“Letërsia është dashuria më e madhe, e pakrahasueshme me asgjë në jetën time”/ AFP ripublikon intervistën me Ismail Kadarenë

Në një intervistë dhënë AFP-së në shtëpinë e tij në Tiranë në vitin 2023, Ismail Kadare rrëfente se ende vazhdonte të shkruante pa pushim, dhe po punonte për disa projekte.

Romancieri dhe poeti i njohur shqiptar rrëfente asokohe për median e njohur franceze marrëdhënien e tij të vërtetë me letërsinë.

“Letërsia është gjithçka për mua, është jeta ime, jeta e të tjerëve, jeta e të gjithëve dhe si e tillë është e rëndësishme për të gjithë. Më ka dhënë çdo gjë që më bën kuptim në jetë, më ka bërë të kem guxim, te kem shpresë, të kem gëzim, të punoj”.

Sot në ditën e ndarjes së tij të papritur nga jeta, AFP vendosi ta rikthente intervistën e gjeniut të letrave shqipe, i cili dukej aty plot entuziazëm e plot dëshirë për të vazhduar pa pushim rrugën e nisur aq natyrshëm.

“Ka disa shënime, tregime të shkurtra, projekte që i kam nëpër duar, disa mund t’i botoj, disa do t’i shoh edhe njëherë. Letërsia është dashuria më e madhe, e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë në jetën time. Vlerësimi për mua është vlerësim për artin. Ne jemi bij të artit, i shërbejmë atij dhe për çdo arritje në art, jemi mirënjohës”, shprehej kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare./gazetatema

ObserverKult


Lexo edhe:

“KADAREJA I TAKON PËRJETËSISË”/ PREÇ ZOGAJ: E TAKOVA PARA SE TË IKTE NË FRANCË, ISHTE I SHQETËSUAR…