Nga: Blerim Valla
Gjakova, qyteti i artit e kulturës, teatrit e filmit, muzikës e historisë për dy fundjava do të jetë qendra e kulturës shqiptare dhe do të shndërrohet në një skenë të madhe të hapur e artit e kulturës, me muzikë, filma, ushqime tradicionale dhe shumë aktivitete të tjera.
Nga datat 25 deri më 28 korrik dhe nga datat 1 deri më 4 gusht, do të mbahen 15 koncerte, do të shfaqen filma, do të ketë poezi, si dhe shumë folës – figura të suksesshme shqiptare në ambiente të ndryshme të qytetit të Gjakovës.
Per tetë ditë do të festohet shqip në dy skena të hapura, njëra në Çarshi të Vjetër dhe tjetra te Parku Kulturor “Ali Podrimja”, sikurse që do t’i prezantohen publikut e mysafirëve të shumtë që priten të vizitojnë vendet më të bukura me histori shumëvjeçare të Gjakovës .
Në këto ditë do të performojnë grupe e muzicientët të njohur shqiptarë si Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Dren Abazi, Shpat Deda, Nezafete Shala, Offchestra, Ethnically Plugged, Edona Reshitaj, Grupi NA dhe shumë të tjerë.
“Ditët e Shqiptarit” përndryshe organizohet nga Fondacioni për Gjakovën. Për mbarëvajtjen sa më të mirë të këtij festivali tashmë është themeluar ky Fondacioni i cili mëton të mbështesë zhvillimin e qytetit të Gjakovës në shumë sfera të jetës dhe punës.
Sipas koordinatores së këtij festivali, Ina Varaku, festivali i kulturës shqiptare “Ditët e Shqiptarit”, do të jetë një spektakël i vërtetë artistik në qytetin e Gjakovës. Qëllimi është që Fondacioni të ketë një qëndrueshmëri dhe të gjallërojë Gjakovën në fusha të ndryshme. Gjatë këtij manifestimi kulturor “Ditët e Shqiptarit”, Gjakova, për dy fundjava me radhë, do të jetë qendra e kulturës shqiptare, ku do të ketë muzikë qytetare dhe alternative, rock shqip, letërsi, debate të ndryshme, pastaj kuzhina e njohur gjakovare, atmosfera e Çarshisë së Vjetër të Gjakovës dhe mbi të gjitha mikpritja në qytetin më shqiptar të mbarë shqiptarisë!
“Ditët e Shqiptarit”, që do të nis nga sot – e enjte, në qytetin e Gjakovës. pos tjerash, për qëllim ka të paraqesë identitetin dhe kulturën fillimisht gjakovare por edhe shqiptare në përgjithësi”, theksoi Varaku
Kurse pedagogu nga Tirana me origjinë nga Gjakova, Ermal Hasimja një ndër ideatorët dhe organizatorët kryesor të këtij festivali, tregon se si ka ardhur deri tek ideja për organizimin e këtij festivali në qytetin e Gjakovës.
“Festivali u konceptua si elementi i parë i një serie aktivitetesh kulturore që synojnë të gjallërojnë jetën e Gjakovës dhe të tërheqin turizmin e përvojës autentike shqiptare nga gjithë trojet shqiptare, por edhe nga të huajt. Gjakova ka shumë për të ofruar në aspektin kulturor, historik, gastronomik e natyror dhe fondacioni synon që kjo pasuri unike të aktivizohet e t’i vlejë qytetit për zhvillimin e vet. Ne duam që Gjakova të njihet kudo ashtu si e njohim ne gjakovarët, si qytetin më autentik shqiptar në shqiptari”, thotë Hasimja.
“E veçanta e këtij festivali qëndron në promovimin e pasurisë dhe trashëgimisë së kulturës shqiptare. Gjatë këtij eventi të veçantë, do të keni mundësinë të përjetoni një spektakël të vërtetë artistik, ku kultura shqiptare do të shfaqet në forma të larmishme dhe mahnitëse.
Nga tingujt e muzikës qytetare gjakovare dhe bashkëkohore, tek performancat artistike të gjalla, deri te kinematografia e cila do të ofrojë filma që pasqyrojnë historinë dhe vlerat e popullit shqiptar. Ky festival synon të krijojë një urë lidhëse mes brezave, duke sjellë në pah vlerat dhe identitetin kulturor shqiptar në një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse”.
Sipas Hasimjës, ideatorit dhe inspiruesit të këtij festivali (e i cili nga ky vit do të jetë tradicional dhe i përvitshëm), pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë një gamë të gjerë aktivitetesh.
“Nga 25 deri më 28 korrik dhe nga 1 deri më 4 gusht, do të ketë larmani aktivitetesh që do të ofrojnë një përvojë të pasur për të gjithë pjesëmarrësit. Grupi muzikor dhe artistët e zhanreve të ndryshme do të sjellin atmosferë të veçantë në skenat muzikore të Gjakovës. Disa nga emrat më të spikatur që do të performojnë janë Jericho, Asgjë Sikur Dielli, Dren Abazi, Shpat Deda, Nezafete Shala, Offchestra, Ethnically Plugged, Edona Reshitaj, Grupi NA, dhe shumë të tjerë. Përveç muzikës, nuk do të mungojnë as aktivitetet për dashamirësit e letërsisë dhe poezisë, ku poezitë do të jenë pjesë e pandashme e festivalit.
Gjithashtu, do të ketë prezantime nga personalitete të suksesshme, të cilët do të sjellin njohuritë e tyre në Gjakovë”. Kështu mësohet se një nga këta është pikërisht pedagogu gjakovar nga Tirana, Ermal Hasimja, i cili përmes prezantimit të tij të titulluar “Kujtime nga Gjakova e vitit 2030″ do të paraqesë versionin e tij për zhvillimin e qytetit të Gjakovës.
Në çdo natë të festivalit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë një gamë të gjerë aktivitetesh.” shprehet E. Hasimja.
Duke e marrë parasysh se ky është edicioni i parë i këtij festivali, pritet interesim i madh për këtë festë kulturore jo vetëm nga qytetarët e Gjakovës, por edhe nga të gjitha qytetet e tjera shqiptare. Kjo falë programit të pasur dhe të larmishëm që përfshin muzikë, performanca artistike, kinematografi, kulinari e shumë çka tjetër .
Programi i Festivalit:
25 korrik 2024
Në ora 18.00 do të mbahet një konferencë për shtyp. Prej orës 20:30 në Çarshinë e Madhe në Gjakovë, do të bëhet hapja e Festivalit “Ditët e Shqiptarit”, i cili organizohet nga Fondacioni Për Gjakovën dhe përkrahet nga Komuna e Gjakovës. Hapja do të moderohet nga gazetarja e njohur Edita Doli.
Në po këtë datë, prej orës 20:30 në parkun kulturor “Ali Podrimja”, transmetohet filmi “Në Mes” nga regjisori Samir Karahoda.
Ndërkaq, prej orës 20:45 poashtu në parkun “Ali Podrimja”, transmetohet filmi “Pa Vend” nga regjisori Samir Karahoda.
Nga ora 21:15 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë grupi muzikor Ethnically Plugged.
Nga ora 21:30 në Çarshinë e Madhe, Ina Varaku do të lexojë poezi të autorit Agim Deva, dedikuar Gjakovës.
Duke filluar nga ora 22:00 në Çarshinë e Madhe, do të performojë këngëtari Shpat Deda.
26 korrik 2024
Në orën 19:30, në parkun “Ali Podrimja”, pedagogu gjakovar nga Tirana, Ermal Hasimja, do të mbajë një panel diskutimi lidhur me prezantimin e tij “Kujtime nga Gjakova e vitit 2030”.
Në orën 20:30, në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë këngëtarja Nazafete Shala.
Nga ora 22:00 në Çarshinë e Madhe, do të performojë grupi “Offchestra”.
27 korrik 2024
Nga ora 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë këngëtari Art Lokaj.
Në orën 21:00 në Çarshinë e Jupave, do të performojë grupi “Gocat Frymore”.
Në orën 22:00 në Çarshinë e Madhe, do të performojë grupi i rock-ut “Jericho”.
1 gusht 2024
Në orën 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, transmetohet filmi “117” nga regjisori Besim Sahatçiu.
Në orën 21:15, do të performojnë grupet muzikore “Ashikët” dhe “Rilindja”.
Në orën 22:00, do të performojë grupi muzikor “Don’t Listen to Your Neighbors”.
2 gusht 2024
Në orën 19:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të mbahet panel diskutimi nga filantropi i njohur gjakovar që jeton e vepron në Zvicërr, Vllaznim Xhiha.
Në orën 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë kitaristi Agron Peni.
Ndërkaq, duke filluar nga ora 22:00 në Çarshinë e Madhe, do të performojë rock grupi “Asgjë Sikur Dielli”.
3 gusht 2024
Duke filluar nga ora 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë grupi “NA”.
Kurse në Çarshinë e Jupave, do të performojë këngëtarja Hersi Matmuja.
Ndërkaq, në orën 22:00 në Çarshinë e Madhe, do të performojë këngëtari Dren Abazi.
4 gusht 2024
Prej orës 20:30 në parkun “Ali Podrimja”, transmetohet filmi “Adnan Kafazi” nga regjisori Genc Berisha.
Kurse, prej orës 22:30 në parkun “Ali Podrimja”, do të performojë këngëtarja Edona Reshitaj.
ObserverKult
Lexo edhe: