Dashunia, poezi nga Drago Siliqi

drago siliqi

Drago Siliqi: DASHUNIA

Ç’asht dashunia? – flasin shumë në botë.
Ca lule vjeshte, që gënjejnë rininë.
Ç’asht dashunia?… Veç një andrr’ e kotë, –
thonë gjithë ata, që s’njohën dashuninë.

Ç’asht dashunia?… Interes n’dy anë.
E krahasojnë ate me tregëtinë
të gjithë ata, që rini n’zemër s’kanë
e s’mund ta gjejnë në jetë kurrë dashuninë.

Ç’asht dashunia?… Lule e vërtetë,
por plaket jeta, ajo ma nuk ndrin, –
thonë gjithë ata, që s’jetojnë dot një jetë
e s’kanë fuqinë ta mbajnë dashuninë.

Asht dashunia: krue i pashterim!
Sa herë që pi, ma shumë të shtohet eti.
N’te pasqyrohet qielli në kthjellim,
ma e pafundshme ajo asht se deti.

Asht dashunia: erë e lirë, që fryn
e plagët ma të randa t’i shëron,
minierë e thellë, që plot visare ndryn,
pallat prrallor, ku lumtunia rron.

I ka ajo dy sytë porsi perria,
zemrën e saja ma të nxehtë se zjarri,
flokët – të arta, ndjenjat – si magjia,
me te ndër lufta bie luftëtari.

Edhe nuk vdes. S’asht andërr kjo. E vërtet.
Për gjithë ata që kanë dashuni.
Ajo provohet veç një herë në jetë,
nuk vdes, as plaket kurrë si për çudi.

ObserverKult

Lexo edhe:

PROMOVOHET LIBRI “NJË JETË NË FLUTURIM” I DRAGO SILIQIT

TRI POEZI NGA DRAGO SILIQI, POETI QË IKU NË MOSHËN E KRISHTIT