Në 1-vjetorin e ikjes në amshim të Maestros, Shyqri Nimani
Shkruan: Blerim Valla
Gjakova është një nga qytetet më të shquara në nivel kombëtar për zhvillimin e letërsisë, kulturës dhe artit pamor shqiptarë.
Është shumë i madh dhe me vlera të larta estetike kontributi i akademik Shyqri Nimanit për zhvillimin e artit pamor në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë sidomos me opusin e tij multidimensional.
Prof. Shyqri Nimani njihet për karrierën e bujshme që ka lënë gjurmë artistike në vendin tonë dhe jashtë tij, duke filluar me krijimin e shumë logove artistike të shumë institucioneve tona të rëndësishme dhe të njohura, deri tek kaligrafimi me dorë në pergamenë, i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Dhe kur u bënë 1 vit që kur ka ikur nga kjo botë profesori i artit figurativ në Kosovë, shpirti i tij krijues dhe opusi i tij i rrallë atistik do të mbeten të pavdekshëm!
Muzika, dizajni grafik, piktura, historia e artit, poezia, letërsia, kritika e artit, përkthimet, ishin ato me cilat ai la e do të lërë përjetësisht gjurmë të pashlyeshme. E më së shumti ai njihej si pedagog shumëvjeçar i Fakultetit të Arteve në Prishtinë.
Ai ishte i njohur për dizajn dhe artit figurativ, dhe një nga themeluesit e Fakultetit të Arteve të Kosovës. Ai ishte magjistri i parë i Dizajnit Grafik në ish- Jugosllavinë e atëhershme.
Shyqri Nimani ishte poashtu edhe krijuesi i 40 komponimeve origjinale muzikore që nga viti 1960 deri në vitin 1980, dhe ka incizuar rreth 100 këngë për radio dhe tv. Poashtu ka shkruar edhe shumë tekste për këngë. Këngët e tij u shpërblyen katër herë në Akordet e Kosovës. Ndër më të njohurat janë këngët e tij, Iliriana, Adriatiku, Studenti dhe Dashuria etj.
Ndër veprat e tij më të njohura janë: Logoja e Hotelit Grand, logoja e Universitetit të Prishtinës, vulat e para të Kosovës / UNMIK-ut, Logoja e KosovaFilm-it, logoja e Policisë së Kosovës, logoja e Galerisë së Arteve të Kosovës etj si dhe shumë libra faqosjen dhe dizajnin e të cilëve i bëri!
Pushofsh në paqe prof! Shpirti yt artistik do të jetojë në veprat e gjithë artistëve shqiptar të artit pamor!
E kisha nderin të të njihja dhe të të kisha mik të nderuar!
E paharruar përjetë do të mbetet jeta dhe vepra (krijimtaria) jote monumentale Maestro!
ObserverKult
Lexo edhe: