Një borxh, e konsideroi Myshketa këtë koncert në qytetin e lindjes, pas shumë vitesh mungesë.
Dhe si për ta shlyer, koncertin gala e nisi me një këngë ikonë të qytetit “Të falem i bukuri Durrës” e të madhit Qemal Kërtusha.
Baritoni Gëzim Myshketa mbushi plot arenën e amfiteatrit mbrëmjen e së shtunës, duke ofruar për të gjithë të pranishmit jo vetëm një koncert me pjesë operistike nga disa nga ariet më të njohura botërore si ato nga operat “Karmen”, “Traviata”, por edhe pjesë emblematike si “Për ty atdhe”, pjesë nga kompozitori i famshëm Ennio Morricone, Nino Rotta etj.
“I kam përzgjedhur këto për ta bërë programin artistik të koncertit sa më interesant për të gjithë llojet e veshëve. Si për ata specifikë operistikë, por edhe jo vetëm”, tha Myshketa.
Për Myshketën ngjitja në arenën e amfiteatrit antik, monumentit që e ka njohur që në vegjëlinë e tij, rrugët që i ka përshkuar aq herë në fëmijërinë dhe rininë e tij, por edhe interpretimi para familjes, autoriteteve më të larta qendrore dhe vendore por edhe bashkëqytetarëve të tij është një emocion që rrallë provohet.
I titulluar “Durrës opera art of singing”, kjo iniciativë lindi si një ëndërr e këngëtarit lirik për t’i dhënë një tjetër peshë qytetit të tij të lindjes në fushën operistike.
“Kam dëshirë ta shndërroj qytetin e Durrësit në një qendër specializimi për të rinj nga gjithë Evropa e bota, që të vijnë këtu në Durrës dhe të perfeksionojnë artin e tyre operistik”, tha Myshketa.
ObserverKult
Lexo edhe:
GËZIM MYSHKETA: TË GJITHË E KEMI HUMBUR PAK BUSULLË, JETOJMË SI “SKLLEVËR” …
GËZIM MYSHKETA “DUET’ ME ANITA TAKEN DHE AGIM PRODANIN (VIDEO)