Gjykuar nga vendi qendror që u ka rezervuar në autobiografinë e tij, pjesë e “Librit të pesëdhjetëvjetorit të kishës orthodhokse shqiptare në Amerikë”, që e mbaroi së përshtaturi a së hartuari në vitin 1958, Fan S. Noli veçonte nga jeta e vet gjysmë shekulli në krye të kishës e gjysmë viti në krye të qeverisë. Ky veçim përputhet krejt me vlerësimin që Noli kishte për veten, si i ardhur në këtë botë me mision mesianik.
Nga Akademik Shaban Sinani
Shkruar në vetë të tretë, për të rritur besueshmërinë e rrëfimit, në jetëshkrimin e tij Noli i rendit përkthimet lirugjike në krye të të gjitha bibliografive të veta. Jo vetëm për shkak të vetëvlerësimit, por edhe për rëndësinë e tyre si libra të dobishëm dhe të ndikimit që patën e kanë edhe sot për njësimin e ligjërimit kishtar, përkthimet liturgjike përfaqësojnë një nga përbërëset më të rëndësishme të veprimtarisë së tij, me shtrirjen kohore më jatëgjatë: jo pak por një gjysmë shekulli, që nga viti 1908, kur ai botoi të parin përkthim të kësaj tiopologjie, “Shërbes e javës së madhe” (Boston), deri në fund të jetës, që e mbylli me ëndrrën për një përkthim të ri, shqip e anglisht, të ungjijve, mbështetur në shkrimet e dorëshkrimet paragreke, kryesisht në ato të burimit parësor, në aramaisht.
Gjatë një gjysmë shekulli Noli përktheu shqip nëntë vepra të shërbesës kishtare, kryesisht libra të meshimit, të të kremteve, të lutjeve, të liturgjisë tekstore e muzikore e të kalendarit të krishterimit orthodoks. Përktheu e përshtati gjashtë vepra të tjera në shqip e anglisht ose vetëm anglisht (shkrime katekistike, liturgji e perikope ungjijsh), gjithashtu kompiloi tri vepra të muzikës liturgjike; gjithsej 18 tituj, një bibliotekë e vërtetë.
Për dallim nga përbërëset e tjera të krijimtarisë së Nolit, duke përfshirë përkthimet me karakter laik-letrar, koleksioni i librave të shërbesës është më pak i njohuri, më pak i vlerësuari e më pak i studiuari, qoftë dhe për qëllime gjuhësore, nga gjithë vepra e tij. Gjuha e veprave origjinale është studiuar deri në nivelin e monografive – dhe këtu duhet veçuar studimi i thelluar i Fatmir Agalliut “Gjuha e Nolit – në veprën origjinale të tij”. Sa u takon përkthimeve me karakter fetar, përveç një studimi të Àt Foti Cicit, zor se mund të gjendet diçka tjetër, që të ketë lënë gjurmë për shquarjen e meritave të Nolit si një ndër më të rëndësishmit për pavarësimin gjuhësor të shqipes në kishë përmes përkthimeve liturgjike.
Megjithëse një njohës e zotërues i shkëlqyer i aq shumë gjuhëve të huaja, të qytetërimeve perëndimore e lindore, të gjalla e të vdekura, për Nolin vetëm gjuha shqipe e meritonte t’i kishe besë pa kushte. Sa u takon gjuhëve të tjera, duke përfshirë greqishten, ai kishte dyshimet e veta deri në fund të jetës. Ashtu si mendimtarët humanistë europianë në fundin e Mesjetës, Noli e mendonte gjithnjë “kthimin tek burimi”, tek “textus receptus”, si zgjidhjen më të drejtë për një edukim kryekrejet të shëndetshëm të besimtarëve në krishterim. Në fondin personal të tij në AQSH ruhen ndër të tjera tufa të tëra skedash me leksik dhe gramatikë të aramaishtes e hebraishtes. Ai ishte rreth të tetëdhjetave kur nisi të mësonte në këto gjuhë, sepse kishte dyshime edhe në saktësinë e përkthimit të Shkrimeve. I mirinformuar për rëndësinë e përmbajtjen e dorëshkrimit të Qumran-it apo të “rrotullave” të Detit të Vdekur, ai kishte dëshirë e ambicje të shpallur që të këshillonte tekstet ungjillore para kanonizmit të tyre në Koncilin e Nikesë, me qëllim që t’i hynte një përkthimi të ri të ungjijve në anglisht e më pas në shqip.
Siç ka vërejtur Àt Foti Cici, në përkthimet e para liturgjike të Nolit, që i takojnë periudhës nga mesha e parë shqip më 1908 deri në kongresin e Beratit, i njohur edhe si “kongresi i autoqefalisë”, Noli ndoqi gjurmën e Kristoforidhit. Nuk mund të thuhet se gjuha e këtyre përkthimeve është e varfër apo çalon, pavarësisht se në atë kohë “kthenjësi”, Noli, kishte vokacionin, por jo dhe formimin priftëror, sepse nuk kishte shkollim teologjik. Gjendja e shqipes së shkruar në librat e shërbesës ishte më e prapambetur se ajo e letërsisë laike, si gjuhë e ndaluar meshimi që ishte.
Midis përkthimeve liturgjike shqip, renditur sipas kronologjisë nga vetë Noli në “Librin e pesëdhjetëvetorit”, që me të drejtë konsiderohet si libri i referencave apo i rikapitullimit të jetës dhe veprimtarisë së tij, janë: “Shërbes e javës së madhe” (Eastern book, 1908); “Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodokse” (Service book, 1909); “Librë e të kremteve të mëdha të kishës orthodokse” (1911); “Triodi i vogël” (1913); “Lutjesorja” (1914); “Pesëdhjetore e vogël” (Pentecoste book, 1914); “Uratore e kishës orthodokse” (1941); “Kremtore e kishës orthodokse” (1947); “Triodi dhe pesëdhjetorja” (1952). Këtyre u shtohen tri vepra të tjera nga liturgjia muzikore të edituara apo të kompiluara nga Noli, sipas shprehjes së përdorur prej tij: “Hymnore për kor të përzier” (“e editoj imzot Fan S. Noli”, 1936); “Eastern orthodox hymnal” (1951) dhe “Byzantine Hymnal” (1959). Në anglisht përktheu veprat “Orthodox prayer book” (1949); “Three liturgies of the Eastern orthodox church” (1955) dhe “Liturgy and catechism of the Eastern Orthodox Church” (1955). Disa nga këto vepra njohën disa botime dhe u përdorën në praktikat kishtare edhe në Shqipëri.
Por cila është lidhja midis përkthimeve liturgjike të Nolit dhe kanonit gjuhësor që rregullon përdorimin e shqipes sot? Sikurse dihet, në vitin 1972, kur Kongresi i Drejtshkrimit mori vendimet e veta për kodifikimin e shqipes së shkruar në funksion të njësimit të saj, për arsye të rrethanave historike për disa ligjërime nuk u gjykua e nevojshme të ofroheshin zgjidhje. Midis tyre ishin së paku dy stile a regjistra komunikimi gjuhësor që mbetën pa kodifikim: ligjërimi liturgjik dhe ligjërimi noterial-advokues, që edhe sot përfaqëson një nga shkallët më të papërpunuara të shqipes së shkruar. Këto ligjërime nuk u kodifikuan sepse, sipas pikëpamjes së kohës, nuk kishin më funksion, ishin një kapitull i mbyllur për shqipen: besimi ishte deklaruar i ndaluar, ndërsa ministria e drejtësisë, bashkë me avokatinë e notariatin e gjithë rrjetin e institucioneve të së drejtës, ishin suprimuar që më 1967.
Në fillimin e viteve 1990, kur shoqëria shqiptare i kapërceu ndalimet, ligjërimi liturgjik shqip u gjend si i ngrirë. Duhej që gjuha vetë si organizëm në përdorim të gjente zgjidhje, duke iu drejtuar traditave më të mira. Dhe, në fakt, atë zgjidhje që Kongresi i Drejtshkrimit nuk e pati paravendosur, e ofroi denjësisht koleksioni i përkthimeve liturgjike të Nolit. Nuk është e vështirë të kuptohet se në ç’rrugë eci ai që në krye në shqipërimin e teksteve të shërbesës. Siç thekson në hyrje të “Librit të pesëdhjetëvjetorit”, shqipja bënte pjesë në ato gjuhë që kishin pasur privilegjin ta njihnin Shkrimin e Shenjtë që në periudhën e krishterimit apostolik.
Duke iu referuar terminologjisë në gjuhën e popullit Noli thekson përftimin e formës shqipe të saj qysh prej periudhës protoshqipe. Në këtë rrugë, duke i shpërfillur disa kanone të hermeneutikës sakrale dhe duke u sjellë me tekstet referenciale më shumë si dijetar se si meshtar, Noli guxoi të prekte gjuhësisht edhe termin në liturgji, që përbën shpirtin e dogmës dhe formën publike të shfaqjes së saj. Që në krye të herës, ai atakoi gjuhësisht termat hermetikë konservativë të gjuhës së liturgjisë, me qëllim që librat e shërbesës t’u vlenin jo vetëm klerikëve, por dhe laikëve, dhe shqipja të plotësonte një nga funksionet e munguara të saj.
Koleksioni i Nolit krijoi gjedhe fjalëformimi për shqipen e papërvojë, që mund tu shërbente si paraprirje edhe të mëpasmëve për tu ndjekur. Vetëm në librin e “Pendikostisë” ai ka propozuar e ngulitur në gjuhën e liturgjisë neologjizmat: “hyjlindësore”, “kremtore”, “kungatore”; “hyrtore”, “thirrtore”, “shkurtore”, “zbritësore”, “tërthore”, “dërgimësore”, “ngjallësore”, “përleshore”, “ndenjësore”, “mbrëmjesore”; tetëzërësh (për “oktoih”), “trishenjt”, “jetëpritës”, “i parëshenjtëruar”; “madhështimi”, “lavdërimet”, “përshëndoshjet”. Disa nga kompozitat e Nolit kanë qendruar në gjuhë me autoritetin e emrit të tij, ndryshe nuk do të ishin pranuar.
Një numër fjalësh të kalkuara në përkthimet e Nolit i gjen edhe në didaskalitë e tekstit, si “parëvarg”, “pasvarg”, “pasdarkë” (“e madhe dhe e vogël” në kreshmë), “këndonjës” (për “psalt”), “kanun” (për “rend”), por edhe “tjegullar” (jashtë leksikut fetar). Theofan Popa, në katalogun e kodikëve të Shqipërisë, që e pati lënë në dorëshkrim, ndjek besnikërisht këtë terminologji. Atje ku Noli ka lënë termin e huazuar prej greqishtes (“sinaksar”, “dhoksologji”, “tropar”), edhe Thofan Popa bën të njëjtën gjë.
Një pjesë të terminologjisë ai e shqipëroi përmes përkthimit apo kalkimit, dhe këtu bëjnë pjesë neologjizma të tillë si “mujor” për “minej”, vijuar me “kremtore”, “himnore”, “lutjesore”, “uratore” e “mbrëmjesore”. Në disa raste të tjera ai iu drejtua gjuhës së gjallë të popullit për të gjetur një fjalë të burimit të kryehershëm, dhe në këtë rrugë futi në përdorim “rushajet” për “ditën e luleve” (“rosalia diem”) dhe “pesëdhjetoren” për “pendikostinë”.
Se sa i rëndësishëm ishte për shqipen ky kontribut i Nolit mjafton të kujtojmë se me të mund të ndodhte siç kishte ndodhur me greqishten fqinje, e cila, duke i qendruar besnike formës, në përdorimin kishtar konservoi gjendjen e saj mesjetare-bizantine, duke mbërritur deri në funksionimin si një gjuhe paralele. Edhe sot greqishtja kishtare, e njohur me termin “καθαρεύουσα γλώσσα”, qendron si një realitet komunikimi tjetër krahasuar me greqishten e popullit, që njihet si “δημοτική γλώσσα”. Noli përktheu brendinë e fjalës, e rindërtoi atë pastërtisht shqip. Terminologjia shqipe e Nolit dhe përkthimi kanonik i Biblës nga monsinjor Simon Filipaj, që mori bekimin e Selisë së Shenjtë, janë dy shtylla që mbajnë edhe sot njësinë e shqipes në përdorim kishtar, në këtë ligjërim me kodifikim të munguar.
*Kumtesë e mbajtur në konferencën shkencore “Revolucioni i Qershorit në jubileun e 100-vjetorit” mbajtur nga Akademia e Shkencave
ObserverKult
Lexo edhe:
BORGES: KAM KRYER MË TË TMERRSHMIN E MËKATEVE, S’ISHA I LUMTUR…