edhe dy libra, po me temë sportive, por të them të drejtën nuk patën jehonën e librit të parë “Një ndodhi në stadium”.

Ndër të parët që më përgëzoi ishte edhe Naum Prifti, i cili ishte edhe i pari që më kishte nxitur të shkruaja tregime me këtë temë. Në vitin 1970, pas tre vjetësh qarkullimin absurd, si dhe shkrimtarë të tjerë, u kthyem në Tiranë, unë në Televizioni Shqiptar, dhe Naumi, inspektor për teatrin në Ministrinë e Kulturës.

Po atë vit, ai botoi vëllimin me tre gime “Litari i zjarrtë”, që dëshmuan për një nivel të ri më të dukshëm artistik. Por, nuk ndodhi kështu me mua, sepse, vërtet botova dy vëllime me tregime për të rinj, kushtuar figurave të shquara në fushën e muzikës, “Zërat e jetës” dhe “Mbi mjegullat e kohërave”, në fushat e tjera të shkencës dhe artit, por ato nuk shënuan ndonjë ngritje cilësore.

Siç më tha më pas Naumi, nuk duhej të nxitohesha në përshkrimin e ngjarjeve disa herë me gjuhë disi të thatë. Por nuk ndodhi kështu me dy romane për fëmijë.

‘Kujtimet e mëhallës së vjetër’ dhe ‘Pas gjurmëve’, (1970,1972). Këtë të fundit e lexoi edhe Naumi në cilësinë e kryetarit të jurisë së konkursit të organizuar nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”.

Dhe më përgëzoi, si më pati më pati përgëzuar dhe miku tjetër imi si ai, shkrimtari i njohur për fëmijë, Odhise Grillo, siç kam shkruar edhe në kujtimet e botuara për të muaj më parë po në këtë gazetë, i cili edhe ai, më ka ndihmuar shumë që të bëhem shkrimtar i pëlqyeshëm për fëmijë.

Takimet e mia me Naum Priftin më vonë qenë më të pakta. Vitet rrokulliseshin dhe ne shkruanim, por ai përsëri me sukses të dukshëm. Këtë e dëshmoi ndër të tjera edhe vëllimi me tregime “100 vjet”, (1983).

Duke vlerësuar krijmtarinë e tij kritiku Bashkim Kuçuku nënvizon: “Dialogu në prozën e Naum Priftit është i kufizuar, për t’i lënë hapësirë më të madhe monologut, që zbulon ndryshimin e brendshëm të personazhit”. (FESH, faqe 2088).

Duke parë se në dy vëllimet e mësiprme me tregime “Zërat e jetës” dhe “Mbi mjegullat e kohërave” mbase te lexuesit ishte krijuar bindja se ato ishin përkthime, vendosa të shkruaja tregime për figura të shquara shqiptare në shekuj.

Dhe kur këtë ide, ia shpreha Naumit, që, ndër të tjera, më shpjegoi se një ndër këto tregime, duhej t’ia kushtoja edhe atdhetarit të madh Avni Rustemi, atentatorit legjendar kundër Esat pashë Toptanit.

Nuk më kishte shkuar ndërmend. Dhe kur miku im Aziz Gergji, autori i dokumentarëve të njohur historikë në TVSH më tregoi me saktësi të dhënat e materialeve të duhura për këtë ngjarje në Arkivën e Shtetit dhe Bibliotekën Kombëtare, lindi romani “Atentat në Paris”(1978). “Me këtë roman tashmë je edhe më i afirmuar”, më tha Naumi duke më përgëzuar krahas shokëve të tjerë.

Në vitin 1992, ai së bashku me familjen ai u vendos përfundimisht në Nju Jork. Me përjashtim të një takimi në vitin 1994 në Tiranë, nuk patëm më rast të takoheshim.

Por, ja që rasti e solli që në vitin 1999 edhe unë së bashku me familjen të vendosesha në Amerikë. Kështu rinisi edhe komunikimi midis nesh jo vetëm me telefona, por edhe me vajtjet e mia nga Bostoni ku jetoi, në Nju Jork, për t’u takuar me të. Në vitin 2002, dhe më pas ai botoi librat “Nëna e Diellit”, dramën “Plumbat e shkronjave” dhe komedinë “Dasmë pa nuse”.

Nuk mbeta pas edhe unë, ndonëse që në bisedën e parë telefonike me të në pranverë të vitit 1999, i pata thënë se në moshën 61-vjeçare sa isha atëherë. Ç’kisha për të shkruar më.

“Uroj që realiteti amerikan dhe mjediset shqiptare në të, të të frymëzojnë”, më pati thënë. Në vetvete nuk besova. Por, kur një ditë vjeshte të vitit 2008, po i shpjegoja se si atë mëngjes të 11 shtatorit të vitit 2001, tek po punoja “security guard” në Aeroportin Ndërkombëtar “Logan” të Bostonin, pa e ditur se kush ishin, kisha parë të kalonin në një pikë të kontrollit të këtij aeroporti të rinj arabë, të cilët pas atentatit dolën se ishin tërroristë që rrëmbyen avionët dhe me ta goditën Kullat Binjake të Nju Jorkut, atëherë ai menjëherë ma tha: “Ja zanafilla e një romani”, sepse midis rreth 3000 njerëzve që humbën jetën në këtë tragjedi të tmerrshme, në katin fundit kishin qenë edhe tre shqiptarë që ato çaste po pastronin nga jashtë dritarët e këtyre kullave. Nuk më kishte shkuar ndërmed të bëja këtë lidhje.

Kështu, falë tij, lindi romani “Shtatori i gjëmës së madhe”, që e botova në vitin 2011 në Tiraë. Më përgëzoi dhe shtoi: “Tani që ke kaq vjet në Amerikë, mendo për ndonjë roman tjetër, por përsëri me temë amerikano-shqiptare.

I shtytur përsëri prej tij, shkrova romanin “Një grua midis dy burrave” me temë të tillë, si i pari, ashtu dhe i dyti, të botuar në Amerikë përkatësisht me titujt “Disatrous September” dhe “A Woman Between Two Men”.

U trondita kur mësova lajmin e hidhur se para disa javësh në moshën 92-vjeçare Naum Prifti ishte shuar. Ashtu si Çehovi ai nuk shkroi kurrë një roman, por mbeti i paharruar në letërsinë shqiptare si Çehovi shqiptar, veç kësaj si njeri fisnik dashamirës, sidomos me shkrimtarët më të rinj, siç u mundova të tregoj dhe unë në këto kujtime për të./ panorama.com

ObserverKult


Lexo edhe:

KUR ENVER HOXHA DETYROI RRETH 100 SHQIPTARË TË NDAHEN ME GRATË E TYRE RUSE

“Paris-presse” ka botuar, të dielën e 14 janarit 1962, në ballinë, një shkrim në lidhje me vendimin mizor të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve të martuar asokohe me shtetase ruse, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqiptarët të ndarë nga gratë e tyre ruse

Tiranë, 13 janar

Rreth 100 oficerë dhe nëpunës civilë shqiptarë janë detyruar të ndahen nga gratë e tyre, sepse ato janë me origjinë ruse. Qeveria e Enver Hoxhës dëboi, tre ditë më parë, gratë ruse të martuara me shqiptarët në kohën kur ata ishin studentë në Moskë.

Vetëm disa nga burrat e tyre guxuan të shkonin në aeroport për t’u dhënë lamtumirën e fundit grave të tyre.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


“ENVER HOXHA I MBAJTI TRE DITË NË ZYRËN E TIJ 500 FOTOGRAFI TË MEHMET SHEHUT TË VDEKUR”- DËSHMIA E RRALLË E ISH-OFICERIT

Nga Afrim Imaj

Rrëfimi i oficerit A. C. që ka shërbyer për 30 vjet në Gardën e Republikës, si pjesë e grupit të shoqërimit dhe sigurisë fizike të Enver Hoxhës-

 “Për gati tridhjetë vjet, kam parë se si Enver Hoxha relaksohej mbi fotografitë e viktimave të tij. Ai qëndronte përreth 6 orë në ditë mbi fotografitë e trupave të pushkatuar të Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos.

Por, mbi fotografitë e Mehmet Shehut, dhe të bandës Xhevdet Mustafa, ai është relaksuar mbi tri ditë”. Kjo është dëshmia rrëqethëse e oficerit, që ka qëndruar përreth 20 vjet pranë Enver Hoxhës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


enver

ENVER HOXHA DISA HERË TENTOI TA NDËRRONTE HIMNIN, KJO ISHTE ARSYEJA

Enver Hoxha, qysh nga dita e ardhjes në pushtet, nuk ka reshtur përpjekjet për ta ndryshuar himnin kombëtar, por nuk ia doli asnjëherë.

Ende pa u familjarizuar mirë me zyrën e kryeministrit dhe të kreut të vendit, në dhjetor të vitit 1945, Enver Hoxha urdhëronte formimin e një komisioni zyrtar për krijimin e një himni të ri kombëtar.

Në kushtet e reja, na duhet një tjetër himn për Shqipërinë e re, ku t’i këndohet partisë, socializmit, atdheut, revolucionit, Moskës e Stalinit, porosiste kreu i regjimit. Një himn pak a shumë si ai i Internacionales(!) Sprova e parë rezultoi e pasuksesshme. Si vargjet e Skënder Luarasit dhe muzika e Kristo Konos, pavarësisht “Ok”-it të komisionit zyrtar, s’mundën ta kalojnë klasën për të zyrtarizuar zëvendësimin e himnit kombëtar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult