Letërsia e Kadaresë zgjeroi “mushkëritë” e gjuhës shqipe në frymëmarrjen e komunikimit tonë kulturor

Ismail Kadare dhe Emin Azemi

(Në vend të homazhit)

Nga Emin Azemi

Shkrimtari Ismail Kadare është trajtuar dhe do të trajtohet nga shumë aspekte, por sipas mendimit tim, janë tre aspekte që e karakterizojnë individualitetin e tij krijues.

E para, ai bashkë me një brez shkrimtarësh (Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Vehbi Skënderi, Risto Siliqi etj.) do të mbetet në historinë e letërsisë shqipe si shkrimtar që i priu thyerjes së klisheve të të shkruarit, si në poezi, ashtu edhe në prozë. Realizmi socialist i ngjante një djerrine të tharë dhe të pagjak, por Ismail Kadare ishte një oazë e gjelbër, plot me freski dhe jetë në atë shkretëtirë, që ia ndryshoi përgjithësisht imazhin letërisë shqipe brenda dhe jashtë. Falë kësaj oaze, shumë shkrimtarë të tjerë, sidomos në Kosovë, zhvilluan talentin e tyre duke patur si referencë letërsinë e Kadaresë.

E dyta, Ismail Kadare, bashkë Martin Camajn, është “karikuesi” më i fuqishëm i letërsisë me elegancën fjalëformuese të gjuhës shqipe dhe me shtresat shumëkupimore-idiomatike të saj. Janë bërë përpjekje që të përpilohen fjalorë të ndryshëm dhe studime të shumta nga ky kontribut madhor i Kadaresë, por është shumë pak në krahasim me rëndësinë që ka letërsia e Kadaresë në zgjerimin e “mushkërive” të gjuhës shqipe në frymëmarrjen e komunikimit tonë kulturor.

E treta, askush si Ismail Kadare nuk e afirmoi më mire në botë vertikalen shpirtërore të shqiptarëve. Veprat e tij të përkthyera në mbi 40 gjuhë, artikuluan dhe argumentuan qenësinë e një kombi, të cilin sherret e politikës e kishin lënë në margjina. Vetëm pasi u lexua vepra e tij, bota i njohu më mire shqiptarët dhe e kuptoi më qartë fatin e këtij kombi të ndarë si mos më keq.

Për rrjedhojë, Kadareja edhe personalisht në komunkim me burrështetasit e botës ( me George Bush plakun, Jacques Chirac etj) kishte vënë në dispozicion autoritetin e tij në favor të kauzës së Kosovës, duke dhënë alarmin se regjimi serb po i vërsulej për ta asgjësuar njërin prej popujve më të lashtë të kontinentit evropian.
“Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjik, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët. Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë. Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim. Zoti Presidenti SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu. Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë”, i shkruante Kadare më 11 shtator 1991, Presidentit të atëhershëm të SHBA, George Bush.

Shtatë vjet më vonë, kur soldateska serbe po bënte kërdi në Kosovë, Ismail Kadare i drejtohet sërish me letër, një presidenti tjetër.
“Në sytë e Europës e të Perëndimit të krishterë, qytetërimi i të cilit, bazohet sot më tepër se kurrë mbi vlerat e lirisë e të drejtave të njeriut e të popujve, po kryhet një krim me pärmasa të padurueshme. Një shtet i egër stalinist, po djeg e po rrënon fshatra e qytete, vret gra e fëmijë, shpërngul me dhunë qindra e mijëra njerëz e kryen spastrim etnik, pa u ndëshkuar prej askujt. Cili shtet né Europë do të guxonte të masakronte me tanke, helikopterë dhe flakëhedhëse shtetasit e vet?… Kjo, që po ndodh sot në Kosovë, nuk është as rastësi dhe as surprizë. Ky krim është pergatitur prej kohësh, dhe Europa dhe SHBA, janë paralajmëruar me kohë për të. Megjithatë veshi është bërë i shurdhër…”, i shkruante Kadare (më 26 gusht 1998), mes tjerash, Presidentit të atëhershëm francez, Jacques Chirac.

Tani kur Kadare na mbetet në mendje vetëm si si imazh, si kujtim, emri dhe vepra që la pas do të jenë edhe një peng për ndërgjegjen tonë në formë detyrimi ndaj vlerave që la ai trashëgim, duke i ranguar ato në rrafshin më sipëror të mbamendjes sonë kolektive.

ObserverKult


Lexo edhe:

“E SHKRUAR MË 31 DHJETOR”, POEZIA E NJOHUR E ISMAIL KADARESË