Jo më zgjedhje nga votimi në Festival/ Kritika për mënyrën e përzgjedhjes së këngës për Eurovision, propozohet të shpallet konkurs

Shqipëria këtë vit u përfaqësua në “Eurovision 2024” me këngëtaren Besa Kokëdhima, që me këngën “Titan” u ngjit në skenë në gjysmëfinalen e dytë, por nuk kaloi në finale.

Prezantimi në skenën e madhe të “Eurovision” ka ngjallur shumë diskutime. Artistë të ndryshëm duke parë se çfarë po ndodh me këngën shqiptare thonë se problemi më i rëndësishëm është krijimtaria muzikore, që përbën bazën e Festivalit të Këngës në RTSH.

Mendime mbi përfaqësimin e “Shqipërisë” këtë vit në “Eurovision” jep kompozitori dhe kantautori Sajmir Çili, sipas të cilit prej kohësh po vihet re një shtrembërim i këngës shqiptare në festivalin e fundvitit në RTSH.

“E kam thënë disa herë mendimin tim për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision”. Për mendimin tim kënga përfaqësuese e Shqipërisë në “Eurovision” duhet të dalë nga një konkurs kompeticion tjetër i RTSH, jo nga festivali, sepse vihet re një shtrembërim i këngës shqipe në festival”, thotë Sajmir Çili kantautor, i cili dhe më parë ka shprehur shqetësimin se çfarë po ndodh me krijimtarinë muzikore.

Sipas kantautorit festivali duhet të ruaj me fanatizëm këngën me melos bulzën shqiptare dhe mos abuzohet me krijimtari jo profesionale në emër të modernizmit, por ka vite që gjithmonë e më shumë po i mungon pena e kompozitorëve dhe tekstshkruesish profesionistë.

Votimi për këngën

Festivali i Këngës në RTSH që u zhvillua në vitin 2022 vendosi që për herë të parë kënga përfaqësuese në “Eurovision” të zgjidhej 100 për qind nga votat e publikut, ndërsa kënga fituese e çmimit të parë u zgjodh nga juria profesioniste.

Kjo mënyrë votimi vijoi dhe në Festivalin e Këngës në RTSH vjet në dhjetor. Por sipas kantautorit Sajmir Çili mbase ka ardhur koha që të ketë një tjetër votim për përfaqësimin e vendit tonë në skenën e madhe të “Eurovision”.

Sajmir Çili thotë se duhet të ketë një ndarje me përqindje midis pikëve të jurisë profesionale me një juri gazetarësh dhe me votat e publikut, pa e ndarë çmimin e parë në dy çmime të para, një fituese e festivalit dhe një fituese për përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision”.

“Meqë akoma kënga del nga festivali, duhet një votim tjetër. Kënga fituese duhet të shpallet nëpërmjet votave të jurisë profesioniste, jurisë së gazetarëve dhe votave të publikut (kjo me transparencë të plotë, sepse asnjëherë votat e publikut nuk tregohen). Pra një votim gjithëpërfshirës ( me përqindje të caktuar paraprakisht)”, shprehet ndër të tjera kompozitori Çili.

Reagimi i kantautorit të njohur Sajmir Çili i bashkohet dhe të artistëve të tjerë më parë që janë shprehur mbi problemet që janë sot në krijimtarinë muzikore. Besa Kokëdhima me këngën “Zemrën n’dorë” në Festivalin e 62 të Këngës në RTSH mori votat e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të “Eurovision” që u mbajt në Malmo të Suedisë, ku me ndryshimet e bëra ajo erdhi në skenë me titullin “Titan”.

Ndryshe “Eurovision” është një nga ngjarjet muzikore më të ndjekura me miliona shikues në mbarë Evropën e më tej./ sot.com.al

ObserverKult


Lexo edhe:

EUROVISION 2024, SONTE FINALJA E MADHE- JA CILAT KËNGË JANË NË GARË PËR VENDIN E PARË

Edicioni i 68-të i Eurovision kulmon sonte. Mbrëmjen e kësaj të shtune do të interpretohen 26 këngë dhe pas 4 orësh muzikë, performanca, argëtim dhe emocione do të njohim fituesin e Eurovision 2024.

Shfaqja fillon në orën 21:00 dhe zhvillohet në Malmo të Suedisë.  Shqipëria u përfaqësua këtë vit nga Besa Kokëdhima me këngën “Titan” e cila performoi në natën e dytë gjysmë finale. Pavarësisht se pati një performancë dinjitoze, Besa Kokëdhima nuk mundi të kualifikohej për në finale.

Këngët finaliste:

  1. Suedi | Marcus & Martinus – Unforgettable
  2. Ukrainë | alyona alyona & Jerry Heil – Teresa & Maria
  3. Gjermani | ISAAK – Alëays On The Run
  4. Luksemburg | TALI – Fighter

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult