“Biseda vjeshte me zonjën Jetë” nga Şükrü Erbaş
(fragment)
Bie shi Zonja Jetë… jo nga qielli por nga hapësira e shpirtit drejt tokës së shkretuar të jetës sime… Dhe unë tretem e zhdukem si një pikël e zbehtë në një hapësirë të pafundme. Nëse ulëras, kush ma dëgjon zërin lartësive të vetmive?
Le të kthehemi. Rikthimi është risi dhe pakëz përgjysmim i daljeve tona, është frikë, është strehim brenda guackave të mykura dhe të sigurta të zakoneve… S’ka gjë, ne prapë le të kthehemi. Kemi përgjegjësi të marra në mënyrë të pavetëdijshme. Le të kthehemi në shtëpi, te shtëpitë zhguall të ngrehinave tona, te strehëzat e lavdishme të dobësive tona, le të kthehemi te kalatë e vetmisë.
Nuk është për ne Zonja Jetë të jetuarit pa limit. Ne nuk patëm horizonte që zgjeroheshin ndërkohë që rriteshim. Kur përpiqeshim të zgjeronim kufinjtë me pëllëmbët tona të brishta, përpara na bëheshin pirg me mijëra pengesa të jetës. Cilën prej tyre mund ta mposhtnim mes gjithë atyre pamundësive? Njohëm mungesën e shpresës, kështu mësuam humbjen.
Zonja Jetë, nuk ekziston asgjë ku të mund të kapem në emër të gëzimit të të jetuarit. Tash sa ditë jam i gozhduar prej bebeve të syve në një boshllëk të çuditshëm.
Vërtet, cili është kuptimi i të jetuarit? Shpeshherë kthehem pas për të gjetur një përgjigje, deteve të thellë të kohës me ngarkesa të rënda ku zemra ime ka lënë gjurmë të zbehta. Shoh humbjen e shpresës. E çfarë është gëzimi përveçse një frymëmarrje e vogël e dhimbjes?
Ndërkohë që jeta është një luftë e pashpresë mes ëndrrës dhe realitetit, është një iluzion i stërmadh që mbart brenda gjithçka… Apo s’është kështu?!
Unë nuk kam patur kurrë shpresa të mëdha, ëndrra të mëdha, malle të mëdha, nuk kam patur kurrë pritshmëri të mëdha. Qenë rrethanat ato që më formuan, unë gjeta dhimbjen.
Po të jetoja si gjithë të tjerët, po të mund ta shihja jetën si ata, vallë a do të më mjaftonin tregjet për t’u ngushëlluar?
A do të më mjaftonte një këmishë, një kostum, një palë këpucë; një e ngrënë në restorant; televizori, tapeti, tavolina dhe gjëra të tjera fine për të fshehur vetminë time, për të rënë në sy, për të ekzistuar, për të fituar rëndësi në “humbjet e rretheve të ngushta”…?
Ndërkohë që unë, ulur kindeve të një zjarri të portokalltë në muzg me një mikeshë të ngushtë, zemra e së cilës rreh mbi pëllëmbët e mia, do doja të shpenzoja botën dhe veten…
Përktheu: Rozana Belli
ObserverKult
Lexo edhe:
FRAGMENT NGA “HASTA LA VISTA”: TAKIMI I GORIT ME ANITËN
Ju ftojmë të lexoni një fragment nga romani “Hasta la vista”, të Petro Markos takimin e Gorit me Anitën. Është nga pjesët më të bukura të romanit, i cili është aq i ngarkuar me mundimet dhe dhimbjet njerëzore.
Duket se dashuria bën magjira, ndihet nënteksti i kësaj ndjenje në tërë romanin. Vështrimi në thellësi të syve të ushtarit shqiptar me infermieren spanjolle nënvizon me forcë vetinë universale të kësaj ndjenje, që nuk pyet as për gjendje të vështirë, as për kohë dhe aq më tepër për kombësi të ndryshme.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult