reklamë

Poeti dhe letërsia shqipe

Nga Rexhep Qosja


Mbi poezinë e Lasgush Poradecit dhe kualitetet e saj artistike janë dhanë mendime të ndryshme që nganjiherë s’përkojnë fare mesveti dhe, përsa i përket vendit që duhet të zajë ai në kierarkinë e shkrimtarëvet shqiptarë, ka pikëpamje kontradiktore.

Vlerësimet e dhanuna përkitazi me kualitetet e vjershave të tij rëndom bazohen në kërkesat që ia shtrojnë artit poetik autorët e kritikavet, ndaj nëqoftëse njani njihte formën njiherë si primat të poezisë e artevet përgjithësisht asht e kuptueshme të gjente tek Lasgushi idealin e vet artistik kurse tjetri që kërkonte të jenë tradita dhe thesari popullor pikënisje të krijimtarisë letrare, nuk mund të shihte ndonji vlerë të shqueme në te.

Kësisoji, poetit sa i thureshin panegjirikë, sa i mohohej plotësisht randësia për krijimtarinë artistike shqipe tamam në kohën kur u botuen dy përmbledhjet e tij. Derisa Mitrush Kuteli, me sensibilitetin e tij të shquem dhe kulturën mjaft të gjanë letrare, thonte se ai kap kulmin e literaturës shqipe e vargjet e tij hyjnë ndër poezitë ma të bukura botënore, ndonji tjetër e kundronte me skepsë të madhe kët krijimtari. Mirëpo, kjo do të thotë se Lasgush Poradeci ishte poet që zgjonte kërshërinë e lexuesve dhe të kritikës , se ishte krijues me ithtarë e kundërshtarë të shumtë. Mbas të gjitha këtyne poeti u hudh disi në harresë dhe rrallë e tek e denjësuen me ndonji vështrim mohimi o afirmimi.

Poezia e Lasgush Poradecit ka diçka paradoksale edhe në zanafillen , edhe në fatin e vet të pastajshëm, por ky paradoks asht i kushtësuem nga vetë koha, nga ndërrimi i pikëpamjeve , i strukturave e superstrukturave, shijes e ndieshmënisë së njerëzvet. Sepse, asnji popull europian s’ka pasë fatin deri vonë tragjik të Shqiptarëvet të gjindet orë e çast në zgripin historik dhe, tue qëndrue, tue ndërrue rrugën e fatin e vet, të ndërrojë edhe shijen. E, të gjitha këto vlime e ndryshime kanë sjellë ndryshime edhe në totalitetin e individit. Lasgushi, njiherë i famshëm, erdh tue ra në harresë me kohë. Pikëpamjet që ecin pareshtun rrugës së progresit, e qitën disi në hije zulmën e tij të dikurshme. Rëndom, poezija e madhe i reziston kohës, e kjo që ka ngja me vjershat e Lasgush Poradecit e ven në dyshim vlerën e tyre deridiku. Megjithatë ai s’asht poet që mbetet manash antologjive e historisë letrare të popullit tonë. Ata që deri sot shqitnin përskaj emnit të tij arësyetoheshin duke thanë: në vend se të mishnohej me gjendjen dhe vuejtjet e popullit, sikundër vepruen shumica e shkrimtarëvet tanë, Lasgushi ishte mbyllë në “kullën e fildishtë” dhe s’ndiente fare për krajatat e botës as krizën e ndërgjegjes së kohës; në vend se të rebelohej , Lasgushi heshtte; në vend se të punonte pareshtun Lasgushi kënaqej tue thadrue ca vjersha. Do të thotë, paska qenë i anatemizuem nji kohë të gjatë pse nuk e ka angazhue fjalën si Migjeni apo Mjeda, apo Çajupi, pse nuk shkrue në frymën letërsisë shqipe dhe pse nuk ka marrë materje ma konkrete , porse u asht kushtue temave të përgjithshme. Faji i tij ma i madh qenka, pra, pse shkruen:

Bukuri! tmerisht e dashur, llaftari! tmerisht e bukur; dhe pse e mbron me ngulmë kët ideal të vetin. Njimend, Lasgushi sikur nuk jeton në rrethin e njerëzvet, vuajtjet e gëzimet e të cilëvet do të duhej t’i ndiente, t’i përjetonte, t’i kapte me at intuitën e poetit, t’i amshonte me poezinë e vet. Mirëpo , ai qëndron pezull ; as s’asht në tokë, as në qiell. Ndër njerëzit s’don vetë të jetë dhe ikën qëllimisht prej atmosferës së tyne skëterrike, kurse në botën metafizike ndien kotësinë e ekzistencës së vet. Plevatjen e tij shpirtnore, atë absurdin emocional dhe ekzistencial që e ndien ai e provojnë mirë edhe vetë temat e tij: së pari vjen poezia mbi procesin krijues, gjenezën e frymëzimit; tevona e shohim t’i kthehet së kaluemes, kangës së popullit , këngës pleqërishte , historisë së kombit, besimit të tij, e i kthehet të kaluemes që të projektojë atje lumturinë e vet; mbas kësaj vjen poezia erotike, e sajueme shpeshë nëpër varianta të shumta; mandej, Lasgushi ban nji si rekapitulim të të menduemit filosofik, ku s’përjashtohen elemente të gnoseologjisë moderne, por as të asaj religjioze përkitazi me fazat e krijimit e zhvillimit gradual, progresiv, të njeriut si në planin fizik, ashtu edhe në ate intelektual. Në fund, trajton edhe problemin e vdekjes me ç’rast krijon një antitezë logjike ndaj persiatjevet rreth metafizikës së botës shpirtnore dhe emocionale të njeriut . Ajo vdekja e llahtarshme që u shtie të dridhuna Montenjit, Paskalit e Tolstojit tani shikohet , si nji proces dialektik i të qenunit dhe Lasgushi sikur e merr me gjakëftohtësinë e racionalitetit , tue i krijue antinominë e idealit. Në kët proces të persiatjeve e emocioneve të tij poetike s’ka askund asgja të afërt me hallet e brengat e njeriut të ditës, me andrrallat e atij që kurrë gjatë jetës nuk ka kohë të mendojë rreth vdekjes, meqë imperativet e përditshme s’e lejojnë të kridhet në persiatje rreth çështjevet metafizike. nuk ka kohë të mendojë rreth vdekjes, meqë imperativet e përditshme s’e lejojnë të kridhet në persiatje rreth çështjeve metafizike.

Prandej edhe në të gjithëvet që jemi mësue , për shkak të pozitës specifike historike, ta shikojmë edhe letërsinë në mvarësi nga mbrujtja e saj me fenomenet e jetës aktuale dhe aspiratat e njeriut, na duket disi e ftohtë dhe e pagjak kjo poezi. Sidoqoftë, vjershat e Lasgushit janë specifike edhe përkah materia që trajtojnë dhe mënyra se si e trajtojnëat materie.

Por , këto vjersha duhet të shikohen nga nji kand i posaçëm për të vu oroe se edhe ato qëndrojnë në dialog me kohën e realitetin e saj shoqënor . Së pari duhet shikue përse Lasgushi kap sall motive të tilla, përse ban ato reminishenca në lamën e historisë dhe të të menduemit filosofik njerëzor, përse ia thur të gjitha ato varianta motivit erotik dhe përse çik në fund edhe vdekjen. Me nji fjalë: duhet shikue përse asht ashtu indiferent ndaj realitetit dhe, shikue optikisht, çfarë na del ajo indiferencë. Kjo do të ishte vistra e parë e pyetjevet, së cilës deri tani me heshtje i asht dhanë përgjegja negative sa i përket valorizimit definitiv të poezisë së Lasgush Poradecit.

Përse u aratis poeti nga realiteti? Për t’iu qasë kuptimit të njimendët të poezisë së Lasgush Poradecit , së pari duhet dhanë përgjegjen e kësaj pyetje.

Tue kërkue cytjet psikologjike të hermetizmit shpirtnor të poetit duhet shikue në mos asht arratisja e tij nji trajtë e tëhuejsimit të tij, nji mohim i tërthortë i realitetit shoqënor dhe normave të tij të kohës. Në studimin e tij të njoftun Vështrim mbi letërsinë ruese në vjetin 1847, Bjelinski ka thanë : ,,Personaliteti i poetit nuk asht diçka absolute, diçka e veçueme, diçka jashtë të gjitha ndikesave të jashtme. Poeti para së gjithash asht-njeri, mandej qytetar i vendit të vet, bir i kohës së vet. Atmosfera e popullit nuk mund të ndikojë ma pak tek ai se sa tek të tjerët “.

Në kontekstin e këtij mendimi mund të kuptohet se edhe ,,largimi” i Lasgushit nga realiteti shoqënor asht vetëm nji pozitë e posaçme prej nga ai kundron shoqëninë dhe individin në mesin e saj. Vjershat e tij janë krijue në nji atmosferë specifike të historisë sonë moderne dhe janë të mbrujtuna prej karakteristikës së saj të tëhuejësimit të njeriut mbas dëshprimit pse pamvarësia e fitueme me aq vuejtje nuk solli ate që pritte pjesa dërmuese e popullit . Në nji flakë ndjenjash kontradiktore u krijue edhe poezia e Lasgush Poradecit. Së këndejmi , edhe largimi i tij del vetëm si nji mundësi e posaçme e shprehjes së jetës, mbasi çdo largim në të vërtetë asht nji kthim i tërthortë, asht negacion i vetes, ashtu sikundër thot Gete se ndamja asht bashkim i sërishëm.

Tekembramja, asht absurd të pohohet se arti mund të jetë i shkoqun dhe i pa interesum ndaj realitetit shoqënor , sepse ashtu do t’i preheshin të gjitha rranjët e ekzistencës. S’ka dyshim se edhe sajimet letrare, të mbrujtuna prej elementesh thjesht fantastike, kanë gurrat e veta inspirative në realitet , respektivisht janë nji superstrukturë e tyne. Due të them se edhe poezia ka vetëm një tamë që ushqen : realitetin. Porse , perspektiva e vrojtimit të saj mund të jetë e ndryshme. Tek Lasgush kemi të bajmë me mashtrime optike: realiteti asht vu në pasqyrë. Mirëpo, poezia e tij mbetet nji shprehje e zbetë e atij realiteti tamam pse pasqyra asht largue tepër prej rrezeve që lëshon jeta e rëndomtë. Edhe mbas kësaj, s’do mend se vepra letrare e Lasgush Poradecit flet për gjendjen e cila e ka frymëzue të largohet prej saj. Kur poeti shkruen:

Bukuri!tmerisht e dashur, llaftari!tmerisht e bukur;

këtij vargu s’mund t’i gjejë dot kush spiegime të tjera përpos thjesht formale , veçse mund t’i kërkojë shkaqet psikologjike të braktisjes nga jeta e mesi i njerëzvet dhe të shohë pse asht poezia medij ku shprehet Uni i krijuesit gjatë kërkimeve të tij abstrakte. Ndonëse duket se ka botën e tij të pamvarun mikrokosmike, damarëve të poetit rrjedhë gjaku i ushqyem nga damarët e kohës, kurse reflektimet e tij janë të cytuna nga pulset e fuqishme të botës reale . Lasgush Poradeci kapet në vallet ritmike të yjvet për t’ia lehtësue peshën e randë kaosit të vet shpirtnor. Ylli i zemrës vuen në tokë, ndaj me imagjinatën e pakontrollueme , autonominë e së cilës s’mund t’ia cënojnë shqisat e tjera, braktiset ndër kuptime e persiatje metafizike, ku edhe gjen për nji kohë të shkurtë atë rendin e qetësinë pas së cilës lektiset emocionalisht dhe intelektualisht. Ai ik atje që ta harrojë këtuhen, mohom këndej që të afirmohet andej. Pokështu mund të spiegohet edhe ajo pedanteria e tij e hatashme , ai përpunim i pandërpremë i vargjevet , që me siguri e pason sa ndërgjegjen artistike aq edhe prridhjen e kotësisë, ai dorëshkrim çfarë asht në faksimile,herë i shkëputun e plot nervozitet e befasi , e herë i matun, harmonik, simetrik, çfarë rrallë mund të shihet. Por, sidoqoftë, as kjo nuk mund ta çfajësojë plotësisjt , nuk i jep arësyetim të mjaftë autarkisë së tij, asaj shfrymje e kënaqësie në vetmi. Njeriu realizohet në shoqëni, porse Lasgush Poradeci si poet orvatet të realizohet në vetminë e tij artistike, meqë nuk mund të gjejë veten në jetë.

Poezija e Lasgush Poradecit ka vendin e vet në letërsinë tonë dhe pa te do të krijohej nji shprazti në kontinuitetin e saj. Nëqoftëse edhe thuhet se poetët dhe lexuesit e sodit nuk kanë ç’të përjetojnë nga vargu i tij, meqë sensibiliteti i kësaj kohe nuk mund të çfaqet ma përmes atyne trajtavet pothuej të gurëzueme njiherë e përgjithmonë, asht e pamundshme të mos pranohet domosdoja e fjalës së tij në zodiakun e literaturës shqipe.

Poezia e Lasgushit, porsi ajo e Mjedës, shënon nji fazë kalimtare të letërsisë sonë.

(Shkëputur nga libri “Dialogje me shkrimtarët” )

Përgatiti: ObserverKult


rexhep qosja kosova atdhe estetika e snobi shkrim nga rexhep qosja

Lexo edhe:

REXHEP QOSJA: NJË A DY ATDHE I KANË SHQIPTARËT?

Një a dy Atdhe i kanë shqiptarët?

Nga Rexhep Qosja

Kosova, thotë shpesh, pa ia kërkuar kush është Atdheu ynë i vetëm! Dhe këtë mendim e thotë, përpos të tjerash, për të mohuar, cenuar, zhvlerësuar idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Duke e shqiptuar aq përkushtueshëm fjalinë e sipërthënë, ajo e thotë edhe një të pavërtetë: se Shqipëria s’ishte kurrë as Atdheu i të parëve të saj e as i të parëve tanë!
Gabim i dyfishtë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult