“Rrugës”, filmi që përfaqëson Kosovën në Festivalin e Kanës- garon për çmimin prestigjioz

Më datë 24 maj në ora 11:00 në Teatrin Debussy do të jepet premiera e filmit të shkurtër, “Rrugës”, i cili përfaqëson Kosovën në konkurrencën kryesore të Festivalit të Kanës.

Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës .

E kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Kanë në vitin 2021.

Nga 4.420 filma, “Rrugës ” është përzgjedhur mes 11 filmave të shkurtër nga 11 shtete që do të prezantohen këtë vit në konkurrencë.

Ndërkaq, rishfaqja e këtij filmi do të jetë me datë 25 maj në Teatrin Bunuel duke filluar nga ora 14.00.

Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.

Ndryshe, “Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.


ObserverKult


Lexo edhe:

FILMI “RRUGËS” E PËRFAQËSON KOSOVËN NË FESTIVALIN E KANËS/ KRYEMINISTRI KURTI: SUKSESE NË KONKURRENCËN E KËTIJ VITI

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar regjisorin Samir Karahoda i cili sivjet mer pjesë me filmin “Rrugës” në Festivalin e Filmit të Kanës, brenda konkurencës së filmit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 77-të.

Pas pjesëmarrjes në vitin 2021 me filmin “Pa Vend”, Karahoda po merr pjesë edhe sivjet në këtë Festival, pra për herë të dytë.
Karahoda është regjisori i parë nga Kosova që ka shfaqur dy filma të ndryshëm në konkurrencën e Kanës.

Filmi “Rrugës” është shkruar nga Samiri dhe djali i tij, Mironi, bazuar në një bisedë që të dytë kanë zhvilluar në veturë gjatë rrugës për në aeroport.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


FILMI “LUANESHAT E KODRËS”, PREMIERË HISTORIKE NË FESTIVALIN E KANËS

Filmi “Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami shfaqi premierën në kuadër të programit Directors’ Fortnight të Festivalit të Kanës. Ky është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë që shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë.

Directors’ Fortnight është program shumë i rëndësishëm i Kanës që ka ndikuar shumë në kinemanë bashkëkohore dhe ka kontribuar në evoluimin e gjuhës së filmit botëror, duke shfaqur filma të regjisorëve të njohur si Werner Herzog, Rainer Werner Fassbinder, Nagisa Oshima, George Lucas, Martin Scorsese, Chantal Akerman, Jim Jarmusch, Michael Haneke, Spike Lee, Naomi Kawase, Jean-Pierre and Luc Dardenne, dhe Sofia Coppola.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult