Milan Kundera: “I biri ishte pesë vjeç, kur nëna e varrosi…”

Nga Milan Kundera

I biri ishte pesë vjeç, kur ajo e varrosi. Më vonë, gjatë pushimeve, e kunata i tha “Je shumë e trishtuar. Duhet të bësh një fëmijë tjetër. Vetëm kështu mund të harrosh.” Fjalët e së kunatës ia tkurrën zemrën. Fëmijë: qenie pa biografi. Hije që shuhet shpejt brenda zëvendësuesit të tij. Por ajo nuk donte ta harronte të birin. Ajo mbronte individualitetin e tij të pazëvendësueshëm. Kundër të ardhmes, ajo mbronte një të kaluar, të kaluarën e nëpërkëmbur dhe të përçmuar të të vdekurit të vogël. Një javë më pas i shoqi i tha: “Nuk dua të gremisesh në depresion. Duhet të bëjmë shpejt një fëmijë tjetër. Pastaj, ke për të harruar. Ai as që e vriste mendjen për të gjetur një tjetër formulë! Në këtë kohë ajo ngjizi vendimin për ta lënë.

Ishte e qartë për të se i shoqi, një burrë pothuaj i mefshtë, nuk fliste në emër të tij, por në emër të interesave më të përgjithshëm të familjes së madhe, të sunduar nga motra e tij. Kjo e fundit tani jetonte me burrin e saj të tretë dhe me dy fëmijët që kishte nga martesat paraardhëse; ajo kish arritur që të ruante marrëdhënie të mira me dy ish- burrat e tjerë dhe t’i mblidhte rreth saj, së bashku, edhe me familjet e vëllezërve dhe kushërirave të saj. Këto mbledhje të pafundme mbaheshin në një vilë të stërmadhe fshati, gjatë pushimeve; kunata rrekej ta fuste Shantalin në tribunë e saj, në mënyrë që pak e nga pak, dhe pa e kuptuar, ajo të bëhej pjesë e saj. Aty, në atë vilë të madhe, e kunata dhe më pas i shoqi e nxitën Shantalin të bënte një fëmijë tjetër.

Aty, në një dhomë të vogël gjumi, ajo nuk pranoi të bënte dashuri me të shoqin. Çdo ftesë e tij erotike i kujtonte fushatën familjare për një shtatzëni të re dhe ideja e të bërit dashuri me të, iu kthye në diçka qesharake. Kishte përshtypjen se të gjithë anëtarët e tribusë, gjyshet, baballarët, nipërit, mbesat, kushërirat i përgjonin pas dere, zhbironin fshehurazi çarçafët e shtratit të tyre, ekzaminonin rraskapitjen e tyre mëngjesore. Të gjithë i njihnin vetes të drejtën t’i hidhnin vështrime te barku.

Edhe nipërit ishin rekrutuar si mercenarë në këtë luftë. Njëri prej tyre i tha; “Shantal, përse nuk i do fëmijët?” Përse mendon se nuk i dua?” – ia ktheu ajo vrazhdë dhe ftohtë. Ai nuk diti ç’të thoshte. E nevrikosur, ajo vazhdoi: “Kush të ka thënë që nuk i dua fëmijët?”

Dhe nipi, nën vështrimin e saj të rreptë, iu përgjigj me një ton sa të ndrojtur, po aq edhe plot bindje; “Po t’i doje, do bëje fëmijë”.

Shkëputur nga libri “Identiteti”, përktheu: Mira Meksi

Marrë nga proflili faqja në Facebook i Elona Casllit

ObserverKult


Lexo edhe:

MILAN KUNDERA: SOT, PA BRODIN, FRANZ KAFKËS NUK DO T’I DINIM AS EMRIN…