Duhani kaçak / Pse quhet “kaçak” ky lloj duhani?

duhani

Në kafe tre burra ja krisën muhabetit për duhanin. Ndonëse ishin afër meje dhe fjalët e tyre po më hynin në vesh, s’doja t’ia dija fare për ato që thoshin, derisa njëri prej tyre e përmendi një term, i cili e ndërroi aty për aty rrjedhën e mendimeve të mia. Termi që ai zuri në gojë ishte “duhani kaçak”.

blerim latifi duhani kaçak


Nga Blerim Latifi

Më erdhi disi çuditshëm kur e dëgjova. Sigurisht nga fakti se ka kohë që nuk e kam dëgjuar këtë term, i cili dikur ishte aq i njohur dhe përdorej dendur, sidomos nga pleqtë.

I trajnuar në historinë e koncepteve( filozofia) menjëherë më vajti mendja tek dy pyetje: Çka domethanë “duhani kaçak”? Prej nga e ka origjinën ky term? Nuk kam hasur ndonjëherë në literaturë ku shpjegohet kjo gjë. Edhe një kërkim në internet nuk më siguroi ndonjë informatë të vlefshme. Më mbetej të supozoja një shpjegim logjik, duke u nisur nga zbërthimi etimologjik i termit. Dhe ky zbërthim ka të bëj me fjalën “kaçak”. Origjina e saj është turke: kaçaku është një njeri i armatosur që ka ngritur krye kundër rendit ligjor të një shteti. Pra një njeri i paligjshëm nga pikëpamja e shtetit. Një outlaw man, siç njihet në botën anglishtfolëse.

Siç e analizon Eric Hobsbawm në librin e tij “Banditët” ky lloj rebeli është tipik për shoqnitë fshatare paramoderne. Kur këto shoqni vuajnë nga masat represive të shtetit, atëherë në to kaçaku fiton aurën e një heroi. Si Robin Hoodi tek anglezët, Wilhelm Teli në Zvicër apo komitët, hajdukët dhe kleftët në Ballkanin otoman dhe postotoman.
Por për të mos shkuar më tej dhe për të mos u zgjatur, të kthehemi tek tema për të cilën u nis ky tekst.

Sipas logjikës së supozimit tim ky emërtim “duhan kaçak” ose i referohet, në terma turke, një duhani të papërpunuar industrialisht e të shpërndarë në mënyrë të paligjshme (kaçakçe), pra kontrabandë, ose i referohet duhanit të konsumuar nga kaçakët e maleve, të cilët në kushtet e tyre të jashtëzakonshme të jetesës kanë bërë duhan prej barishteve e gjetheve.
Cila nga këto dy hipoteza mund të jetë e vërtetë?
Duhen prova empirike nga fusha e asaj që quhet “histori sociale” për të dhënë përgjigje në këtë pyetje. Dhe këto prova kërkojnë hulumtime. E këto hulmtime kërkojnë kohë. Dhe hulumtimet mund të nxjerrin prova të tjera që i hedhin poshtë të dy hipotezat. Këtë proces Karl R.Popper e quan proces i përgenjështrimit të hipotezave.

Ja pra sa të komplikuara janë gjërat, të cilat ne i konsiderojmë të thjeshta dhe mjaftueshëm evidente. Dhe sa i komplikuar është ai që quhet hulumtim shkencor. Sidomos në fushën e shkencave sociale, ku rrjeti i dendur i “diturive popullore” dhe keqpërdorimi e keqkuptimi i termave dhe koncepteve brenda këtyre diturive, shpesh e bëjnë hulumtimin të pashpresë.
Vetëm pasi të çlirohemi nga “siguritë epistemologjike” të këtyre “diturive”, ne mund të hyjmë në shtegun që na shpie tek të vërtetat që kanë kredenciale shkenore. Dituria e vërtetë, thotë Platoni, fillon vetëm pasi të heqim qafesh opinionet e agorës( sheshit, pazarit).

ObserverKult

Lexo edhe: